Dhimbje barku dhe diarre, shkaqet

Valdete Malaj, mjeke gastrohepatologe

Çdokush mund të ketë përjetuar një herë dhimbje barku. Zakonisht, nuk është shqetësuese dhe doktori mund ta diagnostikojë dhe trajtojë lehtësisht problemin. Ndonjëherë, mund të jetë shenjë e ndonjë sëmundje serioze.

Në cilat raste duhet të kërkoni ndihmë mjekësore? Cilat janë shkaqet më të shpeshta të dhimbjes së barkut?

Shkaqet mund të jenë nga më të ndryshmet, si:
Dispepsi – dhimbje ose një ndjenjë diskomforti në pjesën e sipërme të barkut. Dhimbja mund të fillojë dhe të ndalojë, por zakonisht është e vazhdueshme.
Kapsllëk- është shumë i përhapur tek njerëzit. Disa nga faktorët që ndikojnë në kapsllëk janë dieta e varfër ushqimore, mungesa e aktivitetit fizik, konsumimi i ushqimeve të thata, dehidratimi etj.

Nëse jeni femër, shkak mund të jenë menstruacionet- Dhimbjet menstruale (të periodave) për shumë vajza dhe gra janë një pjesë e pakëndshme e jetës. Gjatë këtyre ditëve, shqetësimet janë të shumta, si për shembull: fryrje barku, dhimbje mesi, dhimbje në fund të barkut, të përziera, të vjella, diarre.
Shkaqe të tjera të mundshme, përfshijnë:
Sindromi i zorrës së irrituar – është një çrregullim më shpesh i karakterizuar me dhimbje barku të lehta dhe në formë krampesh, fryrje barku, kapsllëk (konstipacion) ose barkqitje  (diarre). SZI shkakton në të njëjtën kohë një situatë parehatie dhe stresi, por nuk jep dëmtime të përhershme të zorrës dhe nuk çon në një sëmundje serioze siç është kanceri.

Sëmundja Crohn- simptomat më të zakonshme të sëmundjes së Crohn-it përfshijnë: diarrenë, dhimbjen abdominale, humbjen në peshë dhe ethet. Disa njerëz që vuajnë
nga sëmundja e Crohn-it paraqesin gjithashtu probleme jashtë traktit tretës ndër të cilat përfshihen skuqje të lëkurës, dhimbje të gjymtyrëve, skuqje të syve dhe më rrallë prob-
leme me mëlçinë.

Helmimi nga ushqimi- shkaktohet nga ngrënia e ushqimit apo konsumimi i ndonjë pije e cila është e kontaminuar me lloje të caktuara të baktereve, paraziteve, viruseve apo
toksinave tjera.

Alergjitë ushqimore- ndodhin kur sistemi imunitar i organizmit të njeriut identifikon gabimisht si të dëmshëm një komponent ushqimor.
Komponentët më të zakonshëm ndaj të cilëve kemi alergjitë më të shpeshta ushqimore janë komponentët proteinikë. Sistemi imunitar është gjithmonë në sulm ndaj këtyre proteinave duke dërguar vazhdimisht qelizat e bardha të gjakut (leukocitet) për të sulmuar, duke shkaktuar kështu reaksion alergjik.
Këto reaksione mund të jenë nga të buta e deri në përgjigje të rënda, e me pasoja për jetën.
Mund të keni dhimbje barku gjithashtu nëse keni intolerancë nga laktoza ose nëse keni ulcer ose sëmundje inflamatore pelvike.
Shkaqe të tjera:
Hernia hiatale- mund të shkaktojë ose kontribuojë në dhimbjen në zonën e barkut, urth dhe dhimbje në zonën e kraharorit.

Gurë në veshka- dhimbja e barkut për shkak të veshkave është një lloj dhimbje e cila fillon në bark dhe më pas përhapet deri në rajonin e ijëve.
Kjo dhimbje barku kalon shpejtë por nganjëherë mbetet për më gjatë.
Arsyeja për këtë dhimbje është se guri i veshkave është duke lundruar brenda. Kudo që të ngecë, ju përjetoni dhimbje të forta dhe filloni të djersiteni për shkak të ashpërsisë së
dhimbjeve.

Endometrioza- mjekët shpesh e ngatërrojnë endometriozën me gjendje të tjera që mund të shkaktojnë dhimbje në pjesën e legenit, si sindroma e zorrës së irrituar, sëmundja inflamatore pelvike apo edhe sindroma premenstruale.

Refluksi gastroezofageal – ndodh kur përmbajtjet e barkut kthehen mbrapsht në ezofag gjatë ose pas ushqyerjes.

Apendisti – shoqërohet me dhimbje përgjithësisht në anën e djathtë të ijes dhe shumë rrallë ndodh që ato të shfaqen në anë të majtë të saj.

Dhimbje të barkut afatgjatë ose e përsëritur
Kontaktoni mjekun nëse ju ose fëmija juaj keni dhimbje të përhershme ose të përsëritura të barkut. Shkaku shpesh nuk është serioz dhe mund të menaxhohet.

Dhimbje barku papritur, me diarre

Nëse dhimbjet e barkut kanë filluar kohët e fundit dhe gjithashtu keni diarre, shkaku mund të jetë një gastroenterit. Kjo do të thotë që ju keni një infeksion viral ose bakterial të barkut dhe zorrëve. Gastroenteriti mund të shkaktohet duke qëndruar në kontakt të ngushtë me dikë që është i infektuar, ose duke ngrënë ushqime të kontaminuara (helmim me ushqime). Nëse keni periudha të përsëritura të dhimbjeve të barkut dhe diarresë, mund të kemi të bëjmë me sindromin e zorrës irrituar.

Dhimbje të rënda barku, papritur
Nëse keni dhimbje të papritura në një zonë të veçantë të barkut tuaj, telefononi mjekun tuaj menjëherë. Mund të jetë shenjë e një problemi serioz që mund të përkeqësohet shpejt nëse nuk trajtohet.
Dhimbje e papritur dhe e ashpër në bark ndonjëherë mund të shkaktohet edhe nga një infeksion i barkut dhe i zorrëve (gastroenterit). Mund të shkaktohet edhe nga një muskul i tërhequr në bark ose nga një lëndim.

Ç’të bëni kur keni probleme me tretjen ose barkun?

Shpesh njerëzi i injorojnë problemet që vijnë nga barku, dhe marrin këshillën e farmacistit ose në rastin akoma më të rëndë, bëhen doktorë të vetes duke u kënaqur
me një tabletë, pluhur apo gotë që ndihmojnë tretjen aty për aty, qetësojnë djegiet, teshtitjet, aciditetin dhe spazmat. Siç përshkruam në mënyrë të përmbledhur më lart, barku, në fakt, mund të na japë sinjale për disa probleme shënde-
tësore.

E para, kur problemet me barkun janë të vazhdueshme, duhet të synojmë të bëjmë një diagnostikim sa më të saktë të gjendjes patologjike.

1 – Dieta ushqimore. Synoni një dietë të thjeshtë dhe pa yndyrna shtazore të gatuara: mos përdorni ushqime pikante, erëza, djath të fermentuar, mos përdorni vezë të skuqura dhe ushqime të skuqura në përgjithësi, shumë pak verë, mos përdorni pije të forta; pak kafe dhe kafe “të gjatë”; pini pak duhan dhe vetëm pas buke.
2 – Kontaktoni mjekun tuaj për vizitë i cili do t’ju rekomandojë analizat e rastit.
3 – Bëni analizat e lëngut gastrik, të feçeve, të urinës, të gjakut që, pavarësisht se janë të bezdisshme, sigurojnë të dhëna me rëndësi të pazëvendësueshme për funksionin gastrik, intestinal, hepatit, pankreatik etj.

4 – Respektoni dietën që ju rekomandon specialisti, si dhe gjithë kurat medikamentoze të rastit: kur kemi “dhembje barku” dhe kjo gjendje vazhdon prej kohësh, të dalësh prej saj kërkon durim të madh, respektim rigoroz të terapisë dhe një bashkëpunim të ngushtë mjek-pacient; periodikisht duhet të bëni edhe kura me ujëra termale, sepse në shumë raste këto janë nga më të përshtatshmet.
5 – Kur nuk keni alternativë tjetër, nënshtrojuni ndërhyrjes kirurgjikale, sot asaj mikrokirurgjike, që është pak traumatike dhe i zgjidh shpejt problemet, me afate kohe shërimi dhe shtrimi të shkurtra.

 

Postime të ngjashme

Miopia - pandemia e shekullit 21! Okulisti: Alarmante tek fëmijët, ja shkaku
Hëngra 2 vezë për mëngjes çdo ditë për një muaj—Ja si ndryshoi dieta dhe rutina ime e mëngjesit
Gabimet më të zakonshme që mund të ndikojnë në kolesterolin tuaj
Mjeku Sotiraq Lako: Preparatet me bazë hekuri për mjekimin e anemisë
Çfarë ndodh me trupin kur ha boronica çdo ditë – Eksperienca ime si diabetike tip 1
Çfarë është rregulli 30-30-30 dhe si ndihmon në rënien në peshë?
Impetigo Bakterial: Një infeksion i shpeshtë në sezonin e verës – Këshilla nga Dr. Tritan Kalo
Si trajtohet inkontinenca urinare (mosmbajtja e urinës) te meshkujt?