“Check-up” apo “catch up”?

Denisa Canameti, gazeta “Shëndet+”

“Check-up”-i apo kontrolli falas për grupmoshën 40-65 vjeç është nisma më e madhe e ndërmarrë nga Ministria e Shëndetësisë dhe projekti i dytë më i madh në vend pas Rrugës së Kombit për nga kostoja. Ky kontroll u konsiderua nga ministri Ilir Beqaj si hap i madh që shënoi edhe fillimin e një epoke të re për shëndetësinë. Kjo sepse në përfundim të tij do të sigurohej një bazë e konsiderueshme të dhënash për shëndetin e popullatës e të çdo individi që më tutje mund të ketë nevojë për kujdes mjekësor.

Beqaj me bicikleteKriteri moshë ngriti shumë pikëpyetje (në këtë moshë tashmë sëmundjet janë instaluar. Çfarë do të dalë në dritë?!) Por ministri tha: “Programi i Kontrollit Pa Pagesë është deklaruar që në Programin e Qeverisë, që përfshin grupmoshën 40-65 vjeç, kur provohet shkencërisht që është një moshë që shfaqen sëmundje të ndryshme, në mënyrë që t’i diagnostikojmë në stad sa më të hershëm, që pastaj të kemi më pak kosto për shëndetin, për ekonominë, për familjen, kosto sociale”.

Kjo fushatë iu drejtua shtetasve me qëndrim të përhershëm në Republikën e Shqipërisë, të identifikuar nga të dhënat e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe të regjistrit elektronik që administrohet nga mjekët e përgjithshëm të qendrave shëndetësore.

Dilema e radhës ishte: A kanë qendrat tona shëndetësore regjistër elektronik?

Në investigimet e gazetës “Shëndet+” rezultoi që jo. Jo vetëm që në qendra shëndetësore nuk ka regjistër elektronik, jo vetëm që ka mangësi në drejtim të grumbullimit dhe menaxhimit të të dhënave të pacientëve, por ka qendra që nuk kanë as edhe një kompjuter të vetëm.

Por, a kishim ne qendra shëndetësore mikpritëse për këtë projekt, veç mungesës së teknologjisë së “luksit”? Projekti dukej “prerje” e madhe, e vështirë të implementohej.

Një vëzhgim i kryer me mbështetjen e USAID-it në 550 qendra shëndetësore në të gjithë vendin, gjendja dukej jo fort shpresëdhënëse. Të dhënat e paraqitura prej tyre raportonin se “15.32% e qendrave shëndetësore në Shqipëri rezultojnë të mbyllura përkohësisht ose nuk punojnë për arsye të ndryshme. Shërbimi laboratorik mungon në 86% të qendrave shëndetësore në vend, si dhe në 38% të rasteve mungojnë mjekët specialistë”.

Megjithatë, edhe përballë të dhënave të tilla, ministri i Shëndetësisë u përgjigj: “Sot, në shërbimin e kujdesit shëndetësor parësor po ndodh një revolucion (!!!). Në çdo qendër shëndetësore në Shqipëri sot ofrohet mjekësi”.

Ndërsa për pyetjen se përse check up-i nuk bëhet në Europë, Beqaj tha: “Sepse Europa nuk ka këtë shkallë pa mbulim të kujdesit shëndetësor” (domethënë ne nuk kemi mbulim të kujdesit shëndetësor).

Përballë një bindjeje të tillë ministri i Shëndetësisë mori biçikletën dhe vendosi ta bënte vetë maratonomakun e fushatës.

Pas nisjes së punës, problemet filluan të reflektoheshin. Në prezantimin e saj ishte paralajmëruar se “nëse jeni në moshën 40-65 vjeç, ju do të merrni njoftimin dhe disa udhëzime me postë ose telefon nga Mjeku i Familjes, lidhur me paraqitjen, për të kryer kontrollin një herë në vit, në një afat kohor të caktuar (2-3 ditë) brenda muajit të lindjes”.

A u lajmëruan? “Unë kam katër muaj që e kam kaluar datën e “check-up-it”, por askush nuk është kujtuar për mua. Ndoshta, të dhënat e mia të këtij check-up-i janë pjesë e studimit të paraqitur!? O tempora, o more!” Ishte ky komenti i mjekut infeksionist Tritan Kalo për të shpjeguar që i jep përgjigje pyetjes.

Nga ana tjetër, mjekët kardiologë mohojnë se mjeku i familjes është në gjendje të bëjë leximin e një ekoje kardiake (ekzaminim i përfshirë në paketë).

“Është kardiologu që interpreton EKG-në. Aparatura në një luhatje të zemrës, që ne mjekët e quajmë normale, mund ta shkruajë si infarkt, por një gjë e tillë nuk është e vërtetë. Është një alarm fals që thjesht ka rritur fluksin për tek mjeku kardiolog, por që në të vërtetë njerëzit nuk kanë pse shqetësohen”, shprehet një nga mjeket e kontaktuar nga gazeta “Shëndet+” lidhur me interpretimin e ekzaminimeve të këtij kontrolli.

Dje, pa u mbushur ende një vit që prej kohës së prezantimit të fushatës “Si je”, ministria e Shëndetësisë raportoi gjetjet e para. I menjëhershëm ka qenë reagimi i pacientëve dhe i vetë bluzave të bardha.

Shqetësimi të ngritur nga infeksionisti Tritan Kalo, i është përgjigjur përmes ironisë kirurgu plastik Gëzim Xhepa: “Profesor, edhe antikonformist, edhe kritik i “check-up-it, edhe antiringjallje, dashke check-up ti”.

Si përfundim bluzat e bardha ngrenë pyetjen: Check up – i apo catch up?!

“Check up-i apo catch up-i i super vjedhjes ka mbaruar pa filluar akoma. Tani thjesht po i gjejnë vendin lekëve që përlanë. Catch up-i  ka mbaruar, lekët përtej oqeanit janë dërguar”, mbyll komentin e tij alergologu Diamant Kuka.

Check-up përbën një revolucion, tha ministri Beqaj. Ndërkohë ne sot shpresojmë që ky “çek-ap” shqiptar të mos përfundojë në një “keç-ap” pa shije.

Postime të ngjashme

5 shenja që tregojnë se sistemi juaj nervor është i mbingarkuar
Raporti i HIV 2025: Shqipëria përballë një vale të re infeksionesh, rekord që nga 2016-a
Shkencëtarët zbulojnë dy pijet me kafeinë që mund të ulin rrezikun e goditjes në tru dhe sulmit në zemër, ja sa duhet të konsumoni për përfitime shëndetësore
5 ushqime që mund të bëhen të rrezikshme nëse nuk gatuhen siç duhet
AKU bllokon çokokremin "Nudossi" me përmbajtje salmonele
Gjendet helm minjsh në ushqimin për bebe, tërhiqen nga tregu kavanozët me pure
Turqia, destinacion global për shërbime mjekësore: Anadolu Medical Center, lider në këtë rrugëtim
Gjashtë këshilla të provuara shkencërisht për një tru të shëndetshëm