Çfarë është Sistemi Renin-Angiotensine?

Nga Alket Koroshi, mjek nefrolog

Renina është një enzime që formohet dhe sekretohet prej qelizave granulare, që ndodhen në paretin e arterioleve aferente, pranë futjes në glomerulë . Këto qeliza janë pjesë e aparatit jukstaglomerular . Renina është enzime që duke vepruar mbi angitensinogjenin, që është një proteinë qarkulluese që formohet kryesisht në melçi, çon në formimin e angiotensines I. Kjo e fundit është një dekapeptid, i cili nën veprimin e enzimës konvertuese(angiotensin-converting-enzime) kthehet në formën e saj biologjikisht aktive që është angiotensina II. Renina katalizon një shkallë të përcaktuar të angiotensinës II, prandaj mbi bazën e nivelit plazmatik të reninës përcaktohet përqendrimi i angiotensinës II në plazmë. Ekzistojnë tre mekanizma kryesore që kontrollojnë çlirimin e reninës

Mekanizmi i macula densa : termi ”macula densa” i referohet një grupi qelizash epiteliale specifike që ndodhen në paretin e pjesës së trashë të degës ngjitëse të ansës Henle e cila është në kontakt me glomerulin respektiv. Në këtë vend përqendrimi i NaCl është ndërmjet 30 dhe 40 mEq/l dhe ndryshon në vartësi direkte të shkallës së fluksit të lëngut tubular (psh rritet kur fluksi është i lartë dhe pakësohet kur fluksi është i ulët). Pra pakësimi i përqendrimit të NaCl në macula densa nxit fuqishëm sekretimin e reninës, ndërsa rritja bën të kundërtën. Fluksi i lartë i lëngut urinar është në rastet kur në organizëm kemi Na me teprice, ndërsa është i ulët kur kemi pakësim të Na. Rregullimi i volumeve të lëngjeve trupore bëhet në vartësi të shkallës se fluksit të lëngjeve në nivelin e macula densa(gjendje kjo që shpreh përmbajtjen e Na në organizëm).

Mekanizmi baroreceptor: Sekretimi i reninës nxitet gjithashtu nga rënia e presionit arterial, që në të vërtete mendohet se ndërmjetësohet nga një ”baroreceptor”i vendosur në paretin e arteriolës aferente, i cili reagon ndaj presionit, tendosjes, ose stresit.

Nxitja beta-adrenergjike: Rritja e aktivitetit simpatik renal, ose rritja e katekolaminave në gjak nxisin çlirimin e reninës nëpërmjet receptorëve beta-adrenergjik të qelizave granulare të aparatit juksta glomerular.

Angiotesina II ka efekte direkte, ose indirekte në shkaktimin e retencionit të kripës. Ajo rrit reabsorbimin e Na në tubulin proksimal (nëpërmjet nxitjes së shkëmbimit Na/H). Nga ana tjetër duke qenë se është vazopresor i fuqishëm e ul GFR nëpërmjet pakësimit të presionit në kapilarët glomerular dhe të uljes së fluksit plazmatik. Angiotensina II ndikon indirekt në balancën e kripës, nëpërmjet nxitjes së prodhimit dhe të çlirimit të aldosteronit, i cili është një hormon steroid që prodhohet në zonën glomeruloza të gjëndrës suprarenale.

Postime të ngjashme

Siguria në kuzhinë: 6 gabime që duhen shmangur
4 shenja që tregojnë se keni mungesë magnezi
Lëngu i shegës: Pse duhet të jetë në dietën tuaj
Cilat shenja tregojnë mungesë pushimi dhe gjumi?
3 zakone të këqija të përditshme që ju shterojnë energjinë
Si ndikon vaji i ullirit në ngopje dhe kontroll të oreksit
A na hidraton vërtet çaji i ftohtë? Çfarë thonë ekspertët
Gastroenteritet, virozat, diarrea dhe te vjellat e veres!