Denisa Canameti, gazeta Shëndet+ dhe Shëndeti Online
4.000 euro. Kjo është shuma me të cilën spitalet private në Shqipëri u ofrojnë çifteve mundësinë për të pasur fëmijë përmes fertilizimit in vitro. Sipas ligjit nr. 8876, datë 4.4.2002 për Shëndetin Riprodhues, çdo shtetas shqiptar ka të drejtë të përfitojë trajtimin e infertilitetit. Nga ana tjetër, numri i çifteve infertile në Shqipëri vazhdon të ketë rritje të konsiderueshme. Megjithatë, për interesa të “kushedi se kujt” fekondimi in vitro vazhdon të jetë “ëndërr” për spitalet shtetërore (ndërsa ofrohet pa problem në spitalet private), edhe pse në maternitetin “Koço Gliozheni” në Tiranë janë investuar 25 milionë lekë të rinj dhe salla për fekondimin in vitro është e pajisur dhe janë trajnuar mjekët (të dërguar deri në Londër) prej tashmë tre vjetësh.
Planet për “bebet në provëz” nisën që në vitin 2013
Në vitin 2012 një projekt i nënshkruar nga qeveria shqiptare dhe Bashkimi Evropian kishte si objektiv realizimin e kësaj procedure brenda vitit 2013. Projekti, me vlerë prej 25.000.000 lekësh (të rinj) u publikua në tetorin e vitit 2012 dhe rezultatet e para, sipas deklaratave të muajit tetor, do të ishin nga 9 muaj, në një vit më pas. Asokohohe u bë me dije se, përmes projektit u dërguan dy persona për kualifikim në Itali, një për fekondimin artificial dhe një për laboratorin, pra, një embriolog.
U deklarua se nga ky projekt do të përfitonin falas metodën e riprodhimit të asistuar, të gjithë ata qytetarë që paguanin sigurime shëndetësore, ndërkohë që do të përcaktoheshin kriteret dhe procedurat e përfituesve nga i gjithë vendi në bazë të prioriteteve që do të vendoste institucioni shëndetësor dhe stafi i ekspertëve. Por çfarë ndodhi?
Planet për vitin 2014
Në një intervistë për gazetën “Shëndet Plus”, në maj të vitit 2014, Rubena Mojsiu, asokohe drejtoreshë e maternitetit “Koço Gliozheni” pranoi nënshkrimin e projektit nga qeveria shqiptare dhe Bashkimi Evropian. “Ne patëm mundësinë të përfitojmë një grant të këtij projekti dhe qëllimi i projektit tonë ishte ndërtimi i një qendre të fekondimit të asistuar ose e njohur ndryshe të “Riprodhimit të asistuar” në një spital publik.
“Kemi kërkuar vazhdimisht edhe ndihmën e qeverisë shqiptare, sepse në këto projekte qeveria quhet bashkëfinancuese me 15% të shumës totale të investuar. Pra, kuptohet që pa ndihmën e qeverisë, ky projekt nuk realizohet.
“Patëm një ndihmë të madhe nga qeveria jonë. Madje, qeveria e ka futur këtë projekt si një përparësi në 6-mujorin e saj të parë. Aktualisht jemi në fazën ku po mbaron thuajse përfundimisht rikontruksioni i godinës, e cila ndodhet në ambientet e brendshme të maternitetit “Koço Gliozheni”. Presim që në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë ta kemi të përfunduar në fund të muajit maj dhe në fillim të qershorit (2014) të përurohet”, u shpreh në atë kohë drejtoresha Moisiu.
Dhe në fakt, aktualisht në maternitetin “Koço Gliozheni” është ngritur kabineti i cili është i pajisur me aparaturat e nevojshme për realizimin e kësaj procedure. Megjithatë, megjithëse kanë kaluar dy vjet e gjysmë nga koha kur pritej të përurohej, kabineti nuk është vënë ende në funksion.
Planet shtyhen për vitin 2017
I kontaktuar nga gazeta “Shëndet+” drejtori aktual i maternitetit “Koço Gliozheni”, doktor Arben Rrugia, shprehet se është e vërtetë që është ngritur një kabinet i ngritur për fertilizimin in vitro, i financuar nga
paratë e buxhetit të shtetit. Sipas drejtorit, kabineti ka disa mungesa.
“Kur kam ardhur në krye të detyrës, bëmë një analizë të situatës, bëmë një inventar të pajisjeve që janë aty dhe mungojnë shumë gjëra, – shprehet Rrugia. – Kemi bërë relacionin dhe ia kemi përcjellë Ministrisë së Shëndetësisë. Ideja ishte që të hapej për Krishtlindje, por nuk na vijnë pajiset në atë kohë”.
Drejtori i maternitetit pohon se për këtë procedurë janë trajnuar një embriolog në Londër dhe një mjeke tjetër gjithashtu, të cilët punojnë në këtë maternitet. “Ekipi mjekësor është, por kur ta hapim do të kërkojmë miq nga jashtë sa ta vëmë në punë”.
Lidhur me kohën e “vënies në punë”, mësohet se nga ana e drejtuesve të maternitetit është folur me Ministrinë dhe pritet që deri në fund të janarit do të plotësohet me elementet që duhet.
Fondi i investuar sipas drejtorisë është 25 milionë lekë, të gjitha nga buxheti i shtetit.
Ministria e Shëndetësisë nuk përgjigjet
Për këtë çështje gazeta “Shëndet+” iu drejtua edhe Ministrisë së Shëndetësisë. Pyetjet e drejtuara ishin:
- Pse nuk ka filluar ende punë shërbimi i fekondimit in vitro në maternitetin “Koço Gliozheni”?
- Pse Ministria e Shëndetësisë nuk ka marrë masa për hapjen e këtij shërbimi?
- Cilët janë personat që mbajnë përgjegjësi për lënien pezull të këtij projekti prej më shumë se dy vjetësh?
- Çfarë po bën Ministria e Shëndetësisë që ky shërbim të fillojë punën sa më shpejt?
- Kur është koha që pritet të fillojë puna e këtij shërbimi?
Megjithëse pyetjet janë dërguar në Ministrinë e Shëndetësisë që prej muajit tetor, ende sot e kësaj dite nuk ka mbërritur asnjë përgjigje.
Statistika: 15% e çifteve në Shqipëri, probleme me sjelljen në jetë të fëmijës
Statistikat e Ministrisë së Shëndetësisë raportojnë se janë rreth 12% e çifteve shqiptare që kanë probleme me sjelljen në jetë të një fëmije në rrugë natyrale, ndërkohë që mjekët gjinekologë kanë thënë se kjo statistikë shkon deri në 15% të rasteve. Megjithatë, në Tiranë numërohen nga viti 2004-2012 rreth 33 304 kërkesa nga çifte që nuk kanë mundësi të sjellin në jetë në mënyrë natyrale një fëmijë.
Fekondimi In Vitro, e drejtë ligjore
Në shtetin shqiptar ekziston legjislacioni përkatës, i cili njeh të drejtën për zbatimin e metodave dhe teknologjive moderne për riprodhimin. Kështu sipas ligjit nr. 8876, datë 4.4.2002 për Shëndetin Riprodhues, Kreu II, Të drejtat Riprodhuese,
Neni 20:
- Të gjithë individët kanë të drejtën për: a) trajtimin e infertilitetit, përfshirë zbatimin e metodave dhe teknologjive moderne për riprodhimin; b) informacion për përmbajtjen e teknologjive riprodhuese suplementare, eficencën, periudhat optimale për zbatimin e tyre, pasojat mjekësore dhe pasojat e mundshme, si dhe informimin mbi vlefshmërinë e metodave të tjera për trajtimin e infertilitetit.
- Çiftet dhe individët do të kenë të drejtën për zbatimin e teknologjive riprodhuese vetëm në rast të një marrëveshjeje të përbashkët.




