Përhapja e sëmundjes së gjedhit, që ka prekur gjithë vendet e rajonit, ka vënë në alarm shërbimin veterinar në vendin tonë. Për të ndaluar përhapjen e kësaj sëmundjeje, Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se të paktën edhe për dy javë në të gjithë vendin nuk do të lejohet shitja dhe tregtimi i mishit të gjedhit me origjinë nga Shqipëria. Deri atëherë do lejohet konsumi vetëm i mishit të importit.
Ministria e Bujqësisë ka nisur një fushatë të gjerë vaksinimi kundër sëmundjes së dermatozës nodulare, duke nisur nga komplekset e mëdha.
Shqipëria ka ngritur një strategji parandalimi dhe monitorimi të kësaj sëmundje, duke marrë nga fondi i emergjencës së BE për përballimin e përhapjes së saj, 25 mijë doza vaksine, të cilat janë shpërndarë në fermat komerciale me mbi 50 krerë gjedhë.
Ministri Panariti inspektoi sot procesin e vaksinimit ndaj dermatozës nodulare në një fermë me 500 krerë gjedhë në Kashar.
“Sëmundja e ‘’dermatozës nodulare’’ është prezente tashmë në të gjithë rajonin dhe janë shfaqur edhe vatrat e para në Shqipëri, veri dhe juglindje të saj. Prandaj, ne kemi filluar urgjentisht një fushatë vaksinimi masiv kundër kësaj sëmundje të popullatës së gjedhit, e cila është ajo që preket kryesisht nga kjo sëmundje. Jemi këtu, në këtë fermë për të përfunduar vaksinimin.
Shitja e mishit, ka qenë një masë e detyruar, që është dhe brenda normave dhe praktikës të kërkuar nga Bashkimi Europian. Është strategjia e kontrollit të sëmundjes që parashikon mbylljen e tregjeve të hapura të kafshëve. Kjo është një masë provizore.
Siç thashë, pasi të stabilizohet imuniteti në kafshë, ne do të hapim menjëherë tregun, por ne nuk mund të rrezikojmë për hir të disa interesave ekonomike, që unë kam natyrisht mirëkuptimin tim. Nuk mund të rrezikojmë të hedhim në erë blegtorinë e vendit pikërisht për shkak të disa interesave. Unë, natyrisht kërkoj mirëkuptimin dhe durimin e të gjithë operatorëve, sepse këtu bëhet fjalë për një interes kombëtar.
Për 10 ditë ne do të kemi përfunduar komplet vaksinimin. Kërkohet një periudhë për vendosjen e imunitetit, minimalisht një javë, kështu që unë mendoj se, do të jemi të gatshëm për dy javë të hapim tregjet e kafshëve dhe për të lejuar natyrisht edhe importet sipas të gjitha rregullave”, deklaroi Panariti.
