Nuk është sekret që COVID-19 dhe izolimet në vende të ndryshme patën një efekt dramatik në punën e shumë njerëzve.
Megjithatë, ato goditën akoma më rëndë industritë e kulturës dhe atë krijuese. Sipas një raporti të ri nga UNESCO, në këto sektorë pati një humbje prej 10 milionë vendesh pune në mbarë botën për vitin 2020.
Kjo pati një ndikim jo vetëm te individët, por edhe në ekonominë e gjerë, duke sjellë një reduktim të vlerës së industrisë globale të kulturës dhe asaj krijuese prej plot 750 miliardë dollarësh, sipas raportit Reshaping Policies for Creativity.
Humbjet e vendeve të punës sollën një rritje të dixhitalizimit, proces ky që kishte filluar që përpara vitit 2020. “Shumë artistë dhe profesionistë të kulturës shfrytëzuan mundësinë e rritjes së shërbimeve të transmetimit online për të zhvilluar projekte inovative në sferën dixhitale,” thotë raporti.
Megjithatë, të ardhurat nga këto aktivitete dixhitale nuk arritën të kompensonin humbjet e shkaktuara nga mungesa e eventeve live, të shkaktuar nga kufizimet e pandemisë, shton raporti.
Në sektorin e muzikës, ku shfaqjet live janë një burim kryesor i të ardhurave të artistëve, dominimi i aktiviteteve dixhitale nënkuptonte që ndarja e të ardhurave ndërmjet krijuesve, prodhuesve dhe distributorëve “mbeti shumë e pabarabartë”, thuhet në raport.
“Aksesi global i njerëzve te aktivitetet kulturore u rrit gjatë pandemisë, por, në të njëjtën kohë, ata që prodhojnë art dhe kulturë e patën më të vështirë që të punonin”, thotë Ndihmës Drejtori i Përgjithshëm i UNESCO-s për Kulturën, Ernesto Ottone.
“Ne duhet të rimendojmë mënyrën se si të ndërtojmë një mjedis pune të qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës për profesionistët e kulturës dhe të artit, të cilët luajnë një rol jetik për shoqërinë në mbarë botën.”
Mbështetje më e mirë për industritë krijuese
Raporti i UNESCO-s bën një sërë rekomandimesh për të njohur dhe mbrojtur më mirë nevojat e artistëve dhe të profesionistëve të kulturës.
Këto rekomandime ndahen në katër kategori kryesore: rritja e investimeve publike; planet e përbashkëta të veprimit mes institucioneve të ndryshme publike për të përkrahur këtë sektor; rritja e mundësive të punësimit ; dhe përdorimi më i mirë i të dhënave.
Rritja e investimeve publike
Sektori i kulturës dhe ai i industrisë krijuese përbëjnë 3.1% të PBB-së botërore dhe 6.2% të punësimit global, duke i bërë ata një “investim strategjik për zhvillimin ekonomik”, sipas UNESCO-s.
Megjithatë, shpenzimet e qeverive për kulturën kanë qenë në rënie për plot një dekadë, thotë raporti. Tani ekziston nevoja për strategji investimesh, veçanërisht për mbështetjen e komunitetit të mediave.
Meksika ka prezantuar dy ligje që nga viti 2017 për të mbështetur prodhimin dhe shpërndarjen e materialeve kulturore, thuhet në raport. Ndërkohë, Finlanda ka krijuar një strategji të re për diversitetin kulturor, duke nxitur financimin për mësimin e aftësive krijuese, të cilat do të sjellin rritje ekonomike.
Planet e përbashkëta të veprimit
Rekomandimet për këtë kategori përfshijnë formimin e një zyre të dedikuar në një nivel të lartë qeverisës, si dhe përfshirjen e autoriteteve kulturore në proceset kryesore të vendimmarrjes.
Raporti citon rastin e Kolumbisë, e cila në vitin 2018 krijoi Këshillin Kombëtar për Ekonominë Portokalli, përgjegjës për mbështetjen e zhvillimit të nismave kulturore.
UNESCO thotë gjithashtu se ekziston nevoja për alokime buxhetore për kulturën nga departamentet e ndryshme qeveritare, si dhe për të menduar një strategji afatgjatë, të tillë si axhendat e vitit 2030 ose objektivat kombëtare.
Për shembull, plani i Kulturës 2025 në Irlandë i dha mundësi vendit që t’i përgjigjej me shpejtësi COVID-19 jo vetëm me fonde, por edhe duke mbështetur projekte të reja krijuese për të lehtësuar izolimin për ata që mbetën pa punë.
Krijimi i më shumë mundësive për punë
“Që diversiteti kulturor të lulëzojë, kultura, krijimtaria dhe edukimi duhet të ecin paralelisht”, thuhet në raport.
Ekziston një mospërputhje midis mundësive të arsimit, të trajnimit dhe të punësimit, thotë raporti. Sipas tij, aftësitë krijuese duhet të mësohen në një moshë sa më të hershme. Në veçanti, shihet nevoja për të bërë më shumë për arsimimin dixhital.
“Përshtatja me mjedisin dixhital mbetet një sfidë për sektorin e kulturës dhe industrinë krijuese”, thuhet në raport, duke shtuar se brezat e ardhshëm do të duhet të trajnohen me këto teknologji, në mënyrë që të ecin përpara.
Raporti thekson gjithashtu rëndësinë e “të mësuarit joformal”. Ai veçon rastin e Burkina Faso, ku nuk ka trajnime të kufizuara formale në fushën e artit dhe të kulturës, por organizatat e shoqërisë civile ndihmojnë rregullisht artistët dhe profesionistët që të zhvillojnë aftësitë, me synimin për t’i ndihmuar ata të bëhen profesionistë në fushat e tyre.
Përdorimi më i mirë i të dhënave
Mbledhja e plotë e të dhënave dhe shkëmbimi i informacionit mund të ndihmojë jo vetëm me vendimmarrjen për politikat e lidhura me fushën e kulturës, por edhe me punësimin, pagesat e honorarëve dhe identifikimin e nevojave për arsimim.
Boshllëqet kryesore përfshijnë bazat e të dhënave për artistët krijues, të dhëna mbi honoraret dhe të drejtat e autorit, punësimin në industrinë e kulturës dhe kontributet e sakta në PBB që vijnë prej tij, thotë raporti.
Ministria e Kulturës dhe Rinisë në Kosta Rika bashkëpunoi me Programin e Zhvillimit të OKB-së për të ngritur Sistemin e Regjistrave Administrativë të Kulturës dhe Rinisë, i cili mbledh shifra për të ilustruar ndikimin dhe rëndësinë e kulturës në shoqëri. Ideja e këtij investimi është që të tregohet se “pas çdo shifre, është një artist me përvojë”, thuhet në raport. Ecuador’s Culture Satellite Account mat kontributin ekonomik të kulturës dhe të industrisë krijuese, si dhe i përdor këto të dhëna për të ndihmuar në rritjen e profesionalizmit të këtyre iniciativave kulturore. /Monitor


