Bie sistemi e-albania, si po ndikon në marrjen e shërbimeve në spitale dhe barnave me rimbursim

Iliada Kovaçi

Që prej ditës së shtunë Shqipëria po përballet me një mosfunksionim të portalit E-Albania dhe shumë faqeve të tjera zyrtare. Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit njoftoi qytetarët se u detyrua të mbyllë përkohësisht E-Albania për të mbrojtur të dhënat si pasojë e një sulmi kibernetik i ardhur nga jashtë.

Përkohësisht u njoftua që të gjithë ato shërbime që merreshin online përmes E-Albania do të merren fizikisht nëpër sportele. Mirëpo mjaft probleme janë hasur edhe në sistemin shëndetësor.

Stafi ynë ndodhej sot në ambientet e spitalit “Nënë Tereza” për të pyetur sesi po procedohet me sistemin e referimit, konkretisht në qendrën e konsultave, spitalin francez dhe tek onkologjia.

Vetë stafi mjekësor në të trija spitalet ka pohuar se mosfunksionimi i sistemit ka sjellë një sërë problematikash pasi çfare është më e rëndësishmja nuk dihet ende afati se kur do të vihen sërish në funksion. Aktualisht po punohet me vizitat e planifikuara para se ky sistem të prishej dhe rekomandimet e tanishme po merren me shkrim nga mjeku i familjes, të vulosura dhe të përcaktuara me mbishkrimin “NUK KA SISTEM”.

Pasi kemi pyetur edhe një grup qytetarësh në qendrën e konsultave rezultoi se ata vijnë të gjithë të drejtuar nga mjeku i familjes me rekomandim me shkrim dore të cilët u përkasin vetëm vizitave që janë planifikuar para se ky sistem të prishej. E njëjta situatë shqetësuese rezultoi edhe në spitalet e tjera ku ende nuk dihet se sa do duhet të presin ata qytetarë të cilet duhet të marrin shërbim mjekësor derisa këto sisteme të jenë sërish funksionale.

Gjithashtu stafi ynë është interesuar edhe sesi ka ndikuar ky mosfunksionim i portalit përsa i takon marrjes së ilaçeve të rimbursueshme pranë disa farmacive. I pyetur nga gazetarë të gazetës Shëndeti farmacisti me iniciale I.Z u shpreh se ky mosfunksionim i portalit i ka detyruar pacientët që shumë medikamente t’i blejnë më anë të buxhetit të tyre pa rimbursim por ka patur dhe nga ato raste kur vetë farmacistët janë “detyruar” për ata pacientë të cilët i marrin gjithmonë këto ilaçe t’ua japin hua deri kur sistemi të rihapet.

Ndërkohë AKSHI në një njoftim të dytë, duke u kërkuar qytetarëve për mirëkuptim dhe durim që kjo situatë të zgjidhet, ka deklaruar se sistemet përfshirë edhe ato të shëndetësisë si ajo e fondit të sigurimit të detyrueshëm të kujdesit shëndetësor me sistemin e recetës elektronike, kanë nisur të funksionojnë dhe për disa të tjera ende po punohet.

 

 

Postime të ngjashme

Ndahet nga jeta doktori i njohur pediatër Edi Tushe
Trump thyen rekordet, 22 specialistë marrin pjesë në kontrollin e tij mjekësor
Dy fëmijë humbin jetën nga fruthi! Rriten rastet e infektimit në Britaninë e Madhe, ndërsa shkalla e vaksinimit bie
Projekti i shëndetësisë, Banka Botërore bën bilancin: Nga “rrëzimi” i reformës së financimit te digjitalizimi
Plotësoi skedën e vdekjes së një 85-vjeçareje, doktoresha merret nën hetim/ Reagojnë mjekët në Mamurras
Ndikimi i dezinformimit në vaksinimin e fëmijëve
Siguria ushqimore, OBSH: Rreth 866 milionë njerëz sëmuren çdo vit nga ushqimi i kontaminuar
10 ushqimet më hidratuese