Elona Tereziu
Ekzaminimi imazherik tek fëmijët e vegjël duhet futur në protokollin mjekësor. Kështu shprehet për gazetën “Shëndet+” dhe Shëndeti Online, prof. dr. Krenar Preza, shefi i departamentit të imazherisë në Spitalin Continental. Bëhet fjalë për dy probleme serioze siç janë ato të sistemit nervor dhe artikular, që në shumë raste mund të janë të lindura dhe në shumë të tjera, të fituara.
Në rastin e parë kemi të bëjmë me një problem të fituar, nga një lindje me vështirësi, ku fëmija nuk oksigjenohet mirë e për pasojë mund mund të kemi dëmtim të sistemit nervor me krijimin e zonave hipoksemike.
Ndërsa në rastin e dytë, fëmijët që çalojnë, kemi të bëjmë me një problem të lindur, ku rolin kryesor e luan faktori trashëgues, megjithëse në shumë raste shkaqet nuk dihen.
Doktor, pse është i rëndësishëm ekzaminimi imazherik tek fëmijët e vegjël?
Ata fëmijë që gjatë lindjes kanë vështirësi, nuk oksigjenohen mirë, jo rrallë pësojnë dëmitime të sistemit nervor. Mund të kemi zona hipoksemike që nuk furnizohen me gjak si dhe zona hemorragjike. Këto patologji mund të kenë pasoja në të ardhmen ose mund të shërohen plotësisht.
Por për të evidentuar këto probleme përdoret ajo që quhet ekografia transfontanelare, e cila bëhet midis hapësirave që ka kocka e kokës. Është një ekzaminim që kërkon përvojë, meqë dhe vetë patologjia mund të jetë nga e vogël deri në e madhe e dukshme.
Në rastet kur hemorragjia është brenda në zgavrat e trurit, kemi të bëjmë me ndalim të qarkullimit të lëngut celebral nëpërmjet kanaleve të vogla që bëjnë komunikimin midis sistemeve trikulare. Duke u bllokuar, ato bëjnë që sistemi trikular të rritet/ fryhet shumë dhe jep atë që quhet hidrocefali (zgjerim i sistemit të trurit).
Ekzaminimi ekografik në këtë rast është shumë i rëndësishëm, jo vetëm për të përcaktuar këto dëmtime, por edhe për të parë ecurinë e këtyre dëmtimeve.
Çfarë i shkakton këto patologji. Pse një fëmijë lind me këto probleme?
Këto janë probleme që i takojnë mjekut obstetër-gjinekolog dhe shkaktarët mund të jenë të ndryshëm. Për shembull: një lindje me vështirësi (nëna mund të ketë një baçin të ngushtë), një lindje e parakohshme, një traumë (nëna mund të jetë rrëzuar gjatë barrës) apo nëna mund të ketë punuar gjer vonë, mund të ketë kaluar patologji të ndryshme etj.
Fëmija, duke lindur me vështirësi, pëson atë që quhet mosfurnizimi me gjak dhe oksigjen gjatë kohës që lind. Sa më e shkurtër të jetë kjo kohë, aq më mirë për fëmijën. Nëse zgjat shumë, atëherë fëmija do të ketë ndryshime të mëdha në vizionet trunore, pasojat janë më të zgjatura dhe shërimi do të jetë më i zgjatur në kohë, por e rëndësishmë është që ne ta zbulojmë, në mënyrë që mjeku të marrë masat që duhet që mjekimi të jetë sa më i përshtatshëm dhe sa më efikas për të sëmurin.
A janë të shpeshta këto raste?
Mund të themi që janë të shpeshta. Tek fëmijët e vegjël dhe sidomos tek fëmijët që janë lindje me vështirësi, gjithmonë ia vlen të bëhet një ekzaminim imazherik, duke fillur nga më e thjeshta që është ekografia.
Çfarë problemesh të tjera tek fëmijët kanë nevojë për ekzaminime imazherike?
Një ekzaminim ekografik që ofrohet këtu në Spitalin Continental dhe që është shumë i rëndësishëm, është ekzaminimi artikular për fëmijët që çalojnë.
Janë keqformime kongenitale të lindura dhe nuk dihet se çfarë i shkakton, por ndonjëherë mund të jetë dhe pozicioni se si fëmija rri në barkun e nënës, në disa raste mund të ketë dhe lidhje gjenetike. Takohen 1 në 1000 raste.
Nëse zbulohet që fëmija ka probleme të tilla, duhet trajtuar në mënyrë të përshtatshme (me jastëk të veçantë ose, në rastet kur është shumë e shprehur, bëhet mobilizim me allçi) pranë mjekut ortoped, i cili para se të fillojë, kërkon ekzaminimin ekografik.
Është një gamë e gjerë patologjish (të lindura dhe të fituara) që hasen tek fëmijët, por këto dy të parat janë më të rëndësishme.
Pse pikërisht këto dyja?
Sepse janë dy ekzaminime që duhen futur patjetër në protokollin e të sëmurit. Megjithëse sot ka shumë konsultorë që kanë filluar ta aplikojnë (pra, zgjidhin një herë këto dy problemet e mëdha, pastaj meren me të tjerat), ajo që vlen për t’u theksuar, është kujdesi. Konsultorët duhet të tregohen shumë të kujdesshëm gjatë këtyre ekzaminimeve, në mënyrë që fëmijët të marrin sa më pak rrezatime jonizuese.
A kanë ndonjë efekt anësor tek fëmijet këto rrezatime?
Për ekzaminimet imazherike flitet shumë, por në mjekësi ekziston një ligj midis kostos dhe efektivitetit. Ne gjithmonë e masim këtë. Nëse përfitimi është i madh për të bërë një diagnozë të saktë në mënyrë që i sëmuri të përfitojë një trajtim sa më të mirë, atëherë ia vlen për ta bërë. Megjithatë, me aparaturat e sotme efektet anësore nga rrezatimet jonizuese janë zvogëluar goxha.
Ku qëndron ndryshimi mes grafisë dhe ekografisë?
Ndryshimi është se në ekografi nuk marrim rrezatim jonizues, është një ekzaminim i shpejtë dhe që mund të përsëritet disa herë, kështu që i sëmuri vetëm përfiton.
Çfarë ofron Spitali Continental përsa i përket ekzaminimeve imazherike?
Këtu realizohen të gjitha ekzaminimet imazherike, duke filluar nga ekzaminimet konvencionale (të gjitha llojet e grafive të trupit), të gjitha ekzaminimet me kontrast që përdoren për veshkat, momografitë, ekografitë (për sëmundjet e gjirit).
Vazhdojmë me ekzaminimet që janë më të sofistikuara, si: kompjuterografia (skaneri), e cila zgjidh shumë probleme, duke e përdorur sipas rastit (me kontrast-pa kontrast). Kur e përdorim me kontrast, rritet 40 – 50 herë informacioni që ne marrim, megjithatë në varësi të sëmundjes këtë e përcakton vetë mjeku.
Vazhdojmë me ekzaminime të tjera që është spirometria pulmonare, bronkoskopia, fibroskopia (për organet respiratore), endoskopia (për organet e barkut/stomakut, ulcerën, kancer e gjëra tumorale), fibrokolonoskopia (për sëmundjet e zorrës së trashë). Sot nuk mund të futesh në një trajtim onkologjik të përshtatshëm nëse më parë nuk ke bërë këtë ekzaminim, sepse mjeku onkolog kërkon dhe biopsinë për të parë nëse janë tumorë dhe stadifikimin e tyre dhe dhënë një trajtim sa më të përshtatshëm.
Sa e rëndësishme është të paturit një teknologji të mirë për ekzaminime të sakta?
Sigurisht, teknologjia është një element shumë i rëndësishëm dhe kjo jo vetëm për t’iu përshtatur zhvillimit modern, por edhe për të dhënë një ekzaminim të qartë, të plotë dhe me kontrast të mjaftueshëm. Mirëpo nuk mjafton vetëm teknologjia, shumë i rëndësishëm është dhe interpretuesi. Gëtja ka një shprehje shumë të bukur “Ne shohim atë që dimë. Nëse nuk dimë, nuk shohim”. Nëse nuk dimë, nuk kemi lexuar dhe nuk kemi përvojë kot që shikon. Madje, do të thosha që njerëzit kur shkojnë diku për ekzaminime speciale, duhet të jenë të kujdesshëm, të kërkojnë atë që ka eksperiencë. Kjo jo për të bërë “diskriminim” të mjekëve, por jo të gjithë mund të dimë gjithçka. Mjeku duhet të jetë aq koshient dhe aq modest sa të dijë dhe të thotë JO, nuk e bëj këtë ekzaminim.
Kështu që teknologjia nga një anë ka vlerën e vet, por dhe interpretuesi nga ana tjetër, të dyja bashkë, rrisin mundësinë për një diagnozë të saktë dhe të drejtë.


