Kryefaqja Shendeti a-z GJ Çrregullimet e gjumit, sinjal alarmi për këto probleme shëndetësore

Çrregullimet e gjumit, sinjal alarmi për këto probleme shëndetësore

0
Shpërndaje

Arjana Rreli, mjekja psikiatre pranë Qendrës Komunitare të Shëndetit Mendor nr.3.

Grekët e lashtë e quanin nevojën për gjumë si një domosdoshmëri dhe dhuratë që perëndia Hypnos, i biri i errësirës dhe i natës dhe vëllai i vdekjes, ia bënë dhuratë njeriut.

Gjumi është ndër mundësitë e pakta që i jepen organizmit për t’u rigjeneruar dhe rimarrë energjitë për të nesërmen. Dy janë funksionet kryesore të tij, termorregullacioni (ruajtja e një temperature konstante) dhe furnizmi me energji.

Studime të ndryshme kanë provuar që ata persona të cilët vuajnë pagjumësinë, kanë defiçite të kujtesës dhe humbje të përqendrimit çka i bën ata të jenë në vështirësi gjatë gjithë kohës për faktin se nuk arrijnë dot të memorizojnë. Nga ana tjetër një gjumë i mirë na bën ne të kemi një imunitet më të fortë dhe të jemi të mbrojtur ndaj sulmeve që bëjnë agjentët e jashtëm mjedisor.

Megjithatë duhet theksuar se gjumi është shumë individual.  Nëse një person mund të quajë gjumë të mirë vetëm 5 orë fjetje në natë, e cila plotëson nevojat e tij, dhe të nesërmen ai është në gjendje të kryejë të gjitha aktivitetet pa asnjë lloj deficiti, dikujt tjetër i dalin dhe nuk i teprojnë 7-8 gjumë që supozohet të jetë dhe periudha kohore më e domosdoshme që i duhet çdo individi për të plotësuar nevojën e organizmit me energji.

Ka njerëz që edhe shqetësohen nga ky fakt dhe thonë “Çfarë ndodh me mua që fle vetëm 5 orë gjumë?!” Në fakt, ai ka fjetur gjatë gjithë jetës vetëm 5 orë dhe arrin t’i bëjë gjërat shumë mirë. Kjo pra tregon që secili ka individualitetin e vet edhe ndaj reagimeve të orëve të gjumit. Idealja është që ne të plotësojmë nevojat tona pavarësisht se sa orë gjumë bëjmë.

Çrregullimet e gjumit janë disa, por ne mund t’i klasifikojmë në katër lloje:

1-Insomnia (pagjumësia), është ai lloj i çrregullimit të gjumit i cili presupozon orare shumë të kufizuara të gjumit. Nëse më lart vlerësuam që njeriu duhet të flejë deri në 7 orë  gjumë, personat me pagjumësi ankojnë që këto orë gjumi i kanë shumë të reduktuara. Mund të bëjnë dy ose 3 orë gjumë në natë, ndërkohë që ka të tjerë që referojnë se nuk flenë dot fare gjatë gjithë natës.

Insomnia ndodh në periudha shumë të shkurtra kohore, por nëse do të ndodhte për një kohë të gjatë, do të çonte në problematika shumë serioze të shëndetit, ose do të ishte paralajmëruese për një sëmundje që do të vendosej më pas.

2-Hipersmonia, (gjumë i shtuar) është një tjetër çrregullim i cili bëhet problem duke na  kufizuar nga shumë veprimtari gjatë ditës.  Por hipersomnia nuk bëhet problem vetëm për personin, por edhe për aktivitetin e tij okupacional gjë që “sjell faturën” në shoqëri. Njerëz të tillë nuk mund të punojnë pasi ndjehen gjatë gjithë kohës të përgjumur.

3-Parasomnitë, janë një tjetër çrregullim, ku personi edhe pse mund të bëjë orë gjumi, këto orë i ka cilësisht të dëmtuara. Pra, si sasi orët janë të mjaftueshme, por cilësia e tyre është e prishur. Këta persona ankojnë tmerre të natës, ëndrra të cilat i zgjojnë herë pas herë shumë të frikësuar, megjithëse mund të bien përsëri në gjumë dhe ta rimarrin veten, ngrihen përsëri nga këto lloj ëndrrash. Vazhdimisht ankojnë se nuk janë të ngopur me gjumë.

4-Çrregullimet e ritmit gjumi-zgjim. Është tamam ajo shprehja kur natën e bën ditë dhe ditën e bën natë. Këta persona nuk flenë dot natën, dhe përgjatë gjithë ditës janë të përgjumur./ Shendeti.com.al

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here