Denisa Canameti
Për të ngritur sistemin shëndetësor, ministria ka parë si rrugëzgjidhje marrjen e borxheve. Jo rrallëherë buxheti i vogël për shëndetësinë është parë si arsye për të justifikuar mangësitë në këtë sektor.
Kështu, më 24 mars 2015 u nënshkrua një tjetër hua prej 32.1 milionë eurosh me Bankën Botërore për Projektin e Përmirësimit të Sistemit Shëndetësor. Është hera e parë që buxheti i shëndetësisë në Shqipëri për vitin 2015 e kalon nivelin e 400 milionë dollarëve (amerikanë). Në krahasim me vitin 2014, rritja nominale e buxhetit të shëndetësisë është 2.3 miliardë lekë, duke përfshirë transfertën nga buxheti i shtetit, si dhe kontributet e sigurimeve shëndetësore, që rritet në krahasim me vitin 2014 me 6%.
Në fjalën e tij, ministri Ilir Beqaj theksoi faktin se në shëndetësi dhe për shëndetësinë janë bërë investime të rëndësishme, ku përmendi:
– Një tjetër kredi të miratuar në Kuvendin e Shqipërisë para pak javësh nga Banka e Këshillit të Evropës për një projekt prej 23 milionë eurosh, 17 milionë euro financim dhe 6 milionë euro kontribut i Qeverisë Shqiptare;
– 10 milionë euro, 5 (pesë) dhe 5 (pesë) të Kooperacionit Italian, 5 milionë euro për shërbimin parësor dhe 5 milionë euro për Spitalin Universitar të Traumës;
– 14 milionë euro të projektit të filluar që nga shtatori i vjetshëm për Shëndetësinë Elektronike me mbështetjen e Qeverisë Austriake; si edhe,
– Një grant i Qeverisë Zviceriane prej 10 milionë frangash për të mbështetur shërbimin shëndetësor nën sloganin “Shëndet për të gjithë”.
“Pra, kemi filluar një portofol të rëndësishëm investimesh, të cilën, ne në Ministrinë e Shëndetësisë, kemi detyrën ta zbatojmë me efektivitet, në afate optimale, në mënyrë që rezultatet për qytetarët shqiptarë të jenë të prekshme sa më shpejt”, tha ministri.
Por, sa të prekshme kanë qenë këto investime për qytetarët shqiptarë? Çfarë ka ndryshuar në sistemin tonë shëndetësor për 1 vit e gjysmë? A janë realizuar me sukses dhe efikasitet ashtu sikurse pretendon ministri, të gjitha nismat për të cilat janë investuar miliona euro? Në çfarë drejtimesh po punon Ministria e Shëndetësisë dhe në cilat drejtime ka reflektuar sukses? Ministri i Shëndetësisë Beqaj theksoi faktin se po punohet në disa drejtime dhe këtu përmendi:
Shërbimin parësor, në fillimin e zbatimit tashmë të Programit të Kontrollit Bazë (pa pagesë 40-65 vjeç);
Ky projekt është lançuar nga ministria që në dhjetor të vitit 2014 pa dhënë një afat të qartë se kur do të fillojë. Menjëherë pas lançimit të këtij projekti, gazeta “Shëndet+” u interesua për të parë nëse Ministria i ka kushtet për të realizuar këtë projekt.
Përfundimi? Porjekti i dytë më i madh në vend për nga kostoja financiare nuk zbatohet në shumicën e Qendrave Shëndetësore në Shqipëri sepse nuk i kemi kushtet. Për këto kushte foli raporti i fundit i mbaështetur nga USAID në prezantimin e të cilit edhe Ambasadori amerikan Donald Lu e tha fjalën e vet.
Gjithashtu ministri përmendi punën që po bëhet në drejtim të përmirësimit të ndjeshëm të shërbimit të urgjencës.
“Kjo urgjencë është përuruar 5 herë”. Kështu u shpreh për Shëndet+ para disa ditësh mjeku Rustem Celami. Mjekë të tjerë që punojnë brenda këtij shërbimi theksojnë faktin që disa gjëra kanë ndryshuar. Por çfarë?
Së pari, është vendosur triazhimi që, për fatin e keq, një pjesë e mirë e mjekëve dhe infemierëve nuk e kanë idenë sesi funksionon.
Së dyti, është furnizuar urgjenca me barna, por ajo çfarë ka mbetur në pikëpyetje është cilësia e tyre. Përveç deklaratës për Shëndet+ të mjekut Petrit Vargu se cilësia e barnave është ulur, nga spitali i Shkodrës mjekët deklarojnë se janë shtuar rastet e pacientëve që kanë reaksion nga ilaçet.
Ministri deklaroi se po punohet në përhapjen dhe përdorimin e gjerë të teknologjisë së informacionit;
Për çfarë teknologjie flet ministri? Thamë më lart se janë 10 milion euro, 5 (pesë) dhe 5 (pesë) të Kooperacionit Italian, 5 milion euro për shërbimin parësor dhe 5 milion euro për Spitalin Universitar të Traumës. Për çfarë janë investuar këto 5 milion euro në SUT, pasi sipas mjekëve në këtë spital nuk shihet as edhe një lloj teknologjie e avancuar. “Ndërkohë që spitali i Kukësit e ka skanerin me 128 procesor, akoma Spitali i Traumës punon me një skaner me 2 procesor, në një kohë që ky spital mban traumat e gjithë Republikës, trauma shumë të rënda, raste shumë të vështira. Nuk bëhet fjalë as për skaner të mirë, as për rezonancë. Këto janë dy shtyllat e imazherisë së avancuar. Të mos flasim për aparatura si akseleratori që nuk kemi për t’i parë ndonjëherë”. Kjo është fjala e Lida Shoshës e thënë vetëm para disa ditësh para se ajo të largohej nga ky spital.
Çështja e buxhetit asnjëherë nuk është bërë transparente. Në xhepat e kujt shkojnë këta para?
Përpara se kjo hua të merrej, mjeku Petrit Vargu kishte deklaruar për gazetën Shëndet+ se: “Sejmeni puthador dhe ministri i radhës, këtë herë harron që vendet që ata marrin për sistem referimi, nuk marrin grante dhe zhyten në kredi tregtare për të përmirësuar shëndetësinë. Më saktë, ministri aktual i radhës ka një kredi interesante nga CEB si për spitalin e Tiranës, ashtu edhe për atë të Shkodrës. Ka një kredi nga Banka Botërore, një kredi nga Kooperacioni Italian, një kredi nga qeveria austriake, një grant nga qeveria zvicerane etj. E ç’do më tepër ministri ynë? Po sejmeni puthador i tij? Problemi është nëse dimë apo nuk dimë që këtë fluks parash që vijnë nga jashtë ta drejtojmë aty ku shëndetësia kërkon ndihmë, aty ku mjekësia jep klithmat për nevoja emergjente, aty ku pacientëve u jepet shpresa, aty ku popullit i rritet jetëgjatësia”.
Pra, a qëndron problemi i shëndetësisë tek paratë? Sigurisht që asgjë nuk është më çështje parash. Çështje keqmenaxhimi, ndoshta.


