Valbona Bajrami, mjeke nefrologe pranë Spitalit Continental
Përveç trajtimit medikamentoz, çfarë procedurash të tjera mund të kryhen në Spitali Continental për trajtimin e gurëve të aparatit urinar?
Gurët të cilët nuk reagojnë nga terapia medikamentoze dhe dietike ndërkohë që pacientët vazhdojnë të kenë dhimbje të forta i nënshtohen procedurave endoskopike si:
-Ureterolitotripsisë e cila realizohet nga mjekët urologë në spitalin tonë ku me anë të ureteroskopit fleksibël futemi nga uretra dhe arrihet në çdo pikë të veshkës. Kur guri është i identifikuar, ai largohet duke përdorur një shportë të veçantë, nëse është tepër i madh për t’u hequr plotësisht, ai mund të fragmentohet duke përdorur lazer me ultratinguj apo duke përdorur një lithotripter pneumatik.
Gjithashtu, në spitalin tonë funksionon aparati i Litotripsisë (esëll) pra, bëhet e mundur thyerja e gurit me ultratinguj nga jashtë. Me anë të ultratingujve bëhet e mundur thyerja e gurit në copëza të vogla dhe dalja e tyre nga uretra. Ndodh që guri të mos thyhet që në seancën e parë dhe kërkon disa seanca përsëritëse. Kjo varet nga fortësia e gurit.
Së shpejti tek ne do vihet në funksion dhe aparati i nefrolizës perkutane. Nefolitotomia perkutane kryhet nën anestezi të përgjithshme dhe mjeku punkton veshkën me një gjilpërë nëpërmjet lëkurës. Mjeku e bën kanalin punktues mjaftueshëm të madh për të futur nefroskopin. Copëzimi i gurit bëhet me lazer, ultratingull apo një litotripteri pneumatik. Është procedurë e sigurt dhe efektive, sepse guri arrihet drejtpërdrejt përmes lëkurës.
Cilat janë komplikacionet e mundshme nëse këta pacientë nuk trajtohen?
Në rast se në pacientët me kalkulozë renale nuk merren masa për trajtimin e tyre qoftë medikamentoz apo kirurgjikal atëherë shumë shpejt veshka humbet funksionin e saj dhe kjo humbje mbart pasoja të rënda duke i çuar pacientët t’i nënshtrohen hemodializës dhe transplantit renal. Përpos faktit që janë procese tepër të vështira, kanë dhe një kosto ekonomike shumë të lartë.
Çfarë rekomandohet për pacientët me gurë në veshka?
Rënie në peshë dhe aktivitet fizik i vazhdueshëm.
Kontrolle strikte të glicemisë dhe diabetit të sheqerit, pasi mund të ndikojnë në sindromin metabolik dhe formimin e gurëve në veshka.
Shmangie të mbipeshës, sidomos që në moshat e vogla që mund të ndikojë në sindromin metabolik dhe formimin e gurëve.
Ndalimin e duhanit dhe pijeve alkolike.
Personat e riskuar për kalkulozë renale duhet të orientohen drejt dietave hipoproteinemike e hiposodike. Të reduktohet marrja e kripës në jo më shumë se 5-6 gram në ditë (rreth një lugë çaji).
Të orientohen dietetistët për tipet e dietave në shkolla (aty ku shërbehet ushqim). Mesazhe promocionale në media per evitimin e dietave hiperproteinike, hipersodike etj.
Të kufizohen sheqernat e rafinuara.
Të rritet sasia e fibrave në dietë.
Yndyrat duhet të jenë vajra me një lidhje dyfishe (si vaji i ullirit).
Të bëhet një kontroll strikt i presionit arterial.
Një herë në tre muaj personat me kalkuloze të bëjnë ekografi renale.
Çdo tre muaj të bëhet bilanc biokimik.
Çdo muaj të bëhet analiza e urinës dhe pH.
Popullatat e riskuara per kalkuloze renale duhet të nxiten për të pirë lëngje mjaftueshëm në mënyrë që të arrihet eleminimi i 1.5-2 litra urinë/ditë.
A ekziston mundësia që sëmundja të përsëritet pas trajtimit?
Po, sipas studimeve, është vlerësuar që në 50% të pacientëve që kanë gurë në veshka, pas trajtimit të sëmundjes ekziston mundësia e përsëritjes brenda 10 vjetësh./ https://shendeti.com.al/


