Kryefaqja Aktualitet Digjitalizimi i shëndetësisë, dështimi që kushton 32 milionë euro

Digjitalizimi i shëndetësisë, dështimi që kushton 32 milionë euro

0
Shpërndaje

 

Denisa Canameti

“Ka një orë që pres në radhë. Më ka regjistruar mjekja e familjes dhe më tha që nuk do pres. Asnjë gjë nuk ka ndryshuar. Presim te dera derisa të na vijë radha”, shprehet pacientja L.C, e cila po pret te dera e kardiologes në një nga poliklinikat e kryeqytetit.

Edhe pas nisjes së sistemit online te referimit, radhët dhe pritjet e pacientëve duket se nuk kanë marrë fund. Pacientët vazhdojnë të presin me orë të tëra për të kryer vizitën. Veç kësaj, kanë përplasje oraresh me njeri tjetrin, dhe më së shumti referimi i mjekëve të lagjes nuk është bërë përmes sistemit elektronik.  Sipas sistemit online, mjekët e familjes nuk mund të prenotojnë më shumë se 7 vizita brenda një fashe orari.  Por, cila është zgjidhja që kanë gjetur mjekët e familjes? Fotokopjojnë letër-rekomandimet dhe shumë prej pacientëve i pajisin me këtë letër rekomandim. Megjithatë, kjo praktikë nuk e zgjidh problemin, pasi ka shumë mjekë specialistë që nuk e pranojnë rekomandimin në letër.

“Kemi pasur raste që nuk i kanë pranuar pacientët pa pasur rekomandimin elektronik”, shprehet një nga mjeket e familjes e pyetur nga gazetarët e Shëndet plus.

Takimi me specialistin gjithmonë kryhet një apo disa ditë pas vizitës tek mjeku i lagjes. Por, përcaktimi i ditës është kthyer në një tjetër problem për disa nga Qendrat Shëndetësore.  Nuk punon opsioni i datës! Pra, mjeku i familjes, edhe pse e bën referimin elektronik, nuk mund ta përcaktojë datën e vizitës për pacientin.

Nuk kanë qenë të pakta raportimet e sjella nga terreni për kaosin e krijuar në dyert e poliklinikave, për shkak të mungesës së organizimit, situatë e cila u shpresua të merrte fund me referimin elektronik. Për një vizitë me mjekun specialist pacientit i duhej të priste me orë të tëra, duke krijuar jo në pak raste edhe konflikte. Mungesa e specialistëve në disa Poliklinika, ka ngarkuar Poliklinikën tjetër, apo të paturit e vetëm një mjeku specialist në x specialitet ka bërë që për një ditë numri  i konsultave te ai mjek të ketë shkuar edhe mbi 50. Referimi elektronik duket se nuk e ka ndryshuar situatën për shumë mjekë specialistë.

“Vazhdoj të kem fluks pacientësh. Pres pacientë si përmes referimit elektronik, por shpesh edhe me letër rekomandim. Nuk mund ta kthej pacientin mbrapsht”, shprehet një nga mjeket e pyetura, pa dashur të identifikohet me emër.

Një situatë e tillë sigurisht nuk garanton cilësi të shërbimit ndaj pacientit, duke shkelur kështu Kartën e të drejtave të Pacientit në pikën 7 dhe 8 të saj:

“E Drejta për Respektimin e Kohës së Pacientit”

Mjekët duhet t’i kushtojnë kohë të mjaftueshme pacientëve të tyre, përfshirë kohën dedikuar dhënies së informacionit. 

“E Drejta për të marrë shërbim shëndetësor Cilësor të Standardeve të larta”

Çdo pacient ka të drejtën për një shërbim shëndetësor të cilësisë së lartë bazuar në specifikimet dhe respektimin e standardeve të sakta dhe të miratuara.

E drejta për shërbim shëndetësor cilësor kërkon që institucionet e kujdesit shëndetësor dhe profesionistët të ofrojnë nivele të kënaqshme të performancës teknike, komforte dhe marrëdhënie njerëzore. Kjo nënkupton specifikimin dhe zbatimin e standardeve të miratuara të cilësisë, të caktuara nga një procedurë e paracaktuar publike dhe konsultative, që rishikohet dhe vlerësohet periodikisht nëpërmjet akreditimit”.

Ministria e Shëndetësisë premtoi t’i japë fund sorollatjeve të pacientëve

 

Për të shmangur këto radhë tejet të lodhshme për pacientët, por edhe për vetë mjekët, në të 36 qendrat shëndetësore në Tiranë edhe në 4 poliklinikat e specialiteteve për herë të parë u përfshi një sistem i ri, referimi elektronik dhe ekzaminimin elektronik. Ky sistem, pretendohej se do të ndihmonte qytetarët që të  shmangin radhët e gjata të pritjes te mjeku specialist, duke vendosur nëpërmjet sistemit elektronik orën, datën e vizitës dhe sigurisht ndihmon mjekët për të pasur aktivimin e të gjithë diagnozës së pacientit dhe shërbimet që ofron. “Nuk do të jetë më e nevojshme që pacienti të sorollatet me letra në dorë e vula pa fund për të kryer një vizitë të specializuar”.

Pacienti paraqitet me kartën e shëndetit. Në kartën e shëndetit është e shkruar ID, menjëherë fitet ne sistem ID, në momentin që futet ID dalin të dhënat e pacientit. Shkruajnë të gjitha ankesat e pacientit, institucionin në të cilën zgjidhet, është poliklinika, zgjidhet specialiteti, pyetet pacienti për ditën dhe orën kur do pacienti. Në këtë rast, datën e nesërme dhe fashën 08:00-10:00.

Ky lehtësim nuk i ka kushtuar pak buxhetit të shëndetësisë. Në një deklaratë në faqen e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, bëhet  e ditur se investimet e kryera deri më sot, së bashku me ato që janë në zbatim e sipër dhe që pritet të fillojnë së shpejti për digjitalizimin në shëndetësi, arrijnë në total vlerën e konsiderueshme prej 36 milionë eurosh. “Praktikisht, për çdo shqiptar kemi shpenzuar dhe po shpenzojmë 12 euro vetëm për digjitalizimin,” theksohet në deklaratë duke shtuar se “nga pikëpamja e autentifikimit me nënshkrimin elektronik, shëndetësia publike është sektori më i avancuar në Shqipëri në këtë drejtim”.

Ministria merr masa disiplinore ndaj mjekëve të familjes

Sistemi i referimit elektronik nuk po penalizon vetëm pacientët, por edhe mjekët, të cilët po marrin masa disiplinore nga Ministria e Shëndetësisë.

T’i jepet masë disiplinore me shkrim mjekes X, mjeke familje pranë XY, për moszbatim të Urdhrit Nr. 576, datë 16.12.2017 për disa ndryshime në Urdhrin Nr.28, datë 26.01.2016, “Për sistemin e referimit dhe tarifat e shërbimit shëndetësor publik”.

Ky është teksti i shkresës që ka mbërritur në duart e disa mjekëve të parësorit. Ministria e Shëndetësisë ngre pretendimin që këta mjekë nuk kanë respektuar sistemin elektronik të referimit.

Këto masa disiplinore për mjekët e familjes, për moszbatimin e sistemit të referimit elektronik, kanë ngjallur pakënaqësi. Mjekja, e kontaktuar nga “Shëndet plus”, sqaron se kjo situatë nuk ka ndodhur për shkak të mosrespektimit të punës nga ana e saj. Por, sepse sistemi nuk punon.

“Mjekun specialist ku duhet ta referoj unë pacientin, nuk ma njeh sistemi fare”, shprehet mjekja.

Perceptimi qytetar: Nuk respektohet e drejta e kohës së pacientit

Në një anketim të hapur online, në faqen e Pro Pacientit, ku qytetarët u pyetën për pikën 7 të Kartës së të Drejtave të Pacientit, rezulton se 57% e tyre mendojnë se kjo pikë nuk respektohet.

****************

“Ky suplement mbështetet financiarisht nga projekti: “Transparenca në sistemin shëndetësor”, që mundësohet nga mbështetja e Popullit Amerikan nëpërmjet Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID). Përmbajtja e këtij materiali është përgjegjësi vetëm e “Together for Life” dhe nuk reflekton detyrimisht pikëpamjet e USAID apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara”.

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here