Bie numri i përfituesve të barnave të rimbursueshme, 1 vit pas zgjerimit të listës

Rreth gati 1 vit pas hyrjes në fuqi të zgjerimit të listës së barnave të rimbursueshme me rreth 50 medikamente të reja, rezulton se për janar -gusht numri i përfituesve është pakësuar.

Sipas të dhënave të raportit “Për monitorimin e treguesve të Ministrisë së Shëndetësisë” për muajt janar-gusht 2025 nga lista e barnave të rimbursueshme kanë përfituar 358,178 pacientë kundrejt 400,000 të parashikuar, me një kosto prej 6,226 lekë/pacientë. Krahasuar me numrin e përfituesve të barnave të rimbursueshme për janar-gusht 2024 numri i tyre ka pësuar rënie me rreth 3,320 pacientë apo rreth 1% më pak.

Për rimbursimin e barnave të listës gjatë muajve janar-gusht 2025 është shpenzuar (paguar) rreth 7,9 mld lekë , ose rreth 64% e planit vjetor prej 12,6 mld lekë. Teksa për për rimbursimin e barnave të listës për 8 mujorin 2024 u shpenzuan gati 8,2 mld lekë nga 12,2 mld lekë të planifikuara, ose 68% e planit vjetor.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, lista e barnave të rimbursueshme është zgjeruar gjatë gushtit 2024, duke shtuar 50 barna të reja dhe 1,345 alternativa mjekimi në total, nga 1,191 që ishin më parë.

Te medikamentet e reja të shtuara, përfshihen 38 janë principe aktive të reja dhe 18 forme doza të reja. Të gjitha barnat e reja të shtuara në Listën e Barnave të Rimbursueshme, janë barna të cilat mbështesin akoma më shumë të gjitha diagnozat dhe patologjitë e sëmundjeve onkologjike, sëmundje kardiovaskulare, diabetin, sëmundje të veshkave, astmën bronkiale, sëmundje pulmonare, etj.

Gjatë periudhës 8 mujore 2025 kanë përfituar fisha diabeti 56,066 pacientë, ose 3,829 pacientë më shumë nga e njëjta periudhë e vitit të kaluar.

Për rimbursimin e pajisjeve mjekësore (fishave të diabetit) janë shpenzuar(paguar) 105,2 mln lekë nga 250 mln lekë të planit vjetor, ose 70% e planit vjetor.

Sakaq në muajin korrik të 2024-s hyri në fuqi VKM n.492, datë 24.07.2024 për shtimin e kategorive përfituese të fishave për matjen e normave të diabetit, si invalidëve të punës dhe personave me aftësi të kufizuara të grupmoshës nga 25 deri 65 vjeç.

Përveç personave me Diabet Mellitus të grupmoshës 0-25 vjeç dhe ≥ 65 vjeç, shtimi i kategorive përfituese në 2024 solli rritje të shpenzimeve për rimbursimin e fishave të diabetit. Për rimbursimin e fishave të diabetit janë paguar 147,2 milionë lekë kundrejt 110,5 milionë lekëve të shpenzuara në 2023. Në 2024 shpenzimet për fishat e të sëmurëve kronikë me diabet janë rritur 33% në raport me vitin paraardhës. Gjatë vitit 2024 kanë përfituar nga fishat e diabetit 57,511 pacientë apo rreth 4% më shumë nga viti 2023./ monitor

Postime të ngjashme

4 zakone të përditshme për të shmangur ftohjet dhe gripin
Çfarë e shkakton migrenën
Studimi: Ecja 4,000 hapave një herë në javë, zvogëlon rrezikun e vdekjes së parakohshme te të moshuarit
Studimi: Këto janë 6 llojet e kancerit që po përhapen te të rinjtë
Nga shtimi në peshë te ndryshimi i rrahjeve të zemrës, studimi zbulon për herë të parë efektet anësore të antidepresantëve
Jetë stresuese, rriten të sëmurët nga zemra dhe ata me probleme psikiatrike
Cilat ushqime duhet të shmangni kur jeni me cikël menstrual
Operacioni plastik në Turqi i merr jetën biznesmenes 50-vjeçare