Dorjan Fataj, muskujt vetëm falë vullnetit

doriani 3

Vullnet hekuri për të arritur ato gjëra që dikur ishin ëndërr. Kështu mund t konsiderohet Dorjan Fataj, i cili kapërcen edhe idhujt. Dikur ëndërronte të bëhej si Arnold Zhvarceneger, Van Dami apo Silvestër Stalone. Sot është i tillë dhe u bë i tillë vetëm falë qëllimeve. Një sportist tej mase i përpiktë në regjimin ushqimor, në stërvitje apo në  jetë. Megjithëse disa herë kampion, ai thotë se ndihet i shkurajuar për faktin se ka vetëm dekorata, por jo shpërblime financiare. “Më është dashur të shpenzoj të gjitha kursimet e mija për të marrë pjesë në konkurset kombëtare”, – thotë Fataj. Gjatë kësaj kohe po bënte stërvitje në prag të kampionatit mbarëkombëtar që do të bëhet në Prishtinë dhe nuk harron të përsërisë mesazhet për miqtë dhe të rinjtë e dhënë pas këtij sporti. Informacioni i mirë, këshillat e mjekut dhe dieta ushqimore janë pikat kryesore. Dori është i tillë për shkak të konstruktit, megjithëse ai thotë se shoqëria shqiptare ka nevojë për modele të mira të sportistit dhe kjo i bën njerëzit të gjallë, gjithë energji për të përballuar vështirësitë e përditshme. Perga gazeten Shendet Plus, sportisit shpjegon me detaje rreth jetes se tij.

Si ju lindi ideja për tu marrë me këtë sport?

E kam pasur pasion. Shikoja trupat e bukur nëpër filma. Një herë e një kohë, modelet e mija kanë qenë: Arnoldi, Van Dami, Silvestër Stalone, etj. Por ishin ëndrra. Tani, teksa i shoh, ata nuk janë para syve të mi të tillë. Ata më duken të vegjël. Van Dami dhe Stalone nuk më hyjnë më në sy ( qesh).

Po ku nisi pasioni juaj për palestrën dhe trupin e bukur?

Në moshën 16-vjeçare shkova në Gjermani. Kam jetuar për disa vite në një zonë të Berlinit. Sapo kisha zënë punë kur një kolegu im, (me shtetësi italiane) më ftoi që të shkonim në palestër. Nuk kisha qenë më parë. E kisha shumë pasion. Kur u futëm brenda nuk e dija se çfarë të bëja. Por, shikoja mikun tim italian dhe instruktorin dhe veproja në të njëjtën mënyrë. Në atë kohë nuk bëja palestër me instruksione të qarta. Kur e nisa palestrën isha 75 kilogram. Kisha ide që në fillim për të bërë stërvitje dhe për të pasur një trup shumë të mirë. Shkoja gjashtë herë në javë bëja stërvitje. Në kohën e drekës, nga ora 2.30 – 5 pasdite. Kam bërë më shumë se dy vjet stërvitje.

Kur e kuptuat se keni trup të bukur?

Gjatë kohës së qëndrimit në Gjermani më bënte përshtypje një djalë i ri gjerman. Ai ishte 80 kilogram. Thosha shpesh se do të bëhem si ky. Por më vonë kuptova se në këtë sport, duhet të jesh, pa duhet të bëhesh. Si linjë trupore e kam pasur vetë. Nëse dikush e ka konstruktin normal jep më shumë rezultate. Unë kam marrë nga tiparet fizike të të dyve.

Po pastaj si ecën punët dhe planet e tua drejt këtij sporti?

Kur u ktheva nga Gjermania u vendosa në Sarandë, te familja ime. Në qytetin bregdetar ishte një palestër e cila nuk ishte vënë në punë. E vura në funksion dhe punova përkohësisht në të si instruktor. Më pas jam zhvendosur në Tiranë. Që prej vitit 2004 dhe deri më sot kam parë disa palestra dhe kam qenë klient aty.

Së fundi stërvitjet e mija i bëj te një palestër në Kombinat të cilën e drejton Abdul Fauaz. Ai ka një palestër force dhe realisht aty nisa stërvitje profesionale. Ai më ndihmoi përsa i përket dietës. Për dy muajt e parë të stërvitjes atje kam rënë nga 115 kilogram në 89 kilogram. Vetëm me stërvitje dhe dieta, të alternuara në mënyrë të saktë dhe profesionale.

Kur nisi gara në këtë lloj sporti për ty?

Duke parë konstruktin e trupit dhe në konsulencë me miqtë, vendosa që të garoja në vitin 2005 në një kampionat që bëhej në Akademinë e Arteve. E bëra thjeshtë për krijuar një ide se çfarë të dhënash kisha dhe cilët ishin konkurrentët e mijë.

Në vitin  2009 kam hyrë në garë duke shpenzuar energjitë e mija maksimale, por duke shpenzuar edhe financiarisht. Në kampionatin Kombëtar të Body-Building në vitin 2009 zura vendin e dytë. Ndërsa një vit më pas, në vitin 2010 zura vendin e parë.

Në vitin 2011 nuk kam garuar .

Përse nuk garuat? Çilat ishin pengesat?

Body Building në Shqipëri është një sport pa para. Ka vetëm stimuj. Nuk ka dieta. Nuk përfiton as trajtime nga shteti apo kompani që financojnë këtë sport. Federata Kombëtare e Body Bulding-ut në Shqipëri nuk ka fonde. Drejtuesit e saj shprehen se nuk përfitojnë asnjë financim nga shteti. Ata thjeshtë shpërndajnë medalje.

Edhe në aktivitetin e datës 6 tetor 2012  që pritet të zhvillohet në Prishtinë, të gjitha kostot e pjesëmarrjes dhe stërvitjes po i heq nga buxheti im. Për një sportist kostoja mujore arrin mbi 2000 euro.

A keni marrë pjesë në ndonjë kampionat rajonal ose ndërkombëtar?

Deri më tani nuk kam marrë pjesë në asnjë aktivitet ndërkombëtar për shkak kryesor ka qenë kostoja e madhe financiare që të kërkon stërvitja. Edhe për të marrë pjesë në aktivitetin e Kosovës, jam detyruar që të lë punën prej dhjetë ditësh.

Cilat ushqime konsumoni gatë stërvitjes?

Baza janë ushqimet me proteina. Shmang përdorimin e vajit. Që të gjitha ushqimet që konsumoj gjatë vakteve duhet të merren në masën e duhur.

A përdorni suplemente gjatë stërvitjes?

Përdor proteinë gjatë kohës së stërvitjes. Instruktori i palestër më orientoi drejt përdorimit të suplementeve. Në vitin 2009 kam bërë dietën e parë. Sa më shpesh që ta bësh, edhe trupi mësohet. Në atë vit e pashë veten 100 ndryshe falë efekteve që kishte krijuar mbajtja e dietës.

A ju ka ndodhur ta prishësh dietën?

Dieta kërkon rregulla strikte. Jeta, angazhimet, puna, stresi dhe problemet psikologjike, të vënë në dilema të mëdha. Aq më tepër, kur nuk merr shpërblime financiare në gara.

Kur je në dietë, si ndryshon gjendja juaj?

Pasioni më bën që të merrem me këtë lloj sporti. Ka momente që ndodhem në dilemë dhe them se nuk ia vlen që të merrem. Ka momente që më bëjnë të ndihem krenar.

Po në palestër çfarë zgjedh? Me çfarë merresh?

Kur jam në fazë përgatitore, merrem me cardio; 35-45 minuta ecje të shpejtë. Po ashtu, gjatë stërvitjes normale bëj ecje të shpejtë. Ecja e shpejtë djeg më shumë kalori. Nuk bëj vrap siç e aplikojnë disa.

Po gjatë stërvitjes normale, në periudha kur nuk ka gara?

Gjatë periudhës normale, jashtë garës, përzgjedh ushqimin pa yndyrna, me shumë proteina. Në këtë lloj sporti, 75 përqind e suksesit i dedikohet ushqimit që përdor, dhe 25 përqind është palestra. Palestër bëj 5-6 herë në javë, në mënyrë të rregullt, ndonëse nuk kam gara.

Çfarë këshillash keni për ata që merren me këtë lloj sporti?

Dua të ndaj me ju një problem. Këtu në Shqipëri mungojnë ekspertët për konsultë.

Ata që duan të merren me këtë lloj sporti, së pari duhet të kenë lekë, dhe duhet që të informohen mirë në mënyrën sesi duhet të merren me këtë sport. Për këtë duhet një instruktor i mirë dhe duhet të kesh një informacion shumë të saktë që të merresh me këtë sport.

I them këto sepse nëse mban dietë, duhet të ruash masën. Duhen të bëhen kontrolle të shpeshta.  Mjekët më këshillojnë kur konsultohem për ndonjë shqetësim, që të mos merrem me këtë lloj sporti. Por ndodhin shpesh edhe përplasje kur iu them se marr proteinë. Ata kanë keqkuptime të mëdha në lidhje me këtë çështje.

A keni pasur deri më tani probleme shëndetësore për shkak të përdorimit të proteinës.

Jo. Këtë e them edhe bazuar në kontrollet mjekësore që kam bërë deri më tani.

Çilat janë sekretet për të pasur një trup ideal?

Trupi ideal kërkon kushte dhe mundësi. Nëse do të isha jashtë Shqipërisë, do të shumë herë më mirë. Kam arritur në një fazë ku trupi ka një gjendje profesioniste.

Kam bërë 13 vjet stërvitje, kam mbajtur dietë. Por vullneti më ka çuar në këtë formë që jam aktualisht.

PORTRET

Kush është Dorjan Fataj

Dorjan Fataj është vetëm 30 vjeç dhe sot për sot konsiderohet një nga trupat më të veçantë në Shqipëri. Ka lindur më 10 mars 1982 në një fshat të Skraparit. Ka përfunduar shkollën e mesme dhe më pas ka provuar emigracionin. Ka punuar për disa vjet në Gjermani ( në një zonë në Berlin ) dhe më pas është rikthyer në Sarandë. Më pas erdhi në Tiranë. Që prej vitit 2005 dhe në vazhdim i është përkushtuar në mënyrë profesionale sportit të Body-Building, ku është shpallur në vitin 2009 dhe 2010 kampion Shqipërie. Tani ndodhet në prag të garës për trofeun e trupit më të bukur në trojet shqiptare, aktivitet që do të zhvillohet në 10 ditëshin e parë të muajit tetor 2012. Dori punon në Aeroportin Ndërkombëtar të Rinasit dhe këtë periudhë i duhet që të bëjë sakrifica duke lënë punën për kampionatin që pritet të zhvillohet së shpejti.

 

Regjimi ushqimor gjatë stërvitjes

 

Përdor karbohidrate të pastër ose proteinë të pastër

Patate e zier, pilaf i zier, peshk, biftek viçi. Të gjitha këto janë pa yndyrë.

Zarzavatet që përdor janë brokoli, sallatë jeshile.

Nga frutat përdor tre kokrra mollë jeshile.

Përdor mysli në mëngjes deri në dy filxhanë kafe me ujë dhe proteinë

 

Bodybuilding, një histori 18-vjeçare suksesesh dhe sfidash

Badibildingu shqiptar e ka historinë në vitin 1993. Ndërsa në botë ai ka një histori më shumë se gjysmëshekullore, në vendin tonë ka shënuar rritje, falë edhe pasionit të të rinjve shqiptarë, por njëherësh edhe nga fakti se ka prekur në elementët thelbësor të arketipit të burrit. Nga viti 1997 deri në vitin 2003 nuk janë zhvilluar kampionate në Shqipëri. Shqipëria u bë dhe anëtare e Federatës Ndërkombëtare të Bodybuiling-ut (qershor 1996), gjatë Kampionatit Europian, ku vendi ynë u prezantua në skenë me Rando Kukelin. Shqipëria ka marrë pjesë disa kampionate Botërore, Europiane, Mesdhetare dhe Ballkanike.

Federata është drejtuar ndër vite nga Rando Kukeli dhe dr. Flamur Topi. Kukeli është aktualisht shefi i kësaj Federate.

Ndër sportistët më të njohur të këtij sporti që në vitet e para të tij në Shqipëri janë, Rando Kukeli, Rudin Tugu, Ilir Lalica, Dorian Kalo, Sokol Mati, Ilir Hushi, Hasan Ranxha, Urim Muja, Kujtim Pershpali, Nikollaq Muço, Halim Hysa, Marin Meksi, etj.

Disa prej tyre kanë fituar trofe të rëndësishme në kampionet ndërkombëtare. Kohët e fundit këtë sport kanë nisur ta preferojnë edhe femrat, në gjë e re për vendin tonë, ndërsa në SHBA apo Europë përfshirja e tyre në këtë sport dhe në kampionate është kthyer në një praktikë tradicionale prej disa dekadash. Njëra prej tyre është Anisa Murataj.

Tashmë në Tiranë ka me dhjetëra palestra cilësore. Aty nuk bonifikon vetëm trupin, por ke të gjitha mundësitë për tu ushtruar në sporte të tilla si Bodybuilding, apo aerobi artistike. Po ashtu, një pjesë e palestrave ka edhe suplementet dietike, si dhe instruktorë që i njohin teknikat dhe praktikat e ushtrimit të këtyre sporteve

 

Postime të ngjashme

“Është makth”- Gazetarja Mira Kazhani tregon betejën me kancerin e gjirit
11 personazhe të famshëm që kanë folur hapur për çrregullimet e tyre të tiroides
Aktori Stanley Tucci flet për efektet e rënda anësore të trajtimit me rrezatim për kancerin
Papa Françesku ka një infeksion polimikrobik të rrugëve të frymëmarrjes. Çfarë është dhe sa serioze është?
Mirela Kuka, nga Shqipëria në San Raffaele: Drejtoj një ekip kërkimor mbi sistemin imunitar, në Itali realizova ëndrrën time
Kate Middleton përfundon seancat e kimioterapisë dhe publikon një video-mesazh emocionues
Mjeku shqiptar 25 vjet kardiokirurg në Itali: E vështirë të lësh vendin, por rezultati i karrierës sime më dha të drejtë
“Do të zvarritem…”/Celine Dion flet sëmundjen e rrallë neurologjike në dokumentarin e ri dhe jo vetëm!