“Dhuna me bazë gjinore është krim!” Çelet fushata 16-ditore kundër dhunës me bazë gjinore

Elona Tereziu, Blertina Koka, gazeta “Shëndet+”

“Dhuna me bazë gjinore është krim”. Kështu u shpreh Ambasadori i Suedisë, Johan Ndisi, në aktivitetin e zhvilluar sot nga shoqata “Together for Life” në kuadër të çeljes së fushatës UNiTE, të nismuar nga Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara “16 ditë aktivizëm kundër dhunës me bazë gjinore”, që mbështetet në Shqipëri nga Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara (UNDP) dhe Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Barazinë Gjinore dhe Fuqizimin e Gruas (UN Women), me fonde të qeverisë suedeze dhe në bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë.

T4L dhuna me baze gjinore 20

Në këtë aktivitet morën pjesë edhe ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi, përfaqësuesi i UN Women, David Saunders, përfaqësues të organizatave ndërkombëtare, UNDP dhe UNFPA, të institucioneve shtetërore, si dhe të rinj aktivistë të shkollave të mesme profesionale në kryeqytet.

T4L dhuna me baze gjinore

“Dhuna me bazë gjinore shpesh shihet si çështje familjare dhe për të nuk flitet. Por ne duhet të inkurajojmë njerëzit dhe jemi këtu për të advokuar kundër kësaj dhune”, u shpreh ambasadori Ndisi. Ai theksoi dëshirën, si dhe vullnetin që qeveria suedeze ka në mbështetjen e nismave kundër dhunës në familje. “16 ditët e aktivizmit mbyllen në 10 Dhjetor, Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, por edhe ditën e festimit të çmimeve Nobel. Le të emërtojmë në mendjet tona njerëzit që atë ditë do të fitojnë çmimin Nobel për punën e tyre kundër dhunës me bazë gjinore”, përmbylli z. Ndisi.

T4L dhuna me baze gjinore 19

David Saunders, përfaqësues i UN Women, u shpreh shumë krenar që tashmë lëvizjes HeforShe i janë bashkuar rreth 6000 burra dhe djem, të cilët po ndërmarrin veprime, po flasin kundër diskriminimit gjinor, për t’i dhënë fund dhunës dhe, për më tepër, për promovimin e barazisë dhe fuqizimin e grave dhe vajzave. “Sjellja juaj, veprimet tuaja, ndikimi juaj mund të ndryshojnë sjelljet shoqërore. Ju mund ta bëni realitet barazinë gjinore dhe eliminimin e dhunës ndaj grave”, tha Z. Saunders.

T4L dhuna me baze gjinore 17

“Duhet të kuptojmë se dhuna në familje nuk ndodh vetëm në familjet e varfra apo familjet që nuk janë të edukuara mjaftueshëm. Dhuna ndodh madje edhe në shoqëritë e zhvilluara”, u shpreh ministri Blendi Klosi. Duke falënderuar shoqatën “Together for Life” si organizatore, ai theksoi se aktivitete të tilla është e nevojshme të shkojnë përtej 16-ditëshit dhe të zgjasin gjatë gjithë vitit. “Tema të tilla duhet të jenë pjesë e debateve në çdo familje për të bërë të mundur që të vijë ndryshimi”.

T4L dhuna me baze gjinore 24

Koordinatorja e shoqatës “Together for Life” Eneida Mjeshtri u shpreh: “Dy motra janë dhunuar dje nga bashkëshorti i njërës prej tyre. Çdo ditë, ngjarja është pak a shumë e njëjtë: ndërrojnë vetëm aktorët. Ende në 2016-n, bota është një vend jo i lirë dhe i barabartë për gruan. Kjo duhet të përbëjë një shqetësim dhe keqardhje për cilindo prej nesh”.

T4L dhuna me baze gjinore 32

Në fund të aktivitetit, nxënësit e Shkollës Kombëtare Koreografike performuan me një kërcim të titulluar “Unë zgjedh të jetoj pa dhunë”. Gra të zonës së Novoselës, të cilat me fonde të UNDP Albania kanë ngritur  sipërmarrjen modeste sociale, “Duarartat”, ofruan shporta me punime të tyre dhe prodhime bujqësore biologjike të zonës, të cilat iu ofruan të pranishmëve për t’u blerë, si mënyrë promovimi i të tilla nismave të grave të zonave rurale, të cilat i ndihmojnë ato të fuqizohen ekonomikisht dhe të përfshihen në jetën shoqërore dhe komunitare.

9 T4L dhuna me baze gjinore 33 T4L dhuna me baze gjinore 31 T4L dhuna me baze gjinore 29 T4L dhuna me baze gjinore 28
T4L dhuna me baze gjinore 22
T4L dhuna me baze gjinore 13

Postime të ngjashme

Shkarkohet drejtori i Fondit të Sigurimit të Kujdesit Shëndetësor! Ja kush emërohet
Kastraveci: Këto janë përfitimet e tij më të rëndësishme
Çfarë dihet për rastet e hantavirusit të lidhura me shpërthimin vdekjeprurës në anijet turistike
Zakonet që do t'ju "shpëtojnë" nga fryrja e barkut
PCOS tani quhet PMOS. Çfarë duhet të dini rreth ndryshimit të emrit dhe çfarë do të thotë kjo për kujdesin
Sterilizimi, shtyhet seanca ndaj ish-ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqaj
Studimi i ISHP: Të rriten taksat për pijet me sheqer, të ulen për të shëndetshmet
Ngacmoi seksualisht pacienten 21-vjeçare, arrestohet kirurgu