Kryefaqja Aktualitet Diabeti, përgjegjës për 30-40% të rasteve të rënda dhe vdekjeve nga Covid-19

Diabeti, përgjegjës për 30-40% të rasteve të rënda dhe vdekjeve nga Covid-19

0
Shpërndaje

Dr. Marjeta Kermaj, Endokrinologe, Q.S.U. “Nene Tereza” Tirane.

Nëse një individ ka diabet, duhet të bëjë patjetër vaksinën, pasi këta individë janë më të rrezikuar për të zhvilluar forma të rënda të sëmundjes nëse preken nga koronavirusi dhe vaksinat janë rruga më efektive për të parandaluar këtë gjë

Tashmë po bëjmë pothuajse dy vite nga fillimi i pandemisë së Covid-19. Si ka ndikuar kjo tek njerëzit e diagnostikuar me diabet?

Po, e vërtetë në 2019 mbarë bota, përfshirë dhe vendin tonë, u përfshin nga pandemia e një virusi të ri (SARS-CoV-2) që shkakton sëmundjen e Covid-19. Me qëllim reduktimin e përhapjes së këtij virusi, shumë vende përfshirë dhe vendin tonë morën një sërë masash kufizuese që ndikuan në jetën e përditshme të popullatës por, dhe kujdesin shëndetësor rutinë. Përsa i përket diabetit, një pjesë e individëve me diabet (kryesisht ata me diabet tip1) patën mundësi të kujdeseshin më shumë në drejtim të ekuilibrit të tij dhe patën ekuilibër të mirë të diabetit, një pjesë (kryesisht ata me diabet tip 2) për shkak të lokdoën-it ku aktiviteti fizik u reduktua shumë, reduktimit të vizitave në Qendrat Shëndetësore (nga frika e infeksionit) patën prishje të ekuilibrit të diabetit. Pjesa tjetër u prekën nga Covid-19 dhe jo të gjithë patën ecuritë mirë.

Individët me diabet a janë më të “kërcënuar” për t’u infektuar me covid-19?

Nuk ka të dhëna që të tregojnë që individët me diabet preken më shumë nga Covid -19 se popullata e përgjithshme. Por individët me diabet kane risk më të lartë për forma më të rënda dhe për t’u hospitalizuar në se ata preken nga Covid-19, se sa popullata pa diabet.

Nëse një individ me diabet preket nga covid-19, sa është probabiliteti për t’a humbur betejën me këtë virus?

Individët me diabet sidomos kur e kanë të paekuilibruar ate, janë më të rrezikuar për komplikacione në se preken nga sëmundja e Covid-19, krahasuar me popullatën pa diabet. Janë këto komplikacione që cojnë në humbjen e betejës me këtë sëmundje. Individët me diabet janë të rrezikuar 3-4 herë më tepër se popullata pa diabet për ta humbur këtë betejë, dhe ky rrezik shtohet më tepër në se ata janë obezë, në se vuajnë dhe nga sëmundjet e zemrës, hipertensioni, sëmundjet e veshkave etj.

A keni ju një shifër se sa individë të diagnostikuar me diabet janë prekur nga Covid-19, dhe sa prej tyre janë shëruar apo kanë humbur betejën me këtë virus?

Këtë gjë nuk e kam por mund të them që nga studimet e bëra në këtë periudhë në vendet e ndryshme të botës del në pah roli kycc që ka sëmundja e diabetit në pandeminë Covid-19 dhe si kjo pandemi ndikoi në popullatën diabetike. Nga këto studime është parë që diabeti është përgjegjës për 30-40% të rasteve të rënda dhe vdekjeve. Rreth 30% e individëve të hospitalizuar me formë të rëndë të Covid-19 dhe 40% e vdekjeve kanë diabet. 20-40% e individëve me diabet që preken nga koronavirusi zhvillojnë forma të rënda të sëmundjes që kërkojnë hospitalizim dhe kujdes mjekësor intensiv me vdekshmëri nga 20-30%.

Përse një individ me diabet është më shumë i riskuar për t’u prekur nga Covid-19?

Një individ me diabet është më i riskuar për të bërë forma më të rënda për shkak të komplikacioneve të ndryshme.

Faktorët potencialë që favorizojnë këto komplikacione tek një individ me diabet dhe Covid-19 janë: Prishja e ekuilibrit të diabetit, sidomos rritja e menjëhershme e glicemive, modifikimi i sistemit imunitar, përgjigjet inflamatore dhe modifikimet e koagulimit, obeziteti shoqërues, sëmundjet kardiovaskulare, sëmundjet renale, infeksionet shoqëruese.

Çfarë mund të na thoni për të gjithë ata, të cilët janë të diagnostikuar me diabet?

Të mbajnë sa më të ekuilibruar diabetin duke monitoruar glicemitë disa herë gjatë ditës dhe modifikuar mjekimin sipas vlerave të tyre (sidomos ata që janë nëntrajtim me insulinë). Të ushqehen shëndetshëm dhe të ruajnë komunikimin e regullt me mjekun e familjes dhe Endokrinologun për të pasur në kontrollin e duhur ecurinë e sëmundjes.

Sa e rëndësishme është vaksina anti-Covid për individët me diabet? Dhe a ka ndonjë kriter se cilën nga llojet e vaksinave mund të marrin këta persona?

Nëse një individ ka diabet, duhet të bëjë patjetër vaksinën, pasi këta individë janë më të rrezikuar për të zhvilluar forma të rënda të sëmundjes nëse preken nga koronavirusi dhe vaksinat janë rruga më efektive për të parandaluar këtë gjë. Të gjitha vaksinat e Covid-19 janë të sigurta për individët me diabet. Nuk ka të dhëna që diabetikët kanë më shumë efekte anesore nga vaksinat, se ata pa diabet. Por matja e glicemisë disa ditë pas bërjes së vaksinës ka shumë rëndësi për të menaxhuar rritjen e glicemisë, pasi vaksina nxit përgjigjen imunitare dhe kjo mund të shoqërohet me rritjen e glicemive.

 A ka pasur stepje nga pacientët me diabet për t’u paraqitur pranë Qendrës Shëndetësore, për konsultë mjekesore gjatë kohës së pandemise? Pra si e shihni ju krahasuar me dy vite më parë numrin e pacientëve?

Sigurisht që ka pasur stepje, pasi spitali apo Qendrat Shëndetësore mendohen si vendi ku koronavirusi mund të merret më lehtë, pasi supozohet që të sëmurët me Covid-19 do vizitohen tek mjeku apo do shtrohen në spital. Numri i pacientëve gjatë periudhës së mbylljes, nuk di ta them me saktësi statistikore, por ka qenë i ulët. Tani që një pjesë e mirë e popullatës janë vaksinuar, kjo stepje ka filluar të largohet dhe numri po rritet gati njëlloj sa para pandemisë.

A keni ju një mesazh sensibilizues për të gjithë individët me diabet, se si të mbrohen duke mos u infektuar me Covid-19?

Covid-19 është vlerësuar si një sëmundje më serioze se gripi stinor për cdo individ përfshirë dhe ata me diabet. Duhen respektuar të gjitha ato rregulla standarte të rekomanduara gjerësisht për të parandaluar prekjen nga ky virus (maska, higjena e duarve, distancimi social etj).

 

Intervistoi: Xhoana Çollaku

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here