Kryefaqja Mjeku juaj Çfarë janë proteinat në urinë (albuminuria)?

Çfarë janë proteinat në urinë (albuminuria)?

0
Shpërndaje

Nga Alket Koroshi, mjek nefrolog

Me proteinuri kuptojmë prani në urinë të proteinave mbi sasinë normale të tyre. Në një subjekt normal, nxjerrja me urinë e proteinave nuk e kalon 150 mg në ditë (proteinuria fiziologjike). Proteinuria vihet re në shumicën e sëmundjeve renale por ndonjëherë ajo mund të konstatohet në kondita fiziologjike ose në disa sëmundje jo me origjinë nga veshkat. Proteinuria mund të jetë tre llojesh: proteinuria glomerulare, tubulare, patologjike.

Proteinuria glomerulare: Kjo ndodh nga dëmtimi i përshkueshmërisë së membranës bazale glomerulare. Ka një korelacion ndërmjet tipit të proteinave të pranishme në urinë dhe shkallës së dëmtimit të përshkueshmërisë së paretit kapilar. Për këtë arsye studimi i “selektivitetit” të proteinurisë nëpërmjet përcaktimit të klirensit të proteinave me peshë molekulare të ndryshme e krahasimit të raportit të tyre mund të na japë një ide mbi shkallën e dëmtimit glomerular. Proteinuria selektive karakterizohet nga prania në urinë e fraksioneve proteinike me peshë molekulare të ulët. Kjo ndodh kur në urinë del kryesisht albumin (p.m. 69000) së bashku me fraksione të tjera me peshë molekulare të ulët (p.sh. transferina). Proteinuria selektive dëshmon për lezione glomerulare minimale. Proteinuria jo selektive karakterizohet nga prania në urinë e gjithë fraksioneve proteinike të plazmës. Kjo lloj proteinurie dëshmon për lezione glomerulare të rënda.

Proteinuria tubulare: Dëshmon për qenien e një reabsorbimi tubular të crregulluar ndonëse filtracioni glomerular mund të jetë normal. Karakterizohet nga mungesa në urinë e proteinave me peshë molekulare të larta. Përqindja e albminës është e ulët (nën 20%) e më shumë janë të pranishme mikroglobulinat (beta 2-mikroglobulinat, lisozima etj). Kjo lloj proteinurie vihet re në mënyre tipike kur ka dëmtim tubular (infeksione, sindromi Fanconi, fenomeni i flakjes në transplantet etj).

Proteinuria patologjike: I dedikohet pranisë në plazmë të një sasie proteinash jo normale me peshë molekulare të ulët (nen 40.00) që filtrohen nëpërmjet paretit normal kapilar e ngopin kapacitetin tubular të reabsorbimit. Më e përmendura është proteinuria e Bence—Jones që ndodh në Mielomen Multiplex.

Përvec këtyre ekzistojnë dhe proteinuritë të ashtuquajtura funksionale hasen në kondita të natyrshme fiziologjike e në mungesë të sëmundjeve renale. Kemi të bëjmë përgjithësisht me proteinuri tranzitore të lehta (jo mbi 0,5 gr/d) që shfaqen pas sforcimeve fizike intensive (proteinuria nga sforcimet) ose nga qëndrimi në këmbë për një kohë të gjatë (proteinuria ortostatike). Vec kësaj proteinuria mund te shfaqet gjate gjendjeve febrile e streseve emocionale të forta.

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here