CEO i Pfizer: Për shkak të varianteve të reja të COVID, mund të nevojitet doza e katërt e vaksinës

Një dozë e katërt e vaksinave kundër COVID mund të jetë “e nevojshme” për të mbrojtur popullsinë nga COVID-19, tha të dielën CEO i Pfizer Inc., Albert Bourla, duke u bërë kështu pjesë e debatit të zyrtarëve të shëndetit publik lidhur me faktin nëse shfaqja e varianteve të reja të COVID-it do të bënte të nevojshme marrjen e një doze të dytë përforcuese për të gjithë ne.

“Para së gjithash, ne përpiqemi me shumë vendosmëri që të jemi gjithmonë një hap përpara virusit, sepse po shfaqen shumë variante të reja. Omicron ishte vetëm varianti i parë që mund t’i shmangej imunitetit të fituar nga vaksinat,” tha Bourla për CBS të dielën, duke shtuar se megjithëse doza e tretë e një vaksine kundër COVID-19 është “mjaft e mirë për parandalimin e shtrimeve në spital dhe të humbjeve të jetëve, ajo nuk është edhe aq efektive për mbrojtjen ndaj infektimit”.

Në janar, Dr. Anthony Fauci, këshilltari kryesor i mjekësisë për administratën e presidentit Biden, tha se fillimisht do t’i duhej “të shihte se cili është rezultati i dozës së tretë”, përpara se të vendoste nëse do të nevojitej një dozë e katërt për masën e gjerë të popullsisë në SHBA. Udhëzimet federale të SHBA-së e lejojnë tashmë aplikimin e një doze të katërt për individët me imunitet të komprometuar.

Të dhënat nga Qendrat e SHBA për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) tregojnë se megjithëse doza e tretë e një vaksine kundër COVID-19 ndihmon në parandalimin e shtrimeve në spital për shkak të variantit Omicron, mbrojtja e fituar nga doza e tretë mund të fillojë të zbehet pas vetëm katër muajsh.

Zyrtarët e shëndetit publik në mbarë botën po shqyrtojnë nevojën për aplikimin e një doze të katërt të vaksinave kundër COVID-19 në një periudhë të mëvonshme gjatë këtij viti, për të forcuar imunitetin në rënie nga vaksinat ekzistuese dhe për të siguruar mbrojtje më të mirë nga variantet e reja të virusit. Të premten, Bourla tha se Pfizer po përgatiste disa të dhëna për Administratën e Ushqimit dhe të Barnave të SHBA-së në lidhje me mundësinë e aplikimit të një doze të katërt, megjithëse ai theksoi se kjo agjenci “duhet të dalë në konkluzionet e veta”.

Sigurimi i një doze të katërt mund të përbëjë një sfidë logjistike për SHBA-në, e cila po has në vështirësi edhe për sa i përket ofrimit të një doze të tretë për popullsinë e saj. Vetëm 29.1% e njerëzve në SHBA janë vaksinuar me dozën e tretë.

Vaksina e COVID nga Pfizer ka bërë që prodhuesi i barnave të sigurojë një sasi të madhe të ardhurash. Vetëm nga shitja e vaksinave kundër COVID, Pfizer regjistroi pothuajse 37 miliardë dollarë të ardhura vitin e kaluar (nga gjithsej 81.3 miliardë dollarë). Kompania pret të sigurojë 32 miliardë dollarë të ardhura shtesë nga shitjet e vaksinave kundër COVID këtë vit, krahas 22 miliardë dollarëve që do të vijnë nga shitjet e pilulës kundër COVID, Paxlovid.

Megjithatë, Bourla thotë se Pfizer po i zhvillon këto vaksina për ta rikthyer shoqërinë “në mënyrën si jetonim dikur” dhe thotë se prodhuesi i barnave po punon për të zhvilluar vaksina që mund të mbrojnë kundër të gjitha varianteve të COVID dhe që ofrojnë mbrojtje për të paktën një vit.

Javën e kaluar, në një intervistë me CNBC, Bourla tha, “Ne nuk mund të bëjmë vaksina çdo pesë apo gjashtë muaj.”/ Fortune

Postime të ngjashme

"Babai im vdiq nga melanoma", Analisti: Nga diagnoza e gabuar te trajtimi që i kushtoi jetën
Shqipëria, ndër vendet e Europës që ka më pak shtretër në spitale, pavarësisht popullsisë në rënie
Për herë të parë, turistëve të huaj u vihet tarifë për shërbimet shëndetësore
Reduktim i mjekëve në qendra shëndetësore dhe spitale, reagon Ministria e Shëndetësisë
Vrau 15 pacientë, mjeku dënohet me burgim të përjetshëm! Dëshmia: Mendova se ishte më e mira për ta
Kur një nënë e kuptoi menjëherë se vajza e saj ishte dhunuar, pse nuk u aktivizuan mekanizmat e sistemit shëndetësor?
Raporti i OBSH-së: Rastet e kancerit pritet të rriten ndjeshëm në mbarë botën
E sëmura me kancer në protestë: Jep para për koncert dhe nuk rimburson ilaçet tona