Pa diskutim që personazhi i kësaj here në fokus të hapësirës “Shëndet Vip” është i njohur prej kujtdo. Shumëkush zgjedh të zgjohet nën zërin e tij e të marrë një dozë pozitiviteti ende pa hapur “mirë sytë”. Blendi Salaj prej kohësh depërton dhe i bën të zhurmshme mëngjeset e shumë shqiptarëve duke përcjellë një mori informacionesh dhe sigurisht duke i argëtuar e duke i përgatitur për një ditë sa më aktive. Nuk është çudi ta shohësh aq energjik që në 7 të mëngjesit, pasi këto energji e shoqërojnë edhe pasi del nga studiot e emisionit “Klubi i mëngjesit” në “Club FM”. Dita e tij vijon të jetë po aq e zënë, sa edhe mëngjesi. Një pjesë mjaft të rëndësishme në jetën e tij, zë shëndeti të cilin e sheh të shpalosur në gjithçka që e rrethon. Në një intervistë për gazetën “Shëndet+”, Blendi rrëfen faktin e të qenit në formë, raportin që ka me mjekun dhe shumë gjëra të tjera interesante.
Blendi, çfarë është shëndeti për ty?
Shëndeti është diçka që e kam në mendje gjithë kohës dhe mundohem të kujdesem. Shëndeti është mirëqenie, gëzim, kohë e shpenzuar me njerëzit e dashur dhe familjen. Shëndeti përkufizohet me gjithçka që bëjmë. Shpeshherë e neglizhojmë dhe e lëmë pas dore duke u marrë me objektiva, ambicie dhe me angazhime profesionale që kemi marrë në jetë. Por nëse nuk ke shëndetin, të gjitha të tjerat bien poshtë. Kam përshtypjen që njerëzit e dinë këtë gjë. Për shkak të familjes dhe shëndetit, në familje unë jam i ndërgjegjshëm për shëndetin dhe dua ta kem sa më të mirë dhe sa më të gjatë.
Cila është marrëdhënia me mjekun? A kryen vizita mjekësore “ashtu kot”?
Jo, deri tani nuk e kam pasur të nevojshme. Por, për të thënë të vërtetën, unë e kam pak atë frikën e të vajturit tek mjeku apo në spital pa qenë i sëmurë. Megjithatë, tek njerëzit e mi të dashur, tek djali im për shembull, vizitat e rregullta pa shkak, vizitat thjesht profilaktike i bëj rregullisht. Akoma nuk kam filluar të aplikoj vizitat e përvitshme. Herën e fundit që kam qenë në spital, mjeku më tha se isha tepër i ri për të kryer vizita të tilla, sepse isha vetëm 22-23 vjeç. Tani jam 35 dhe kam përshtypjen që kjo është mosha kur njeriu duhet të fillojë vizitat e rregullta tek mjeku. Por falë Zotit bëj vizita të rregullta në palestër si një formë përkujdesi ndaj e shëndetit. 🙂
Po me dentistin ç’marrëdhënie ke?
Tek dentisti shkoj rregullisht. E kam pasur shumë frikë, por e kam kaluar. Kjo ka ndodhur rreth 10 vjet më parë kur kisha një periudhë që më duhej të shkoja vazhdimisht dhe që nga ajo kohë shkoj çdo vit. Madje, herën e fundit që isha tek dentisti për të pastruar gurëzat më tha që nuk e kisha të nevojshme. Kështu që duke ditur që jam mirë, shkoj me qejf (qesh).
Duke mbetur tek palestra, formën e shkëlqyer fizike ia dedikon genit apo është përkujdesje intensive dhe e vazhdueshme?
Jo, është përkujdesje. Po të ishte për genin, nuk do të isha i favorizuar fare në këtë aspekt, sepse duke iu referuar të dy prindërve të mi të cilët janë disi mbi peshë e njëjta gjë do të ndodhte edhe me mua. Prej moshës 21-22 vjeç kam filluar ta frekuentoj rregullisht palestrën pa ndonjë qëllim gare, pasi nuk është se shkoj në palestër për të bërë “trup” apo diçka të tillë, por shkoj për arsye se ndihem shumë mirë me ushtrimet që bëj, plus relaksin që ofron, shkëputja nga stresi nga e përditshmja. Unë shkoj paradite në palestër dhe kur futem atje, telefoni nuk punon. Jam me kufje dhe muzikë, jam duke bërë ato gjërat e mia atje, është një lloj “heqje prize” nga e përditshmja e mbushur me njerëz, biseda, telefonata apo gjëra të tjera. Kështu që ajo është koha ime dhe është një gjë që e bëj si një investim për të ardhmen dhe për momentin si një mënyrë për të pasur një formë fizike të pranueshme, pasi edhe profesioni që kam zgjedhur, ekrani, kërkon të ruash një lloj forme. Por edhe duke ditur që ndihmon në shmangien e sëmundjeve të zemrës, diabetit, kancerit më vonë. Pra, në të gjitha këto gjëra palestra ndikon pozitivisht ndaj dhe e frekuentoj.
Ndodh të pish ilaçe pa sugjerimin e mjekut?
Jo, asnjëherë. Moshën e rinisë, nga 17-29 vjeç, e kam kaluar në Amerikë ku nuk është e mundur të marrësh ilaçe pa recetë. Vetvetiu fillon dhe krijohet dhe ndërgjegjësimi, pse kjo është e pamundur dhe pse kjo gjë nuk mund të bëhet. Ka vetëm një mënyrë për të marrë ilaçe dhe ajo është përmes një rekomandimi nga ana e mjekut. Pastaj pjesa tjetër janë aventura.
Ç’mendon për mjekësinë popullore?
Mendoj se mjekësia alternative (ose popullore) në tërësi ka të mirat e saj mbi njeriun. Nuk mendoj se është jofunksionale apo janë budallallëqe e mashtrime. Por mund të ketë mes tyre edhe sharlatanë. Domethënë, ngatërrohen disa gjëra pasi mund të ketë njerëz që arrijnë të përfitojnë nga të tjerë që kanë probleme shëndetësore apo që janë vulnerabël duke e shfrytëzuar e ofruar shërime mashtruese. Kjo është vërtet diçka shumë e keqe. Por mendoj gjithashtu që mjekësia popullore, mjekësia bimore e cila shfrytëzon bimët si mënyrë kurimi, patjetër që ka efekt.
Ndjek ndonjë rregull ushqyerje apo ha ç’të duash?
Ndjek rregull, pasi siç thashë, për shkak të geneve, nëse do të ushqehesha me çfarë të më dalë përpara, nuk do të mund të ruajë një formë të mirë fizike. Me thënë të drejtën jam relativisht i mirinformuar përsa i takon ushqyerjes. Mundohem të lexoj vazhdimisht dhe të mbaj edhe këto revistat që kanë lidhje me shëndetin, që janë revista të huaja dhe të vjetra që kanë shëndetin e burrit në fokus, por edhe të tjera. Në këtë mënyrë mundohem të kombinoj dietën me ushqimet. Kështu mundohem të konsumoj proteina në mëngjes, pasi më duhet sepse mendërisht ekzekuton më mirë kur ke marrë proteinë herët në mëngjes dhe mua kjo gjë më duhet për një emision direkt, i cili zgjat rreth 3 orë.
Mundohem që darkat t’i kem sa më të lehta, mundohem në njëfarë mënyrë të vë në zbatim shprehjen “mëngjesin haje vetë, drekën ndaje me shokun dhe darkën falja armikut”. Unë nuk ja fal armikut, pasi nuk kam armiq por darkën e kam të lehtë, për shembull me një kos ose një gjë të lehtë, vaktin e kam pak më të rëndë në drekë dhe një mëngjes të mirë me proteina.
Fatmirësisht, kjo dieta jonë mesdhetare është edhe trendi i fundit botëror përsa i takon ushqyerjes së mirë, si: zarzavate, vaji i ullirit e të gjitha këto gjërat e shëndetshme. Ne i kemi natyrshëm dhe është gjynah të mos i shfrytëzosh. Të ushqehesh keq në Shqipëri është mëkat, sepse është akoma lirë të hash freskët edhe mirë.
Gatuan vetë?
Gatuaj. Ka qenë një periudhe kur isha student që punoja pranë një restoranti italian dhe mësova të gatuaja aty. Kështu që ato gjërat që unë gatuaj me qejf edhe për të kujtuar moshën e rinisë janë italiane. Këto makaronat (pastat) dhe gjëra të tjera të këtij lloji, i thaj. Përsa i takon pjatës së preferuar, më pëlqejnë shumë patëllxhanët e mbushura në tavë, më pëlqen një pilaf me pulë, i cili bëhet gjithashtu në tavë që quhet birjan. Ky është gatim i zonës së jugut dhe e gatuante ime më.
Veç palestrës, ushtron ndonjë sport tjetër?
Ndonjë sport aktiv siç mund të jetë sporti apo gjëra të ngjashme, jo nuk merrem. Por bëj not rregullisht dhe vrap. Pjesën kardio, pjesën e zemrës e plotësoj në palestër, nuk është se merrem shumë me pesha dhe shtangë. Nëse vrapi do të ishte një sport, unë e praktikoj. Mund të vrapoj 6-7 km në ditë që është më shumë sesa mesatarja, por që jam mësuar dhe nuk më rëndon shumë. Edhe kur shtoj ndonjëherë në peshë, ngaqë trupi është mësuar, ato 6 km i përballoj lehtë.
Të qenët person publik të ka bërë të fillosh të përdorësh edhe produktet kozmetike?
Akoma nuk kam filluar me kremrat apo gjëra të tjera të këtij lloji. Dikur kam pasur një shok që punonte në një nga këto kompanitë e kremrave dhe përmes tij mund të merrja ndonjë, pasi më sillte gjëra pa fund. I kam provuar dhe janë shumë të mira, për shembull një serum për sytë në qoftë se kishe ndenjur tërë natën pa gjumë. Mund ta vijë atë dhe sikur t’i hapte sytë, por nuk mund të them që i kam përdorur sistematikisht. Këto baziket i përdor, por nuk është që përdor linja. Nuk e kam fare problem dhe as kompleks, por diçka bën që të mos na shkojë mendja. Kështu unë kufizohem tek të qenët i rregullt, i rruar, i qethur, sigurisht higjienik.
Së fundmi vihet re edhe tek meshkujt prirja drejt kirurgjisë estetike apo “modifikimeve” në pamjen e jashtme. Ti si mendon?
Njerëzit mund të bëjnë çfarë të duan. Nëse kjo gjë i bën të ndihen mirë, atëherë unë jam shumë pro kësaj gjëje, pasi ajo ka edhe një efekt psikologjik tek njerëzit. Ato që kanë defekte qofshin këta fëmijë dhe të rritur dhe këto defekte mund të riparohen, pa diskutim që duhet t’i bëjnë këto riparime. Për shembull, nëse një fëmijë ka një defekt në shëndetin e tij, nëse e lë ashtu, atëherë ai do të bëhet objekt tallës për fëmijët e tjerë dhe kjo gjë mund t’i shkaktojë edhe trauma psikologjike ose trauma në karakter (nëse e thërrasin përshembull veshllapush). Kjo nuk është e mirë për psikikën e fëmijës.
Gjithashtu, edhe tek të rriturit ai kompleks që mund të krijohet nga një defekt i paraqitjes së jashtme mund të eliminohet dhe e bën njeriun që të arrijë një potencial më të mirë, pasi do ta bënte të çlirohej mendërisht. Ndërsa përsa i takon ndërhyrjeve që vijnë për arsye të plakjes, për aq kohë sa është e mundur dhe përderisa njeriut ia “mban xhepi” dhe ka dëshirë që ta bëjë, kush jemi ne që t’i gjykojmë?
Diçka që po dëgjoja para pak ditësh dhe në njëfarë mënyrë ka lidhje me atë çka po flasim, ishte kjo moda më e fundit që ka dalë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës drejtuar burrave më shumë: ishin kremrat me testosteron, testosteron me shiringa që shërbejnë për të ngadalësuar efektet e plakjes. Janë reklama në televizion. Po i dëgjojnë të gjithë dhe po shkojnë tek mjeku duke i thënë më gjej pak testosteron. Kjo mund të shitet lirisht, megjithatë ka pak debate sepse tek disa njerëz mund të shkaktojë pasoja kur janë më tendenca për sëmundjet e zemrës.
Në përgjithësi është efektiv dhe i ndihmon burrat që të luftojnë efektet e plakjes që janë lodhja, rrudhosja, kërrusja, mungesa e energjisë gjatë ditës etj. Nëse njeriu ndihet më në formë, shmang sëmundjet, nëse është më aktiv më i gatshëm për të punuar dhe ndihet më mirë me trupin e tij, edhe pse shkon në një moshë dhe po lufton plakjen, çfarë të keqe ka?!
A mendon se shqiptarët kanë një edukatë shëndetësore? Po roli i medias cili është?
Patjetër që ne kemi mangësira në shumë gjëra, edhe në kulturën shëndetësore. Një nga gjërat që mua më ka bërë përshtypje kur u ktheva fillimisht në Shqipëri, ishte numri shumë i vogël i njerëzve që frekuentojnë palestrën. Kjo edhe për arsye ekonomike nga shumë njerëz, sepse kushton diçka të shkosh në palestër dhe fatkeqësisht jo të gjithë i kanë mundësitë.
Por shoh edhe nga ata që i kanë mundësitë, por i mungon kultura e të vajturit në palestër. Njeriu e bën rregullisht ose 3-4 herë në javë të paktën, është diçka që njeriu nuk e bën plus: siç ushqehemi, duhet edhe të ushtrohemi. Të gjitha këto rritjet e sëmundjeve të zemrës, të diabetit, mbipesha etj që vijnë me moshën, dhe që ne i kemi në vendin tonë janë edhe për shkak të mungesës së aktivitetit, jetës sedentare, të ngrënit e tepërt, madje kjo gjë është prezente edhe tek fëmijët që merren me video lojëra. Kjo është një kulturë e munguar. Kam vënë re tek çunat sidomos bluzat të ngushta, por me bark, por çuna 20 vjeç që nuk duhet të kishin bark ose po të kishin bark, nuk duhej të mbanin bluza të ngushta. Këtu dukej sikur ishte një kërcitje, një moslidhje midis imazhit të vet dhe asaj që duhej të ishte normale. Ai burrë që vesh një bluzë të ngushtë, ekspozon barkun e tij dhe e bën këtë me një krenari do të thotë që nuk e kupton që ka trupin që nuk duhet të kishte.
Kjo mendoj se është mungesë informacioni për atë vetë për të parë si duhet të ishte ai në atë moshë dhe si është realisht. Dalja e publikimeve si gazeta juaj, gazeta e familjes suaj apo revistave që kanë lidhje me gatimin, ushqimin etj, janë tregues që kjo gjë ka filluar të ndryshojë. Njerëzit kur arrijnë le të themi një lloj stadi social, rritje të vetes qoftë profesionalisht apo ekonomikisht fillojnë e shohin sesi mund të kujdesen më mirë për veten, lind edhe kjo nevojë. Kështu që komplimentet e mia për gazetën dhe punën që bëni ju.
Një këshillë apo mesazh përsa i takon lexuesve të “Shëndet Plusit”
Një mesazh imi drejtuar shqiptarëve në lidhje me shëndetin është ushtrimi sa më shumë i aktiviteteve fizike, më shumë dalje në ajër të pastër, më shumë ecje, më pak makina dhe parkim ngjitur-ngjitur me vendin e punës, më pak ashensor, më shumë shkallë. Të gjitha këto gjëra janë të mira për njeriun, kam përshtypjen që një nga ato elementet parësore të shëndetit që ne harrojmë është aktiviteti fizik, nuk është vetëm tek e ngrëna apo vajtja tek mjeku, por është edhe përkujdesja e përditshme.


