Blertina Koka / Shëndet+
Braktisja e foshnjave të sapoardhur në jetë vijon të mbetet një plagë sociale. Lindja e tyre jashtë martese, frika për të përballuar opinionin shoqëruar dhe pamundësia ekonomike detyrojnë shumë nëna që të braktisin foshnjat e tyre.
Me këto probleme shoqërohen shpesh vajza të reja në zonën bregdetare të Durrësit, të cilat largohen nga materniteti me të lindur fëmijët. Për të shmangur “krime” të tilla drejtuesit e spitalit të Durrësit kanë vendosur të instalojnë kamera sigurie në maternitet.
Mjekë të këtij materniteti bëjnë me dije se nuk janë të pakta rastet që nënat pak orë pas lindjes kanë ikur e nuk janë identifikuar, ndërsa në rastet kur policia i ka identifikuar, ato nuk janë kthyer të marrin fëmijët që braktisën.
“Për çdo lloj arsyeje apo rrethane nuk duhet braktisur fëmija, që është dhuratë nga Zoti. Fëmija duhet të rritet si të gjithë fëmijët e botës. Çdo fëmijë i porsalindur duhet të ndjejë nënën biologjike. Prindërit që braktisin fëmijët duhet të vihen para përgjegjësisë ligjore. Rastet ekzistojnë, ne themi që raste të tilla në shoqërinë tonë nuk duhet të ndodhin”, shprehet mjeku pediatër në maternitetin e Durrësit, Fatmir Shahini.


