Kryefaqja Femijet Edukatore Rajmonda: Në 23 vjet, njoh çdo fëmijë që i kam dhënë...

Edukatore Rajmonda: Në 23 vjet, njoh çdo fëmijë që i kam dhënë mësim

0
Shpërndaje

 

Bisedoi: Denisa Canameti

Edhe pse studioi për të qenë ekonomiste, rrjedha e jetës e çoi drejt mësimdhënies, prej së cilës nuk hoqi dorë asnjëherë. Rajmonda Dodi është emri i edukatores që punon në kopshtin numër 19. Ka 23 vite në këtë profesion, pjesë e të cilit u bë falë projekteve në vitin ’92. Me edukatore Rajmondën na prezanton drejtoresha e këtij kopshti, Viola, e cila e cilëson si një nga punonjëset më të përkushtuara, si dhe e dalluar në marrëdhëniet  me fëmijët me aftësi të kufizuara.

“Këtu të gjithë mësuesit janë në profilin e duhur. Një pjesë e mirë e mësuesve janë me përvojë 20-vjeçare dhe janë mësuese mjeshtre. Zgjodha mësuese Mondën sepse ajo ka një përvojë paksa më të gjatë dhe më të veçantë me fëmijet më probleme të shëndetit mendor. Gati çdo vit ka pasur nga 3-4 fëmijë në grupin e saj. Na kanë ardhur 4 edukatore të reja dhe i kam vendosur me edukatoret që kanë mbi 20 vite punë”, shprehet drejtuesja e kopshtit.

Teta edukatore Rajmonda, sa vite keni që i përkushtoheni punës me fëmijët?

Kam 23 vite pune në kopësht. E kam nisur për herë të parë në dhjetor të 1994-s, në Durrës. Sepse atje kam jetuar. Kam qenë pjesë e programit “Step by Step” që zbatohej nga SOROS-i. Kam zbatuar programin e SOROS-it në arsimin parashkollor. Disa vite më vonë erdha në Tiranë dhe u emërova te kopshti numër 42.

Puna e edukatores ka qenë një zgjedhje e dëshiruar apo rastësi?

Në fakt, unë kam mbaruar për ekonomi politike dhe kam punuar 5 vjet ekonomiste. Pasi erdhi demokracia, u mbyll puna ku po punoja. Diku në 1992-n erdhi projekti i SOROS-it dhe thanë që kush do të punojë në kopshtet e shtetit, por me programin tonë. U bë një thirrje. Kisha avantazh se kisha dhe fakultetin. Bëra konkursin, u trajnuam shumë. Ishte projekt pilot 5-vjeçar dhe ne ishim asistente mësuese, ishim midis eduktores dhe asistent-edukatores.

Nga ekonomia te mësimdhënia… A kanë ndonjë pikë takimi midis tyre dhe a ke ndonjë peng që nuk ke mundur ta ushtrosh profesionin për të cilin studiove?

Do të doja ta ushtroja profesionin tim. Ishin vite ku edhe unë “u zura mat” sepse linda vajzën. Kur lind, ndryshojnë përparësitë. Përparësi ishte fëmija, por edhe punës nuk i jam shkëputur asnjëherë. Në këtë lloj vazhde të punës që kam unë, asnjëherë nuk jam penduar. Pasi linda vajzën bëra edhe fakultetin për ciklin parashkollor. Më kanë ofruar që të kaloj në gjimnaz dhe të jap lëndën time, por nuk kam pranuar.

A ka pika takimi? Nga pikëpamja e marrëdhënies me njerëzit, ka shumë pika takimi.

Si është marrëdhënia juaj me fëmijët dhe si ka ndryshuar “profili” i fëmijës në vite?

Përpiqem të krijoj marrëdhënie shumë të mira me fëmijët. Madje gjithmonë i pyes prindërit: A keni ndonjë gjë për të thënë? A vijnë me dëshirë fëmijët në kopësht? Sepse ky është tregues jo i vogël. Kur thonë që vijnë me dëshirë, është kënaqësia më e madhe. Se me prindërit për 3 vite vështirë që t’ua realizosh të gjitha.

Profili i fëmijës ka ndryshuar. Në ’94-n kur është zbatuar projekti i SOROS-it, Shqipëria ishte shumë e etur për dije dhe nuk kishte një strukturë arsimore të ngritur. Ne jepnim mësim në ajër se nuk kishim programe të mirëfillta dhe nga ana institucionale kopshtet nuk funksiononin siç duhet. Me kohën gjërat ndryshuan. Më e rëndësishmja është se prindi e mësoi se edukimi është një e drejtë. Prindërit u edukuan. Edhe ne jemi edukuar që kjo punë është detyrim yni dhe e drejtë e fëmijëve.

Sot është futur edhe teknologjia. Fëmijët e kanë informacionin në duar dhe kjo na bën edhe më të përgjegjshëm. Fëmijës duhet t’i japësh informacion të saktë. Që kur të shkojë në klasë të parë të shkojë i përgatitur. Mësuesit e klasës së parë janë heronj. Gjithë këtë informacion që nxënësi e merr në kopësht, e kanalizojnë vetë ata. Kam një rast me një fëmijë. Më thotë një prind:

-Zysh Monda, më ka thënë zysha e klasës së parë, bëji shumë të fala edukatores së vajzës, por më ka nxjerrë shumë probleme.

-Pse? – i thashë.

-Sepse sa filloj të shpjegoj, fillon fëmija: Këtë na e ka thënë dhe edukatorja.

Ne kemi një standard me klasën e parë, pra shkojmë paralel.

Në marrëdhënie me fëmijët a ndodh që të krijoni diferencime, të krijoni afeksion të veçantë?

Në  marrëdhënie me fëmijët jam shumë e dashur, por dhe autoritare. Autoritet do të thotë që u mësoj marrëdhënien me njëri-tjetrin dhe me të rriturit. Gjithashtu u shpreh shumë dashuri, por jo t’i diferencoj fëmijët. Nuk bëj shumë dallime. Është njerëzore që të krijosh pak më shumë afeksion, por ne jemi të rritur dhe në gjendje të kontrollojmë emocionet.

A është në gjendje edukatori të dallojë talente apo është herët që një fëmijë të tregojë prirje të veçanta në këtë moshë?

Patjetër që po. I shikojmë që një nxënës për shembull është i dhënë pas plastelinës. Shohim dhe familjen. Se gjeni është gjen. Secili prind plotëson një formular ku shkruhen edhe këto gjëra, pra një lloj historiku familjar. Fëmijët marrin fjalorin e punës së prindit. Nëse një vajzë ka mamin parukiere, atë gjë do të vijë të bëjë dhe këtu. Pra, të krehë një kukull, ta modelojë, bën atë lloj roli. Një fëmijë që do mësuesinë, vazhdimisht kërkon të dalë para grupit dhe të bëjë rolin tim.

Edukatoret gjithashtu luajnë edhe rolin e mjekut. Kemi jo pak raste fëmijësh që prindi ende nuk i kanë kuptuar që kanë probleme shëndetësore dhe ne i idenifikojmë. Këto t’i mëson përvoja.

Kam rastin e dy fëmijëve ku në rastin e parë mamaja nuk e kishte kuptuar fare që fëmija i saj ishte autik. Ndërsa në rastin e dytë prindi nuk kishte treguar. Nuk kishte sjellë raport mjekësor. Kur i identifikojmë këto raste, bashkëpunojmë të gjithë si staf bashkë me psikologen e kopshtit. Në kopësht kemi komisionin e fëmijëve, kemi drejtoreshën, mjeken e shkollës, prindërit, psikologen dhe bashkëpunojmë. Por identifikimin e parë e bën edukatorja. Unë në grup kam fëmijë me sindromën daun dhe me autizëm.

Thonë që këta fëmijë shfaqin talente në fusha të caktuara…

Po, është e vërtetë.  Një fëmijë kishte talent kompjuterin. Një tjetër fëmijë autik ngjyros kaq bukur dhe kaq brenda kontureve. Ka një ngjyrosje të durimit maksimal. Kjo arrihet me punë. Se në fillim vijnë agresiv. Më ka ndodhur që një djalë autik të bëhej agresiv me fëmijët. Një herë tentoi t’i fuste gishtin në sy një fëmije tjetër. Sigurisht, isha aty dhe nuk ndodhi asgjë. Nuk e dënova, as nuk i thashë që nuk ka gjë. Por u drejtova nga fëmijët e tjerë dhe thashë: “Shikoni fëmijë, shoku juaj është i mërzitur me ju. Ai nuk donte ta dëmtonte shokun. Thjesht po i kërkonte që t’i buzëqeshte me sy”. Dhe kjo është kthim për fëmijën. Kemi dhe një rast fëmije sivjet pak më rëndë. Çdo kohë e dedikuar ndaj një fëmijë me aftësi të kufizuara, i heq kohën një fëmijë tjetër. Dhe prindi është goxha i ndjeshëm në këto raste. Vjen dhe kërkon llogari. Nëse mësuesja arrin ta socializojë këtë fëmijë, e ka fituar atë “luftën” e vet.

Fëmijë në situatë rruge…

Aktualisht nuk kemi, por kam punuar me to. Kam punuar në një kopësht ku 70% e fëmijëve ishin nga rruga.

Pse është i vështirë integrimi i këtyre fëmijëve?

Problemi janë prindërit. Prindërit janë mësuar me atë mënyrë jetese. Kuptohet kanë mangësi ekonomike dhe social kulturore. Janë prindër me “profesione” rruge, sepse fatkeqësisht janë kthyer në profesione. Janë gra të dhunuara dhe të paintegruara. Por di të them një gjë: Atyre fëmijëve po u dhe mbështetje si morale dhe arsimore të kuptojnë shumë mirë, në minutë. Fëmijët të japin shumë mirënjohje.

Meqë jemi të mirënjohja, po nga instancat shtetërore a mendoni se keni marrë mjaftueshëm vlerësim për gjithë këtë investim në mësimdhënie?

Po, ndihem e vlerësuar sepse më është dhënë mundësia për trajnime dhe programe të ndryshme ku kam mundur të zhvilloj veten profesionalisht. Se në përballje me fëmijën, duhet të jesh shumë i aftë.

Gjithë ky pasion për punën besoj se është refletuar edhe në marrëdhënien me familjarët tuaj… Si arrin t’i balancosh “hallet” e punës me “hallet” e familjes?

Vajza më thotë që ti do më shumë fëmijët e kopshtit se mua. Dhe kjo më jep minus. Ndodh që në shtëpi pjesën më të madhe të bisedave ta zë puna. Ndonjë merak për ndonjë fëmijë të veçantë. Dhe jo rrallë më thonë: Nuk jemi në kopësht.

Cila është e bukura e të qenët çdo ditë në një ambient me fëmijë dhe të jesh edukuesja e tyre?

Është shumë bukur. Edukojmë ata dhe veten. E bukura më e madhe është që pas shumë vitesh ata të ndalin në rrugë dhe të përshëndesin.

I njihni të gjithë fëmijët që u keni dhënë mësim?

Po. Them se të gjithë. Mund të ngatërroj ndonjë emër, por fytyrat asnjëherë. Çdo fëmijë ka një tipar të veçantë që të bën të mos e harrosh./ Shendeti.com.al/

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here