Kryefaqja Box 2 Dëmtimi i meniskut (gjurit), si kurohet

Dëmtimi i meniskut (gjurit), si kurohet

1
Shpërndaje

Albaturk

Nga Klinika Albaturk

Menisku është një strukturë e gjurit që dëmtohet shpesh. Dëmtimi mund të ndodhë në çdo grupmoshë. Në moshat e reja menisku është shumë i fortë dhe i rrëshqitshëm dhe ruptura (çarja) zakonisht ndodh si pasojë e një lëvizjeje të fortë përdredhëse të gjurit. Me kalimin e moshës, menisku dobësohet dhe mjafton një dëmtim i vogël për të çarë atë.

Çfarë është menisku dhe cili është funksioni i tij?

Midis tibias (kockës së kërcirit) dhe femurit (kockës së kofshës) në artikulacionin e gjurit ndodhen dy menisqe. Menisku medial në formën e shkronjës C është i vendosur në pjesën e brendshme të gjurit, afër gjurit tjetër (medial do të thotë afër boshtit të trupit) menisku lateral në formën e shkronjës U ndodhet në pjesën e jashtme të gjurit (lateral do të thotë larg boshtit të trupit).

Menisku 2

Këta dy menisqe veprojnë si amortizatorë të gjurit. Duke qenë në formën e një unaze, ata shpërndajnë forcat që veprojnë mbi artikulacionin e gjurit. Gjatë ecjes gjuri ngarkohet me gati dyfishin e peshës trupore, ndërsa gjatë vrapimit ngarkohet me pothuajse tetëfishin e peshës trupore. Kur gjuri përthyhet, pjesa e pasme e menisqeve merr presionin më të madh.

Kërci artikular është një material i butë dhe i rrëshqitshëm, që mbulon sipërfaqet fundore të kockave që formojnë artikulacionin e gjurit. Kërci artikular lejon sipërfaqet të rrëshqasin mbi njëra-tjetrën pa dëmtuar asnjërën prej tyre.

Duke shpërndarë forcat që veprojnë mbi artikulacionin e gjurit, menisqet mbrojnë kërcin nga ushtrimi i shtypjes në një sipërfaqe të vogël të artikulacionit. Në mungesë të menisqeve forca vepron në një sipërfaqe të vogël të sipërfaqes artikulare, duke shkaktuar një dëmtim degjenerativ të kërcit artikular të quajtur osteoartrit.

Menisqet i japin stabilitet artikulacionit të gjurit. Ata e kthejnë sipërfaqen e kockës së kërcirit në një fole të cekët që është më stabël nga sa mund të ishte një sipërfaqe e sheshtë. Pa menisqet, pjesa e rrumbullakët e femurit do të rrëshqiste mbi një sipërfaqe të sheshtë.

Shkaqet e dëmtimeve të menisqeve

Menisqet mund të dëmtohen në çdo moshë, por shkaqet që shkaktojnë dëmtimin janë të ndryshme për çdo grupmoshë. Në personat e rinj menisqet janë struktura të forta e të rrëshqitshme. Rupturat (çarjet) e menisqeve në pacientët nën 30 vjeç zakonisht ndodhin si pasojë e lëvizjeve të forta përdredhëse. Në grupmoshat e reja rupturat e menisqeve ndodhin më shpesh nga një aktivitet sportiv. Mund të rupturohet (çahet) plotësisht buza e brendshme e meniskut medial (të brendshëm)  që quhet rupturë në formën e dorezës së kovës. Buza e brendshme e meniskut mund të rupturohet dhe në mënyrë të pjesshme.

Indi nga i cili përbëhen menisqet dobësohet me kalimin e moshës duke çuar në degjenerim ose dhe rupturë (çarje) të meniskut dhe mjafton një dëmtim i lehtë për ta dëmtuar atë. Shpesh nuk gjendet një shkak specifik që ka çuar në çarjen e meniskut degjenerativ. Këto lloj rupturash/çarjesh të meniskut vërehen shpesh si pjesë e osteoartritit në moshat e vjetra. Rupturat degjenerative bëjnë që menisku të tensionohet dhe të çahet në shumë drejtime.

menisku gjuri

Simptomat

Dhimbja është ankesa kryesore që kanë pacientet me çarje të meniskut. Dhimbja mund të ndihet në atë anë të gjurit që është afër meniskut të dëmtuar. Ose dhimbja mund të jetë më e përhapur dhe të prekë të gjithë gjurin.

Gjuri mund të enjtet duke dhënë ndjesinë e ngurtësisë dhe ngushtimit. Kjo shpesh vjen si pasojë e akumulimit/grumbullimit të lëngut në brendësi të artikulacionit. Ndonjëherë quhet ujë në gju. Kjo nuk është diçka që ndodh vetëm në çarjet e meniskut, por në të gjitha rastet kur enjtet gjuri.

Nëse çarja është shumë e madhe, artikulacioni i gjurit mund dhe të bllokohet, që do të thotë paaftësi e plotë për të shtrirë gjurin. Kjo ndodh kur pjesa e rupturuar e meniskut shkëputet dhe ngec në mekanizmin levizës së gjurit, njëlloj si kur vendosim një laps në menteshën e derës.

Një menisk i rupturuar mund të shkaktojë probleme që zgjasin. Fërkimi në mënyrë të vazhdueshme i meniskut të çarë në sipërfaqen artikulare dëmton sipërfaqen artikulare duke shkaktuar osteoartrit të gjurit.

Diagnoza

Diagnostikimi fillon me marrjen e historisë së sëmundjes dhe ekzaminimin fizik.

Rezonanca magnetike MR është një ekzaminim shumë i mirë për të parë meniskun. Duke bërë të mundur të përftohen imazhe në prerje të holla të zonës së interesit. Zakonisht ky ekzaminim kryhet për të parë dëmtimet në menisqet ose ligamentet e gjurit. Ky ekzaminim është i padhimbshëm dhe nuk ka nevojë për injeksione ose lëndë kontrasti.

Në rast se historia e sëmundjes dhe ekzaminimi fizik të çojnë drejt diagnozës së rupturës së meniskut atëherë rekomandohet artroskopia, si për të konfirmuar diagnozën ashtu edhe për të trajtuar problemin në të njëjtën kohë.

 

Trajtimi jokirurgjikal

Trajtimi fillestar i meniskut të çarë ka për qëllim uljen e dhimbjes dhe të enjtjes së gjurit. Pushimi dhe medikamente antiinflamatore, si aspirina mund të ndihmojnë në uljen e simptomave. Mund të jetë e nevojshme që të përdorni paterica derisa të mund të ecni pa çaluar.

Disa pacientë mund të bëjnë terapi fizike për trajtimin e problemeve të meniskut. Terapistët trajtojnë dhimbjen dhe enjtjen duke përdorur akull, elektrostimulim dhe periudha pushimi me këmbën të mbajtur ngritur lart. Ushtrimet përdoren për të ndihmuar në rifitimin e lëvizjeve të artikulacionit dhe muskujve.

Trajtimi Kirurgjikal Artroskopik

Nëse gjuri vazhdon të bllokohet dhe nuk mund të shtrihet, kirurgjia rekomandohet të kryhet sa më shpejt të jetë e mundur për të hequr pjesën e çarë që ka ngecur në artikulacionin e gjurit. Por mund të  mos shërohet  vetë as një menisk që është lehtësisht i çarë. Nëse simptomat persistojnë pas trajtimit jokirurgjikal, rekomandohet kirurgjia për të hequr ose për të riparuar pjesën e çarë të meniskut.

Kirurgjia artroskopike përdoret gjerësisht sot për riparimin e rupturave të meniskut. Artroskopia është një operacion që konsiston në futjen e një fibre optike mikroskopike që ka një kamerë në artikulacionin e gjurit që i mundëson kirurgut të ekzaminojë strukturat në brendësi të gjurit: kërcit, ligamenteve dhe menisqeve.

Kirurgët përdorin një artroskop (si u përmend më sipër) për trajtimin e një menisku të dëmtuar. Nëpërmjet një prerjeje të vogël në gju, bëhet e mundur futja e kamerës në artikulacion.

Meniskektomi e pjesshme

Procedurë gjatë së cilës hiqet pjesa e çarë e meniskut quhet meniskektomi e pjesshme. Kirurgu bën një prerje tjetër të vogël për të vendosur instrumentet kirurgjikale në brendësi të artikulacionit të cilët përdoren për të hequr pjesën e çarë të meniskut, ndërkohë që artroskopi përdoret për të parë procesin.

Riparimi i meniskut

Kurdoherë që është e mundur, kirurgët zgjedhin ta riparojnë meniskun në vend që të heqin një pjesë të vogël të tij. Kandidatë të përshtatshëm për riparimin e meniskut janë pacientë të rinj në moshë që kanë rupturuar meniskun kohët e fundit. Pacientët e vjetër në moshë me rupturë degjenerative nuk jane kandidatë për këtë procedurë. Për të riparuar meniskun e çarë, kirurgu inseron (fut) artroskopin dhe vëzhgon meniskun. Në rastet kur ruptura e meniskut është e përshtatshme për t’u qepur atëherë përdoren sutura të posaçme për të bashkuar dy buzët e të çarës. Në të kundërt, me anë të instrumentit me lazer të futur në artikulacion bëhet pastrimi dhe lëmimi i pjesës së çarë të meniskut, duke eliminuar kështu ankesat e pacientit dhe duke rikthyer lëvizshmërinë normale të gjurit.

1 Koment

  1. Pershendetje te gjith atyre qe lexojne kete artikull
    Jam nje zonje qe jam ber operacion me proteze te gjurit
    Mendoja se u paralizova por ndodhi mrekullia fal kirurgut doktor Safak Onbasioglu qe me operoj me proteze une i jam kthyer jetes normale madje dhe punoj per te mbajtur familjen,ky doktor eshte nje zheni i ka duarte te arta
    Faleminderit Doktor Safak qe me riktheve ne jete 🙂

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here