Diabeti dhe humbja e peshës: Gabimet më të zakonshme që duhen shmangur

Mjekja endokrinologe Bariola Duro, e ftuar në ciklin e podcasteve “Obeziteti, le të flasim për të”, ka treguar disa nga gabimet më të zakonshme që bëjnë personat me diabet kur përpiqen të humbin peshë.

Sipas saj, një nga gabimet më të shpeshta është zgjedhja e dietave shumë strikte, me shumë pak kalori ose me konsumimin e vetëm një produkti të caktuar. Edhe pse mund të sjellin rënie të shpejtë në peshë, ato janë të vështira për t’u ndjekur dhe për t’u mbajtur në afatgjatë.

Një tjetër gabim është fokusimi i tepërt te numri i kilogramëve. Duro thekson se edhe një humbje modeste prej 5–10% të peshës mund të sjellë përfitime të rëndësishme metabolike, duke ndihmuar në përmirësimin e yndyrnave në gjak, ndjeshmërisë ndaj insulinës, tensionit arterial dhe uljen e rrezikut kardiovaskular.

Mjekja rendit gjithashtu humbjen e motivimit, veçanërisht kur rezultatet nuk shfaqen aq shpejt sa pritet. Sipas saj, rënia në peshë ka një ecuri normale: pas humbjes së konsiderueshme në fillim, mund të vijë një fazë “plateau”, ku pesha stabilizohet për një periudhë.

Gjumi dhe stresi kronik janë gjithashtu faktorë që shpesh neglizhohen, ndërsa një tjetër element i rëndësishëm është vlerësimi i medikamenteve që pacienti përdor, pasi disa prej tyre mund të ndikojnë edhe në peshë.

“Pjesën e dietave strikte e shohim shumë rëndomtë, që bëjnë dietë me një produkt të caktuar. Nuk mund të hash gjithë kohës një produkt, sepse ti humbet edhe larmishmërinë e ushqimeve”, shprehet Duro.

Postime të ngjashme

Shqipëria vijon të shuhet, lindjet ranë me 10.5% në T3, shtesë pozitive vetëm Tirana e Durrësi
4 shenja që tregojnë se keni mungesë magnezi
Trajtimi me medikamentet GLP-1 RA, mjekja zbulon gabimet më të zakonshme që bëjnë pacientët
Pagesat nga xhepi për shëndetësinë, Raporti i KE: Qytetarët paguajnë tri herë më shumë se mesatarja e BE-së
Mjekja zbulon dietat që janë efektive për rënien nga pesha
Përtej vitaminës D: Si ndikon drita e diellit në metabolizëm dhe sheqerin në gjak
Pudinga me copëza xhami në treg, AKU: Mos e konsumoni
Medikamentet GLP-1 RA: Çfarë duhet të presin personat me obezitet nga trajtimi me këto barna?