Është sëmundja më e shpeshtë që haset dhe që shkakton paaftësi për punë dhe aktivitete të tjera.
Mund të prekë të gjitha kyçet, por përgjithësisht pjesa që preket më shumë janë duart, gjunjët, ijet dhe gishti i madh i këmbës.
Karakterizohet nga dëmtimi i strukturave që formojnë artikulacionin, si: kartilagos (që vesh kockat e artikulacionit), kockat që formojnë artikulacionin, tendinat dhe ligamentet që ruajnë qëndrueshmërinë në lëvizje.
Dëmtimet e kyçeve nga osteoartriti janë të pakthyeshme dhe shpeshherë për kyçe të mëdha si gjunjët dhe ijet, kur janë shumë të dëmtuara, e vetmja mundësi është zëvendësimi i tyre me proteza të gatshme.
Tipet e sëmundjes variojnë shumë nga njëri pacient te tjetri dhe shpeshherë është vështirë të dallohet nga sëmundje të tjera të reumatizmës, si artriti reumatoid, por edhe nga sëmundje të tjera që japin dhimbje të kyçeve dhe kockave.


