Bojaxhiu: Mjedisi po dhunohet deri në kriminalitet

Seniora 2

Problemi më i madh sot është mungesa e vullnetit nga ana e politikës për t’i shërbyer njerëzve. Me ekspertët më të mirë nuk mund të arrihet gjë, nëse nuk ka vullnet politik

Në një takim mes shoqatave mjedisore dhe kandidatit të pavarur për deputet, Gjergj Bojaxhiu, u diskutua mbi shqetësimet rreth problemeve mjedisore të Bashkisë së Tiranës. Bojaxhiu deklaroi se problemet

Takimi me Gjergj Bojaxhiun

Takimi me Gjergj Bojaxhiun

mjedisore janë shtuar në nivele të papranueshme, duke dhunuar mjedisin “deri në kriminalitet”. Sipas tij, disa nga këto probleme, si psh. mbrojtja e Parkut të Liqenit Artificial nga ndërtimet, mund të zgjidhen duke i shtruar për referendum lokal.

Deri më sot këshillat bashkiakë, kryetarët e bashkive të Tiranës kanë hequr copa nga parku për ndërtim, ndërkohë që shumica e qytetarëve kanë qenë kundër ndërtimit.

Për sa i përket menaxhimit të mbetjeve, Bojaxhiu premtoi se do ketë në vëmendje problemin e grumbullimit të diferencuar të mbetjeve, fillimisht duke futur projekte pilot në zona të caktuara të Tiranës.

Në përgjigje të pyetjes së drejtoreshës së shoqatës “Together for Life”, Eglantina Bardhi, lidhur me ekspertët e duhur për të mbrojtur mjedisin, Bojaxhiu u përgjigj: “Problemi më i madh sot është mungesa e vullnetit nga ana e politikës për t’i shërbyer njerëzve. Me ekspertët më të mirë nuk mund të arrihet gjë, nëse nuk ka vullnet politik. Partitë politike e kanë ngushtuar shumë rrethin e atyre të cilëve u shërbejnë, kurse kandidatura ime është e pavarur nga bizneset”.

Ai tha se nga rreth 4000 punonjës që ka pasur bashkia e Tiranës para 8 vitesh, sot janë mbi 5500 punonjës, ndërkohë që puna e bashkisë është dhe më pak e dukshme se më parë. Gjithë kjo fryrje e panevojshme e administratës ka ardhur si pasojë e punësimit të militantëve.

Shoqatat mjedisore të pranishme në takim e informuan kandidatin mbi çështjet mjedisore që ato shikojnë si më të rëndësishme, si: menaxhimi i mbetjeve, edukimi mjedisor, transporti i qëndrueshëm etj.

Mentor Kikia, përfaqësuesi i Forumit të Mendimit të Lirë, përcolli në takim përvojën e tij me punën e bashkive në menaxhimin e mbetjeve. Sipas tij, ka shumë interesim nga qytetarët për pastrimin dhe riciklimin e mbetjeve në qytete, por ka apati nga bashkitë. Ndërkohë që kompanitë e riciklimit kërkojnë lëndë të parë në Itali, mbetjet në Shqipëri mbeten pa u shfrytëzuar. Kompanitë e riciklimit janë të gatshme të mbështesin bashkitë.

Bashkia e Tiranës tashmë do të përfshijë dhe shumë ish-komuna përreth, kështu që në vëmendjen e kryetarit të bashkisë do të duhet të jetë dhe menaxhimi i mbetjeve urbane të ish-komunave.

Sipas Bojaxhiut, një zgjidhje e përkohshme për problemin e mbetjeve në fshatra, të cilat aktualisht hidhen luginave të përrenjve, mund të jetë hapja e gropave të mëdha me fadroma, të cilat do të shërbenin si vendgrumbullime të përkohshme.

Përfaqësuesi i “Ekovolis”-it, Ened Mato, sugjeroi për kryetarët e ardhshëm të bashkive që të kenë një politikë dekurajuese ndaj përdorimit të automjeteve, duke lënë si shtyllë të transportit urban transportin publik dhe atë me biçikleta. Për të arritur ndryshimin e mendësisë në këtë drejtim bashkitë mund të mbështeten më shumë tek organizimet komunitare, tek qytetarët me influencë në lagje.

Endri Haxhiraj, drejtor i Institutit të Politikave Mjedisore, ngriti në takim problemin e parkimit në Tiranë. Sipas Bojaxhiut, ideja e dhënies me koncension të parkimeve në qytet, nuk është në thelb e gabuar, por duhet shoqëruar me masën që banorët e lagjeve ta kenë të garantuar parkimin për automjetet e tyre në lagje. Sipas Xhemal Matos, drejtor ekzekutiv i “Ekolëvizje”-s, në Tiranë mund të aplikohet taksa e hyrjes për automjetet që vijnë nga rrethet.

Në qytete si Londra, aplikimi i kësaj takse ka sjellë praktikën e parkimit të automjeteve në rrethinat e Londrës dhe rritjen e përdorimit të transportit publik nga udhëtarët e huaj, duke pakësuar ndotjen.

Ermelinda Mahmutaj, përfaqësuese e Qendrës “Eden”, vërejti se bashkitë duhet t’i përkushtohen më shumë edukimit mjedisor të banorëve.

Valbona Mazreku, përfaqësuese e Milieukontakt-Albania sugjeroi që bashkia të investojë më shumë në eficencën e energjisë dhe gjelbërimin e shkollave. Kurse Arjon Sauku rekomandoi hapësirat publike mes pallateve si hapësira me potencial për t’u gjelbëruar.

Rita Strakosha, koordinatore e  Ekolëvizjes, sugjeroi që hapësirat publike të zëna pa leje nga lokalet, me pllaka e beton, të mbillen nga bashkia me pemë. Gjatë fushatës së prishjes së ndërtimeve pa leje, lokaleve iu prishën muret, por hapësirat e gjelbërta të zëna nuk u restauruan. Rikthimi në lulishte i këtyre hapësirave mund të mos jetë me interes për shkak të problemeve sociale që do të sillte, por mbjellja e tyre me pemë nuk do të prekte negativisht punën e lokaleve, njëkohësisht do të gjelbëronte hapësirat.

Takimi u mbështet nga REC-Albania, në kuadër të programit SENiOR-A, financuar nga qeveria suedeze.

Postime të ngjashme

EUAR- veprim dhe reflektim për të njohur mjedisin
Ndryshimi i klimës mund të çojë në probleme të frymëmarrjes, rinitit alergjik dhe kollë kronike
Ndotja e ajrit po shkakton depresion, thotë një studim i ri
Koplik/ Mbetje të rrezikshme spitalore, mbuloheshin me dhe
Gati 50 milionë profesionistë shëndetësorë bëjnë thirrje për ajër të pastër për një shëndet më të mirë
Pesticidet po rrezikojnë bimët e kafshët
Mbetjet mjekësore: ana e errët e kujdesit shëndetësor
Për herë të parë në video bimët që “flasin” me njëra-tjetrën