“Babai im vdiq nga melanoma”, Analisti: Nga diagnoza e gabuar te trajtimi që i kushtoi jetën

Analisti Indrit Vokshi ka ndarë një rrëfim të gjatë dhe personal për betejën e babait të tij me melanomën, një histori që, sipas tij, u shoqërua me diagnoza të gabuara, trajtime të papërshtatshme dhe mungesë koordinimi në sistemin shëndetësor. Përmes këtij rrëfimi, ai ngre akuza të forta për mënyrën se si u menaxhua rasti i të atit, duke pretenduar se vonesat dhe gabimet në trajtim ndikuan në ecurinë e sëmundjes.

Përtej historisë personale, Vokshi e përdor këtë përvojë për të ngritur pikëpyetje mbi funksionimin e sistemit shëndetësor në Shqipëri, duke kërkuar më shumë përgjegjësi, profesionalizëm dhe investime në shëndetësi. Ai e cilëson situatën alarmante dhe bën thirrje që raste të tilla të mos përsëriten më.

Postimi i plotë:

Baba im vdiq nga një melanoma.

Para nja 2 vjetësh duke folur në telefon më thotë, më ka dalë një tip nishani në fundshpinë. Shko te dermatologu, i them, mos e le pas dore; unë duke pasur merakun se nuk shkon të kontrollohet. Shkoi tek dermatologu në Lezhë. Me siguri të plotë, ai i kishte thënë as mos u shqetëso, ske asgjë hiç, ska asnjë rrezik. I kishte dhënë edhe një krem për ta lyer. Duke folur telefon më thotë u kontrollova, doktori më tha nuk ke asgjë, ta shëron kjo pomada. Hajt shyqyr, i thashë, meqë nuk paske gjë. Kalon një muaj, dy, hyn i treti, më thotë jo që spo më shërohet por sikur është acaruar. Kishte shkuar prapë tek ai doktor dhe ai i kishte thënë ai, tani duhet parë, shko shihe diku. Injoranca në kulm. Qysh në fillim mund t’i shkruante në recete të bënte dermaskopi, a çfarë bëhet. E la 3 muaj duke e kuruar me pomadë. E çova te Hygea te një mik i yni, më tha duhet operuar i duhet rënë mbrapa sepse është me rrezik. I bëj një PET Scan, ai më thanë është skaneri më i mirë. U operua. Biopsia doli keq, në 3 muaj kishte shkuar shumë larg, me infiktrim vaskular. Për hajvanllikun e një doktori që i jep krem anti-myk. Terapia e cila merrej për melanomë, na paska rregullin që jepet vetëm kur është metastadike e faktuar. Nëse ka mikrometastaza të cilat nuk i kap PET apo CT, këta nuk dashkan tia dinë. Bashkëpunimi dhe ekipi multidisiplinar mes mjekëve këtu, është zero. Skandal më vete. Brenda një viti i bën recidiv, përsëritje në të njejtin vend, shumë më agresive. Përsëri PET Scan. Doli më keq. I bëj testin genetik në Turqi për t’i përcaktuar çfarë lloj terapie i jepet. Ua jap testin. Nuk dinë të lexojnë testin, në vend që t’i japin pembrolizumab i cili jepet kur ska BRAF V600, i japin target dabrafenib, ilaç i cili jepet kur ka mutacion BRAF. Plot 2 muaj e 20 ditë ilaçet gabim. E zbulova vetë duke hetuar nga kureshtja dhe dyshimi, pasi ata mund të vazhdonin gabim. Nja 3 muaj mjekim gabim. Gati 3 muaj të tjerë pa mbulim me ilaç një sëmundje aq agresive. Aq duhet, gjëja kishte shkuar shumë larg. Protokollet e çuditshme dhe hajvane të mjeksisë shqiptae, ishin se kur nis terapinë nuk t’i bëkan pacientit fotografi me CT, MRI, kokë-trup për ta pasur si “baseline” për të ndjekur si po shkon terapia. Prekjen e kokës e morëm vesh vetëm tani me 11 qershor, pasi dha defiçit në dorë. Sapo nisëm përgatitjet për ta çuar jashtë në Itali, u rëndua keq. E tha mjeku italian një ndër më të mirët në Europë ndoshta, se tashmë ishim shumë vonë.

Ndoshta njëlloj do të shkonte puna edhe po të ndiqeshin të gjitha hapat në rregull, sdua të abuzoj me ketë pjesë pasi ajo quhet sëmundje e rrezikshme. Pyetja është pse këto gabime? Pse kjo inkompetencë? Pse ky çrregullim e ky kaos?

Ne shkojmë tek mjekët duke pasur besim se ata dinë diçka më shumë se ne, dinë disa të fshehta, disa dinamika, dinë se si shkojnë punët sepse kanë përvojë dhe, mos paçin përvojë kanë udhëzimet dhe na udhëzojnë drejt, aty ku duhet. Nuk duhet të mbetet në dorën time apo të cilitdo të korigjojmë mjekët, duke pyetur nëpër mjekë të tjerë, ose duke u futur në internet duke lexuar botime e protokolle të qendrave mjeksore në BE e ShBA, për të shkuar e për të kërkuar çfarë duhet bërë. Ai duhet të jetë proces fund e krye i mjekëve.

Nuk e kam as prej mërzisë as prej lëndimit, as prej ndonjë shfryerjeje inati, vetëm di të them se këtu është skëterrë dhe faqja e zezë. Nis prej me disa shoferë të ambulancave të cilët nisen 5 minuta vonë sepse rrinë në kafet rreth e rrotull, pa kuptuar se ai 5 minutëshi është vendimtar; prej tek mjekët e rretheve gjysma e të cilëve rrinë pijshëm dhe e kanë zyrën e mjekut si dyqan privat, përfundon pastaj tek më të mëdhenjt në institucione qëndrore të cilëve iu duket vetja sikur kanë ndonjë post, sikur kanë pushtet. Iu duket pushtet jeta e tjetrit, një lloj perversioni, mendim i fshehur pervers se tjetri ka nevojë për mua dhe unë po kënaq egon e frustrimin se smë ka pyetur askush për asgjë në jetë. Etika zero. Pa llogaritur paditurinë dhe papërgjegjësinë.

Unë njoh mjekë të përgjegjshëm të cilët e vlerësojnë shumë rolin e tyre, e kanë kuptuar drejt çfarë dmth mjek. Ndaj dua të jem i kujdesshëm të mos i përfshij të gjithë. Veçse këta janë pakica. Përjashtimi i cili përforcon rregullin. Kjo është fatkeqësia e këtij vendi dhe e këtij kombi. E që të mos harrojmë: Si ka mundësi me 8 miliard euro buxhet, ky shtet ska pajisjet më të mira, pajisje të cilat i kanë spitalet private? Si ka mundësi nuk punojnë pajisjet, del se x pajisje nuk ekziston, y pajisje është prishur; del se 1/3 e muajit nuk u bëkan analiza? Ku shkojmë ne me ketë model? Si ka mundësi i zë gjumi këta?

Dhe dalin pa pikë fytyre, thonë kemi bërë investime dhe kemi përmirësime! Ku janë investimet? Praktikisht nuk ka mjeksi institucionale, ka manaxhim të vdekjes. Kjo është e vërteta e hidhur.

Ketë çështje, kismet Zotit, kam për ta pasur një çështje shumë politike personale; personale sepse më ra taksirati ta shoh e ta përjetoj vetë. Kjo mafie e lekut dhe e injorancës, meriton të shkatërrohet. Nëse është nevoja edhe 50% të buxhetit duhen çuar për shëndetësi, arsim, rend e siguri; sepse këto janë tagrat e shtetit, ska të tjera. Nëse paratë nuk shkojnë në këta tri sektorë, ku meritojnë të shkojnë?

Sa keq që popullsia masivisht spo e kupton se këtu po ndërtohet Sodoma e Gomorra e përshkruar në libra të shenjtë. Bash kjo është, kështu ndodh, se ska si vjen me daulle e klarinetë, kështu vjen; injorancë, mungesë përgjegjësie, mungesë dashurie për qenien njerëzore, lakmi dhe eksitim me shifra lekësh, vanitet, qejf me para të vjedhura, kjo është.

E kjo nuk zgjidhet me profet, se profetë nuk vijnë më. Kjo zgjidhet me 100 djem e vajza të cilët jo që nuk impresionohen prej tyre dhe prej stilit të tyre të jetesës por, përkundrazi, i përçmojnë dhe iu thonë se ju jeni askushi për të marrë në qafë një vend e një komb të tërë.

Postime të ngjashme

Shqipëria, ndër vendet e Europës që ka më pak shtretër në spitale, pavarësisht popullsisë në rënie
Për herë të parë, turistëve të huaj u vihet tarifë për shërbimet shëndetësore
Reduktim i mjekëve në qendra shëndetësore dhe spitale, reagon Ministria e Shëndetësisë
Vrau 15 pacientë, mjeku dënohet me burgim të përjetshëm! Dëshmia: Mendova se ishte më e mira për ta
Kur një nënë e kuptoi menjëherë se vajza e saj ishte dhunuar, pse nuk u aktivizuan mekanizmat e sistemit shëndetësor?
Raporti i OBSH-së: Rastet e kancerit pritet të rriten ndjeshëm në mbarë botën
E sëmura me kancer në protestë: Jep para për koncert dhe nuk rimburson ilaçet tona
“Mos e nënvlerësoni” – Mjeku: Kujdes nga infeksioni i Impetigos, ja shenjat dhe mënyrat e trajtimit