Cilat janë ushqimet që duhen evituar dhe pasojat që mund të sjellin në të ardhmen kaloritë e tepërta
Nëse fëmija juaj ka shtuar disa kilogramë mbi peshën normale, duhen marrë masa të shpejta para se të dhjamoset. Shihni ushqimin që merr (brënda e jashtë shtëpisë) dhe aktivitetin fizik. Sipas mjekut të mirënjohur Polikron Çelo, duhet të shqetësoheni për pasojat e afërta dhe të largëta pasi rreth 40% e fëmijëve dhe 60 e adoleshentëve, mbeten obezë dhe kur të rriten. Përveç korrigjimit të gabimeve, mos kërkoni receta ushqimi, as rregulla të ngurta, se nuk ekzistojnë. Dijeni se ju pret një punë pak e vështirë, po jo e pamundur.
Doktor, kur konsiderohet një fëmijë mbi peshë?
Mbi peshë – quhen që kanë deri 20% mbi peshën ideale. Të dhjamosur (obezë) – mbi 20% të peshë ideale. Kujdes – Fëmijët nën 4 muaj që ushqehen vetëm me gji, jo rrallë vërehet një shtim mbi peshën normë; kemi të bëjmë me një dukuri normale, mos gaboni të bëni kufizime në ushqime.
Cilat mund të jenë shkaqet e shtimit në peshë?
Nuk është nevoja të hamendësohet pasi shkaqet kryesore të mbipeshës janë ushqyerja e gabuar dhe jeta pa lëvizje. Në raste të rralla (vetëm 2-3 %) dhjamosja mund të bëjë pjesë në kompleksit e shënjave të disa sëmundjeve të gjëndërrave endokrine. Nëse fëmija është mbi peshë, shihni dhe peshën tuaj, ndoshta këtë rrugë kanë marrë dhe pjesëtarë të tjerë të familjes. Duhet parë jo vetëm ushqimi i zakonshëm me shumë kalori, po dhe ato që merren jashtë vakteve e nuk konsiderohen burim kalorish. Le të kujtojmë për shembull shishet me qumësht të sheqerosur në vënd të ujit, lëngjet e sheqerosura, çokollatat, ëmbëlsirat etj. Shpesh fëmijët e moshës shkollore dalin pa ngrënë mëngjes jo se nuk kanë uri, po se i presin gjetkë byrekët, picat, hamburgerët etj, që i blejnë me lekët që u japin prindërit, pa ditur se gabojnë. Sot fëmijët levizin më pak dhe kohen e lirë në vend të merren me lodra ose aktivitete te tjera fizike, për shumë arsye e kalojnë me tepër pranë kompjuterit dhe televizorit.
Cilat janë rreziqet e dhjamosjes?
Nëse dhjamosja, fillon në moshat e vogëla, fëmija mund të ketë një sërë problemesh si :
· vështirësi në frymëmarrje ose “mbytje”, sidomos gjatë natës
· deformime të anësive, marrin formë “X”
· dhimbje kyçesh
· dystaban
· vështirësi për të lëvizur
· mund të mbetet i dhjamosur dhe në vitet që pasojnë
· tendencë për Diabet
· rritje të tensionit gjakut
· sëmundje të zëmrës dhe të enëve të gjakut
· probleme psikologjike. Duke u bërë objekt ngacmimesh prej moshatarëve, largohen prej tyre, preferojnë më mirë të qëndrojnë në shtëpi. Të shkëputur nga lodrat, kënaqësinë e gjëjnë në të ngrënët, çka thellon shtimin e peshës.
Si mund të parandalohet dhjamosja?
Kujdesi duhet të fillojë qysh në muajt e parë të jetës. Një fëmijët pa gji të respektojë me përpikmëri përgatitjen e qumështit. Kur fillohen ushqime të tjera (rreth moshës 5-6 muaj), qumështi duhet pakësuar. Asnjëherë nuk i duhen dhënë lëngje të sheqerosura, as sheqer në ushqimet e përditshme.
Po për moshat në vazhdim?
Të pakësohen produktet me shumë kalori, në radhë të parë ato me bazë miellrash, duke shtuar më tepër perimet. Të kufizohen gjithashtu ëmbëlsirat, çokollatat, karamelet dhe të gjitha lëngjet e sheqerosura. Në fund të ushqimit, në vënd të ëmbëlsirave, fruta ose lëngun e tyre pa sheqer. Zëvëndësoni akulloret e zakonshme, me akullore frutash. Yndyrnat (vaji, gjalpi, llarda, margarina etj) kanë shumë kalori prandaj duhen kufizuar. Lerini fëmijët të hanë sipas dëshirës (nevoja për ushqim, organizmi i rregullohet vetë). Kthejini aktivitetet fizike, në një mjet argëtues për të gjithë pjesëtarët e familjes. Nxisni ecjet në këmbë,shëtitjet, lojërat në mjedise të hapura. Nëse kini ashensor, është mirë të përdorni shkallët, të paktën pjesërisht. Biçikleta, këshillohet për të gjithë fëmijët (më mirë në grup) Kush ka një qen, të detyrohet ta nxjerrë për shëtitje, një shkak që fëmija të lëvizë, por dhe të largohet nga televizori e kompjuteri.
Si duhet të veprojë një nënë kur shikon që fëmija i saj po dhjamoset?
· Largoni nga guzhina produktet me shumë kalori (patatina, lëngje të sheqerosura, cokollata sallame, etj) dhe zëvëndësojini me me produkte me më pak kalori si fruta e lengjet e tyre të freskëta, keke me fruta të pargatitura vetë, akullore me fruta etj.



