Beteja e grave kundër kancerit të gjirit, gruaja tropojane: “Një gjë jo e gjallë nuk mund të na mposhtë ne të gjallat!”

Blertina Koka / Shëndet+

“Një gjë jo e gjallë nuk mund të na mposhtë ne të gjallat!” Janë këto fjalët e një gruaje të fortë tropojane, të cilën fati deshte të sprovonte betejën më të vështirë të jetës: përballjen me kancerin e gjirit.mimoza-hajdarmataj_mane-danaj

Mane Danaj është gruaja heroinë nga Tropoja, e cila luftoi fort, rezistoi përballë sëmundjes vdekjeprurëse dhe në fund ia doli të qëndrojë triumfatore duke u kapur pas jetës.

Pavarësisht kushteve ekonomike, sociale dhe spitalore që mund të ofrojë qyteti i Tropojës, me dëshirën e saj të madhe për të jetuar, vullnetin e saj të fortë dhe dashurinë e përkushtimin e paepur të familjarëve, znj. Mane arriti të mposhtë sëmundjen dhe të bëhet burim frymëzimi për shumë gra të tjera.

E ndërsa vetë ia doli të fitojë mbi të keqen, znj. Mane vjen edhe me një mesazh të fortë për të gjithë gratë dhe vajzat në muajin kundër kancerit të gjirit: “Të mbrojmë e të përpiqemi për shëndetin tonë, sepse familjet e forta duan nëna të forta dhe pas një gruaje të fortë qëndron kujdesi i saj për shëndetin”

Historia e saj u bë publike nga deputetja demokrate Mimoza Hadarmataj, e cila organizoi dje një takim me gratë tropojane në kuadër të muajit të ndërgjegjësimit kundër kancerit të gjirit.

Ky ishte ndër takimet e vetme të organizuara në Tropojë me qëllim ndërgjegjësimin e tropojanëve për të kryer kontrolle.

tropojeSipas deputetes Hadarmataj, në qytetin e Tropojës Ministria e Shëndetësisë nuk ka organizuar asnjë fushatë sensibilizuese në muajin tetor, që shënon edhe muajin e ndërgjegjësimit kundër kancerit të gjirit.

“Ky tetor po ikën pa asnjë fushatë sensibilizimi nga Ministria e Shëndetësisë në Tropojë.
Zero ekzaminime, asnjë pajisje për mamografi në Tropojë”, deklaron znj. Hadarmataj.

“Një keqardhje e thellë për gratë që nga varfëria e madhe nuk zbresin dot në Tiranë apo Kosovë për mamografinë, pasi nuk kanë para për ekzaminim. Këtë vit nuk pati mamografi të lëvizshme që të mundësonte ekzaminim falas në Tropojë. Shëndetësia falas nuk ekziston!”, shkruan deputetja në një postim në llogarinë e saj zyrtare në Facebook.

Ashtu si Tropoja janë edhe shumë qytete të tjera në Shqipëri ku nuk është kryer asnjë fushatë sensibilizuese nga Ministria e Shëndetësisë, jo vetëm gjatë këtij muaji, por edhe më parë./ https://shendeti.com.al/

Postime të ngjashme

Për herë të parë, turistëve të huaj u vihet tarifë për shërbimet shëndetësore
Reduktim i mjekëve në qendra shëndetësore dhe spitale, reagon Ministria e Shëndetësisë
Vrau 15 pacientë, mjeku dënohet me burgim të përjetshëm! Dëshmia: Mendova se ishte më e mira për ta
Kur një nënë e kuptoi menjëherë se vajza e saj ishte dhunuar, pse nuk u aktivizuan mekanizmat e sistemit shëndetësor?
Raporti i OBSH-së: Rastet e kancerit pritet të rriten ndjeshëm në mbarë botën
E sëmura me kancer në protestë: Jep para për koncert dhe nuk rimburson ilaçet tona
5 kura shtëpiake për pickimet e mushkonjave
5 mënyra për të mbajtur kockat tuaja të forta pas moshës 50 vjeç