Kryefaqja Aktualitet Bluzat e bardha nuk e lexuan shkresën që firmosën

Bluzat e bardha nuk e lexuan shkresën që firmosën

0
Shpërndaje

Denisa Canameti, gazetare

Në këto kushte, ku për shkak të mbingarkesës e cila nuk lidhet me punën e Mjekëve të Urgjencës por të shërbimeve të tjera, kemi marrë vendim:

Të tërhiqemi nga pozicioni ynë i punës duke respektuar Paralajmërimin sipas Kodit të Punës me tridhjetë ditë para.

Kjo është përmbajtja e shkresës që bluzat e bardha depozituan dje në institucionin e Qendrës Spitalore ”Nënë Tereza”, Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrotjes Sociale, si dhe në institucionin e Presidencës. Sipas përmbajtjes së shkresës, bluzat e bardha paralajmëruan tërheqjen nga pozicioni i punës në rast se insitucionet e sipërpërmendura nuk do të merrnin masa për përmirësimin e pikave të përshkruara në shkresë.

Ky peticion qarkulloi me një shpejtësi të frikshme në media, duke u konsideruar si një krizë dhe krisje e jashtëzakonshme në sistemin shëndetësor. Pas testimit të mjekëve, mund të thuhet se “tërheqja” nga vendi i punës së 8 mjekëve nga i njëjti shërbim, është lajmi më i bujshëm.

Pas pak orësh, pas një takimi me krerët e institucioneve, bluzat e bardha dolën në një tjetër deklaratë, ku pohuan se: “Absolutisht jo, ne nuk kemi dhënë dorëheqje në ’97, kjo është një kërkesë e jona për të rregulluar problemet nëpërmjet Drejtorisë. Është puna e Drejtorisë më tej që do të zgjidhë problemet duke përforcuar të gjitha hallkat e sistemit. Por shpesh herë zgjidhja e këtyre problemeve dalin jashtë mundësive dhe kapaciteteve tona”,-u shpreh mjeku i urgjencës në një deklaratë për median. (!!??)

Kjo deklaratë vizive për median, ngatërroi gjithë situatën, duke ngritur pikëpytje për qëllimin e këtij peticioni të nënshkruar: Politik?!

Qendra Spitalore Universitare ”Nënë Tereza” gjithashtu doli në një tjetër deklaratë ku shprehej se: ”Në vazhdim të disa lajmeve të pavërteta…..”, lajmet nuk ishin të pavërteta. Bluzat e bardha paralajmëruan tërheqjen nga pozicioni i punës, duke cituar edhe Kodin e Punës.

Vazhdojmë, ”Drejtoria e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” sqaron opinionin publik se puna në Urgjencën e Sëmundjeve të Brendshme nuk është ndërprerë për asnjë moment. Të gjithë mjekët që punojnë në këtë shërbim janë në punë dhe në asnjë rast nuk është ndërprerë shërbimi ndaj pacientëve. Përkundër disa deklaratave lidhur me mungesë barnash dhe materialesh mjekimi në Urgjencën e QSUT, bëjmë me dije se urgjenca furnizohet rregullisht sipas kërkesave”. Thuhej në deklaratën e Qendrës Spitalore Universitare, Nënë Tereza. (!!??)

Pas kësaj deklarate përgënjeshtrimi: bluzat e bardha heshtën sërish.

E vërteta është se, urgjenca e sëmundjeve të brendshme asnjëherë nuk është furnizuar rregullisht sipas kërkesave. Në këtë shërbim gjithmonë ka patur mungesa dhe asnjëherë mbulim të plotë, qoftë në medikamente apo në aparatura mjekësore. Dhe dëshmi e kësaj janë dhjetra shkrime që i drejtohen pikërisht këtij shërbimi. Gazetarët që janë marrë edhe tërthorazi me çështjet e shëndetësisë, i njohin mirë shërbimet ku lajmi mund të mbyllet me të gjitha planet dhe zërat brenda 30 minutëshit. Onkologjia, hematologjia, onkohematologjia, reanimacioni, urgjenca pediatrike, urgjenca kardiologjike etj, janë shërbime që për shkak të kaosit dhe mungesës së organizmit gjithmonë kanë prodhuar lajme.

Kujtojmë se, në korrik të 2014-s urgjenca e sëmundjeve të brendshme në QSUT është ”transformuar rrënjësisht”. Ka qenë vetë drejtoresha e QSUT-së së asaj kohe, sot Ministrie e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, që ka bërë prezantimin e këtij shërbimi ”të transformuar”.

Falë një ndërhyrje të mirëmenduar të drejtorisë, ky shërbim në QSUT nuk ka asgjë më pak se sa urgjencat në spitalet më të mira në botë. Bokse të veçanta për të ruajtur privatësinë e pacientëve, një dhomë e veçantë për infermieren që të monitorojë gjendjen shëndetësore të çdo të sëmuri, stola ku të afërmit mund të presin të ulur, madje edhe sinjalistikë për të informuar ata se ku ta kërkojnë familjarin. Por ashtu siç ndodh në çdo spital, drejtoria e QSUT-së ka vendosur rregulla strikte, jo vetëm duke ndarë zonat sipas gjendjes së pacientit, por duke i dhënë fund edhe traditës shqiptare që të sëmurin e shoqëron i gjithë fisi në spital. “Ne kemi filluar këtë organizim funksional të bonifikimit dhe kodifikimit të urgjencës, përmirësimit funksional në lidhje me vendosjen e dhomave të triazhit ose bokseve tirazhit me infrastrukturë të re”-është shprehur asokohe Manastirliu, ish-drejtoresha e QSUT.

Nuk dihet sesa saktë është konceptuar funksionimi i këtij shërbimi, por sot pas 3 vitesh, bluzat e bardha kërkojnë ta braktisin kolektivisht. Situata ”e dalë jashtë kontrollit” gjithmonë është mohuar, deri dje.

”Urgjenca e QSUT ka qenë gjithmonë reparti me kushtet më të këqija, si për pacientin edhe për mjekun. Të dy trajtoheshin pa dinjitet. Pacientët si dele për mungesë shtretërish e medikamentesh dhe mjekët si punëtore për bukën e gojës të marrë tek sheshi Omonia. Serioziteti nuk iu shtua urgjencës as me godinen e re. Sa herë shkoja për konsulte, kur kam punuar ne QSUT, mendoja se si punonin të forte ishin. Unë do kisha ikur me kohë, por uroj që të mos jetë e të mos përdoret për kapital politik. Rregullimi i urgjencës së QSUT dhe SUT kërkon konceptim të ndryshëm, drejtim që të përballet me situatën duke u ndeshur me shefat e pavioneve “Vip” që përcaktojne politikat e QSUT dhe i lënë në derë rrëmujën urgjencës, por zgjidhja e vërtete vjen nga qeveria që duhet të organizojë shërbimin shëndetësor kudo nëpër Shqiperi dhe fatkeqësisht kjo nuk duket se ka për të ndodhur për shumë kohë” shprehet një profesionist i shëndetësisë në rrjete sociale.

Ka një paqartësi, në të gjithë situatën e krijuar ditën e djeshme. Bluzat e bardha lejuan përgënjeshtrimin e një peticioni të firmosur dhe vulosur nga vetë ata. Ata paralajmëruan dorëheqjen, por më vonë deklaruan të kundërtën ”për të mbrojtur vendin e punës”(thuhet sot, korridoreve të urgjencës)!? Natyrshëm lind pyetja: A e lexuan bluzat e bardha peticionin që nënshkruan?!/ ProPacientit.com

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here