Kryefaqja Shendeti a-z B Bulimia, sëmundja e perfeksionit që po ”vret” të rinjtë

Bulimia, sëmundja e perfeksionit që po ”vret” të rinjtë

0
Shpërndaje

Bisedoi: Elona Tereziu

Të “ushqyer” me perfeksion e marketingut për një trup me përmasat e ‘montazhit’, shumë njerëz, kryesisht të rinj e adoleshentë, i drejtohen dietave, çajrave  apo laksativëve të ndryshëm, me qëllim dobësimin për një trup shëmbëlltyrë e një skeme të gabuar, ngritur mbi mendjen e tyre. Në fakt janë persona që e ‘duan’ ushqimin dhe nuk arrijnë ta kontrollojnë të ngrënit duke marrë deri në 2000 kalori për një vakt.  Të frikësuar nga mbipesha stimulojnë të vjellat duke shkatërruar të gjithë homeostazën e organizmit.

Mjeku psikiatër Pasho Maksuti flet në mënyrë të detajuar mbi buliminë dhe pasojat e saj në organizëm. Duke u konsideruar si një çrregullim psikologjik, ai nuk përjashton dhe rrezikun për vetëvrasje, ndërkohë që rëndit një sërë çrregullimesh në organizëm, duke nisur që nga dëmtimi i harkut dentar, problemet e stomakut, gjer në impotencë seksuale.

Çfarë është bulimia?

Bulimia është një çrregullim psikologjik i të ngrënit. Manifestohet me marrjen e sasive të mëdha të ushqimeve (më të mëdha se sa mund të marrin personat e tjerë në situate të ngjashme) dhe nxjerrjen e menjëhershme të këtyre ushqimeve përmes metodave të ndryshme. Si metoda mund të përmendim provokimin e të vjellave, apo laksativët të cilët shkaktojnë diarre. Zakonisht personat bulimikë kanë një dëshirë të shtuar për të ngrënë, kryesisht ushqime me vlera të larta kalorike, siç janë ëmbëlsirat (për dallim nga anoreksia ku pacientët nuk e pëlqejnë ushqimin). Mund të marrin deri 2000 kalori gjatë një ngrënie. Të ngrënit nuk është një përgjigje ndaj urisë, por personat me bulimi nervore mendojnë për ushqimin në mënyrë të vazhdueshme dhe janë persona të cilët nuk mund të kontrollojnë impulse dhe dëshirat e tyre për të ngrënë. Më pas ndihen me faj dhe të frikësuar nga mbipesha dhe stimulojnë të vjellat apo diarrenë. Këta persona zakonisht ndërtojnë një skemë të gabuar në mendjen e tyre për një trup të deformur dhe kjo i bën të ndjehen në faj dhe të pakënaqur.

Kur një person mund të quhet bulimik?

Kur të ushqyerit është i papërmbajtur, i shpeshtë, si qëllim me vete dhe pasohet nga largim i ushqimit përmes metodave të ndryshme. Një person i cili merr sasi të mëdha ushqimi kalorik në mënyrë të vullnetshme e të përsëritur gjatë tre muajve të fundit  dhe pa mundur të ndalojë marrjen e ushqimit dhe më pas largon ushqimin përmes të vjellave ose përdor laksativë, substanca apo çajra të ndryshëm. Në këto raste kemi të bëjmë me buliminë.

Në cilën moshë e hasim më tepër një çrregullim të tillë?

Bulimia prek kryesisht moshat e reja, por nuk mund të përjashtojmë edhe personat e rritur, pasi është një çrregullim ku ndikon shumë faktori social, mjetet e komunikimit dhe profesioni i personit, për shembull personat publikë (një aktor, model, këngëtar etj) mund të jenë personat më të predispozuar për t’u prekur nga një çrregullim i tillë.  Prek më tepër femrat se meshkujt, dhe shpesh herë është e shoqëruar edhe me simptoma të ndonjë çrregullimi psikiatrik, si depresioni dhe çrregullimet e ankthit, përdorimi i drogave apo alkoolit. Por  mund të vërehen pasoja të tjera nga bulimia, të cilat shpesh janë të parat që bien në sy për të kërkuar ndihmë mjekësore.

A janë të njohura shkaqet e bulimisë?

Shkaqet apo faktorët që e çojnë një person drejt bulimisë nuk janë fort të mirëpërcaktuar, por është një çrregullim që ka lidhje të drejtëpërdrejtë me temperamentin individual. Janë personat me vetëbesim të ulët, të cilët kanë krijuar një skemë të gabuar në trurin e tyre mbi pamjen që nga fëmijëria. Në moshën e adoleshencës, kur njeriu fillon e krijon një lloj vetëpëlqimi, tek këta përsona fillon e dallohet një vetëvlerësim i ulët për pamjen, ndikuar kjo dhe nga shoqëria, mjedisi, puna që bëjnë. Faktori gjenetik luan një rol të rëndësishëm gjithashtu. Studimet e kryera mes çifteve të binjakëve kanë vënë re se ky fenomen ndodh më shpesh tek binjakët monozigotë se tek ato bizigotë.

Përse personat bulimikë nuk e pranojnë problemin e tyre dhe përpiqen ta fshehin?

Personat bulimikë janë të vetëdijshëm për atë që bëjnë. E kuptojnë që bëjnë një veprim që nga të tjerët është i gjykueshëm. Ata mund të hanë çdo dy orë dhe vazhdimisht provokojnë nxjerrjen e ushqimit. Ata ndiejnë nevojën për ta maskuar këtë veprim, ndaj e bëjnë fshehurazi vazhdimisht. Nëse një person është afër personit bulimik, ky i fundit mundet që mos të marrë ushqimin, pra mund ta kontrollojë marrjen e ushqimit.

Meqënëse prek më tepër adoleshentët, si mund ta kuptojë një prind që ka diçka që nuk shkon me fëmijën e tyre?

Zakonisht prindërit janë të parët ata që e kuptojnë, por dhe të parët që duhen sqaruar. Ne si mjekë gjatë trajtimit të këtyre pacientëve aplikojmë seanca  psikoterapeutike këshilluese të kombinuara (ndaj prindërve dhe fëmijës bulimikë), për shkak se është një problem ku prindërit luajnë një rol të rëndësishëm influencues. Ne i këshillojmë vazhdimisht prindërit që kjo është një moshë ku fëmijët dinë ta keqëshohin veten e tyre para pasqyrës, ndaj nuk duhet t’iu bëjmë vërejtje vend e pavend lidhur me pamjen e trupit të tyre.

Si bëhet trajtimi i këtyre personave?

Trajtimet kryesisht janë trajtime psikoterapeutike dhe medikamentoze me antidepresivë. Këta persona merren me një numër specialistësh që nga psikologu, dietologu, endokrinologu, gastrohepatologu, stomatologu etj. Në rast se shoqërohet me probleme depresive, kërkohet edhe ndihma e psikiatrit. Trajtimet me medikamente janë të fundit por jo të parëndësishme. Shpesh është e nevojshme që në fillim të përdorim medikamente antidepresive të grupit të bllokuesve selektivë të serotoninës (SSRI).

A mund ta kalojë dikush buliminë pa kërkuar ndihmë mjekësore?

Atëherë do të vihej në pikëpyetje a ishte apo nuk ishte bulimi, sepse jo çdo tentativë, jo çdo dietë apo kufizim ushqimor ka të bëjë me çrregullim. Një person i cili thotë se ishte me bulimi dhe e tejkaloi vetë, nuk ka berë gjë tjetër veçse është vetëdiagnostikuar. Ai mund të ketë patur probleme të mbipeshës, por jo bulimi. Jo çdo tentativë dietetike është bulimi se ashtu do të kishim raste pafund. Kur prishet funksionimi i personit në punë, shoqëri e familje, kur dëmtohet shëndeti nga problemet u këtij çrregullimi, flasim për sëmundje.

Sa kohë mund t’i duhet një personi bulimik për ta rimarrë veten?

Për ta rimarrë veten është një procedurë e gjatë dhe jo e thjeshtë. Sikurse e përmenda më lart, personi shpeshherë duhet të kalojë në “duart” e disa specialistëve me radhë. Ndonjëherë trajtimi zgjat edhe me vite, si trajtimi psikoterapeutik edhe ai medikamentoz, por përgjithësisht llogaritet se mund të tejkalohet, pra është i rikuperueshëm. Ka raste që mund të përfundojnë me dëmtime të rënda sidomos të dhëmbëve apo harkut të dhëmbëve nga aciditeti i stomakut gjatë të vjellave. Egziston edhe rreziku për vetëvrasje.

Sa shpesh i hasni këto raste në punën tuaj?

Nuk mund të them se janë të shpeshta, por as të pakta nuk janë. Mund të them që janë raste që vijnë, kërkojnë trajtim ambulator dhe më rrallë spitalor. Përgjithësisht trajtohen nga psikiatrit dhe psikologët klinik në mënyrë ambulatore dhe nuk shtrohen në spital. Ndërsa trajtimi medikamentoz është më i rrallë dhe më shpesh kërkohet kur bulimia shoqërohet me depresion, çrregullim ankthi apo abuzim me substanca.

Si mund të kalojë bulimia në anoreksi?

Këto janë dy nozologji të cilat shpesh duken të ngjashme. Një person anorektik nuk merr ushqime ose merr në sasi të vogla, pasi ka skemën në mendjen e tij mbi paraqitjen (lukun) e jashtme se është i shëndoshë, prandaj nuk merr ushqim. Edhe nëse mund te jenë shumë të dobësuar, këta persona sërish nuk marrin ushqim, pasi janë të bindur se janë “të mbishëndoshur”. Nëse një person bie shumë në peshë dhe përsëri vazhdon me të vjella, atëherë anoreksia duhet trajtuar brenda spitalit shpesh duke përdorur sonda nazogastrike për ta ushqyer. Këtij personi edhe pse ka humbur shumë në peshë i duket vetja i shëndoshë. Herë herë një person anorektik mund të kalojë periudha bulimie. Dhe kjo është një formë tjetër e bulimisë që alternohet me anoreksi.

Cilat janë pasojat e bulimisë në organizëm?

Një person i cili merr ushqime 7-8 herë në ditë dhe po aq herë e vjellë, nuk mund ta imagjinoni se çfarë balance elektrolitik shkaktohet tek ky person. Ai dëmton gjithë homeostazën e organizmit. Humbet vitaminat, kaliumin e kalciumin. Dëmtohet bilanci i kripërave dhe aciditeti në stomak. Si pasojë e humbjes së kalciumit fillojnë dhe problemet me dhëmbët pastaj, ndërkohë që në një stad shumë më të avancuar, tek anorektikët mund të shkaktohet edhe osteoporoza. Pra, mund të vërejmë dëmtime të dhëmbëve dhe harkut dentar nga aciditeti i stomakut gjatë të vjellave, gastrit, ulcerë të stomakut, dëmtime të ezofagut dhe mukozës së gojës, çrregullime të ritmit të zemrës, çrregullime elektrolitike me hipokalemi, çrregullime të menstruacioneve, impotencë seksuale, etj. Në këto raste kërkohet trajtim më specifik.

Një këshillë?

Do i këshilloja të gjithë ata persona që kanë probleme me mbipeshën të marrin instruksione të veçanta vetëm nga profesionistë që merren me dietat ushqimore. Nuk duhet ta zgjidhin këtë gjë me fjalët “kam lexuar” apo “di unë” . Personat mbipeshë duhet të balancojnë marrjen e kalorive me aktivitetin fizik, dhe jo kufizimin e ushqimit duke përdorur metoda drastike dietetike. Nëse një person merr ushqime kalorike dhe tenton ta largojë përmes të vjellave, dëmton shëndetin në tërësi dhe disa organe në veçanti, por nuk humbin në peshë. Gjithashtu sa më shumë ecje në natyrë, përdorni biçikletat dhe ushtrohuni fizikisht, hiqni dorë nga dietat e rënda, por balanconi kaloritë me aktivitetin fizik. Është e rëndësishme të krijohet kultura e të ushqyerit shëndetshëm. Këto duhet të jenë pjesë e edukatës brenda familjes./ Shendeti.com.al

 

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here