Kryefaqja Aktualitet Epidemia në rritje e obezitetit, situata në Shqipëri

Epidemia në rritje e obezitetit, situata në Shqipëri

0
Shpërndaje

Instituti i Shëndetit Publik

Shkaku themelor i obezitetit dhe mbipeshës është një çekuilibër i energjisë mes kalorive të konsumuara dhe kalorive të shpenzuara

Në mungesë të kritereve të përcaktuara që përkufizojnë obezitetin në fëmijëri në bazë të përmbajtjes dhjamore të gjithë trupit dhe marrëdhënien e saj me rezultatet shëndetësore, në përgjithësi janë përdorur vlerat kufi (limit) në bazë të shpërndarjeve të matjeve antropometrike (p.sh., pesha dhe treguesi i masës trupore-BMI).

Disa ekspertë dhe grupe këshilluese kanë rekomanduar BMI si masë të preferuar për vlerësimin e obezitetit mes fëmijëve dhe adoleshentëve të moshës 2 deri në 19 vjeç. BMI shpreh marrëdhënien peshë-përgjatësi si një raport, që është pesha (në kg) / [gjatësi (në metra)] 2 .

Ekspertët rekomandojnë BMI, sepse ajo mund të matet lehtë, është e lidhur fort me përqindjen e yndyrës trupore (sidomos nivelet ekstreme të BMI), është e lidhur dobët me lartësinë (gjatësinë), dhe identifikon individët e dhjamur (obezë) në mënyrë të saktë, me një saktësi të pranueshme në limitin e sipërm të shpërndarjes (p.sh., 85 apo 95 percentile për moshë dhe gjini).

Implikimet në moshën e rritur për fëmijët mbipeshë dhe obezë

Analizat sistematike konfirmojnë vazhdimësinë e obezitetit nga fëmijëria në moshë të rritur. Mbipesha dhe obeziteti në fëmijëri dhe adoleshencë shoqërohen me rezultate negative socio-ekonomike, rritje të risqeve shëndetësore dhe sëmundshmërisë, si dhe rritje të shkallës së vdekshmërisë në moshë të rritur.

Në veçanti fëmijët janë sot në risk për obezitet. Mbipesha konsiderohet sot si çrregullimi më i zakonshëm i kësaj moshe në rajonet evropiane të OBSH-së, duke marrë parasysh që 20% e fëmijëve sot janë mbipeshë dhe rreth 1/3 e tyre janë obezë. Pjesa më e madhe e fëmijëve mbipeshë apo obezë jetojnë në vendet në zhvillim, ku shkalla e rritjes ka qenë më shumë se 30% më e lartë se ajo e vendeve të zhvilluara.

Në rajonin e vendeve të Afrikës anëtare të OBSH-së, numri i fëmijëve mbipeshë apo obezë është rritur nga 4 deri në 9 milionë gjatë të njëjtës periudhë. Pa ndërhyrje, foshnjat dhe fëmijët e vegjël obezë ka të ngjarë të vazhdojnë të jenë obezë gjatë fëmijërisë, adoleshencës dhe moshës madhore.

Obeziteti në fëmijëri është i lidhur me një gamë të gjerë të komplikimeve të rënda shëndetësore dhe një rritje të riskut të shfaqjes së parakohshme të sëmundjeve, duke përfshirë diabetin dhe sëmundjet e zemrës. Ushqyerja ekskluzive me gji nga lindja deri në moshën 6 muajshe është një mënyrë e rëndësishme për të ndihmuar në parandalimin e foshnjave për tu bërë mbipeshë apo obezë më vonë.

Çdo aspekt i mjedisit në të cilën fëmijët janë konceptuar, lindur dhe rritur mund të kontribuojnë në riskun e tyre për t’u bërë mbipeshë apo obezë. Zgjedhja e ushqimeve të shëndetshme për fëmijët është kritike për shkak se preferencat ushqimore formohen që në jetën e hershme. Ushqyerja e tyre me ushqime me përmbajtje të lartë në energji, yndyrnë, sheqerna dhe kripë është një kontribues i rëndësishëm për obezitetin në fëmijëri.

Bota gjithnjë e më shumë e urbanizuar dhe dixhitalizuar ofron pak mundësi për aktivitet fizik nëpërmjet lojës së shëndetshme. Duke qenë mbipeshë apo obezë tejzvogëlohen mundësitë e fëmijëve për të marrë pjesë në aktivitete fizike në grup. Ata pastaj mund të bëhen edhe më pak fizikisht aktiv, me gjasë të bëhen më shumë mbipeshë me kalimin e kohës. Nëse trendet aktuale do të vazhdojnë, numri i fëmijëve mbipeshë apo i obezë në nivel global do të rritet në 70 milion deri në vitin 2025, që do të thotë më i predispozuar për të zhvilluar diabet të tipit 2, hipertension dhe pagjumësi, çrregullime psikologjike dhe sociale.

Zakonet e përftuara në fëmijëri, lidhur me dietën dhe aktivitetin fizik nuk ndryshojnë lehtësisht gjatë jetës. Prandaj parandalimi dhe frenimi i rritjes së obezitetit në moshën fëminore dhe në atë në zhvillim paraqet sot një sfidë për shëndetin publik.

Shkaqet e obezitetit

Shkaku themelor i obezitetit dhe mbipeshës është një çekuilibër i energjisë mes kalorive të konsumuara dhe kalorive të shpenzuara. Globalisht, ka pasur: një marrje të rritur të ushqimeve të pasura në energji dhe me përmbajtje të lartë në yndyrë; dhe një rritje të pasivitetit fizik për shkak të natyrës gjithnjë e më sedentare të shumë proceseve të punës, duke ndryshuar mënyrat e transportit, dhe rritjen e urbanizimit. Ndryshimet në modelet e dietës dhe aktivitetit fizik janë shpesh rezultat i ndryshimeve mjedisore dhe shoqërore të lidhura me zhvillimin dhe mungesën e politikave mbështetëse në sektorë të tillë si shëndetësia, bujqësia, transporti, planifikimi urban, mjedisi, përpunimi i ushqimit, shpërndarja, marketingu dhe arsimi.

Shkaqet e epidemisë së obezitetit janë komplekse. Struktura e shoqërisë sot, politikat dhe zhvillimi socio-ekonomik kanë kontribuar në krijimin e një “ambienti obezogen”që inkurajon sjelljet me risk drejt obezitetit. Në thuajse të gjitha vendet e rajonit obeziteti është më i përhapur midis kategorive të ulëta sociale, atyre që kanë më pak të ardhura, nivel më të ulët arsimor si dhe më shumë vështirësi për tu trajtuar dhe mjekuar. Të dhënat tregojnë që në vendet e varfra, por me një zhvillim të shpejtë, po ndeshet një rritje e shpejtë e obezitetit.

Një shkak tjetër i dukshëm i rritjes së obezitetit është edhe moskryerja e mjaftueshme e një aktiviteti fizik dhe situata vazhdon të përkeqësohet. Mjedisi ku jetohet (shtëpi, shkollë, punë, etj.) shpesh dekurajon aktivitetin fizik. Kështu, edhe distanca nën 5 km që mund të përshkohen me këmbë ose biçikletë, preferohen të bëhen me makinë duke reduktuar ndjeshëm mundësitë e një aktiviteti fizik të vlefshëm për një jetë të shëndetshme.

Sipas OBSH-së, një i rritur duhet të bëjë të paktën 30 minuta/ditë aktivitet fizik të moderuar ndërsa fëmijët duhet të bëjnë të paktën 60 minuta aktivitet fizik/ditë. Një nivel i tillë aktiviteti rrit gjatësinë e jetës së njeriut nga 3-5 vjet.

Obeziteti ka disa shkaqe që ndërlidhen me njëri-tjetrin:

  • Gjenetika dhe epigjenetika. Megjithëse shumica e rasteve të obezitetit nuk buron nga një gjen i vetëm, sërish ndikimet gjenetike duket se janë të pranishme.
  • Mjedisi. Me normat e obezitetit në rritje dhe grupin e gjeneve që mbetet relativisht i pandryshuar, mjedisi gjithashtu ndikon tek obeziteti. Obeziteti pasqyron ndërveprimin midis gjeneve dhe mjedisit. Gjatë katër dekadave të shkuara, kërkesa për aktivitet fizik është ulur ndërsa bollëku i ushqimit është rritur.
  • Marrëdhëniet sociale. Mund të ndikojnë tek obeziteti. Mundësia që një person të bëhet obez rritet nëse një mik, vëlla, ose bashkëshort bëhet obez.
  • Mbingrënia. Jetojmë në një mjedis që na ekspozon në një bollëk ushqimesh me shumë kalori dhe shumë yndyrna, dhe që janë të disponueshme, relativisht të lira, shumë të reklamuara dhe mjaft të shijshme. Ushqimi është i disponueshëm kudo, gjatë gjithë kohës—kryesisht falë fast-food-eve. Edhe më alarmante janë porcionet jashtëzakonisht të mëdha dhe ushqimet e gatshme që ofrojnë kombinime të tilla. Për fat të keq, ushqimet me densitet të ulët energjie zakonisht janë më të shtrenjta dhe më pak të volitshme se ushqimi me densitet të lartë energjie.
  • Pasiviteti fizik. Mjedisi ynë gjithashtu nxit pasivitetin fizik. Jeta kërkon pak përpjekje—përdorim ashensorët për të ngjitur shkallët, automobilët për të lëvizur në qytet, pulsantët ulin xhamat e dritareve dhe telekomanda ndërron kanalet televizive nga larg. Teknologjia moderne ka zëvendësuar aktivitetin fizik në shtëpi, punë dhe transport. Pasiviteti ndikon në shtimin e peshës dhe në një shëndet të dobët. Ndjekja e televizionit, lojërat elektronike dhe përdorimi i kompjuterit ndikojnë shumë në pasivitetin fizik.

Situata e obezitetit dhe mbipeshës në nivel global

Gjatë tre dekadave të fundit prevalenca e obezitetit dhe mbipeshës është rritur ndjeshëm. Globalisht, rreth 170 milionë fëmijë (të moshës nën 18 vjet) janë vlerësuar të jenë mbipeshë. Prevalenca më e lartë e mbipeshës në fëmijëri është në vendet me të ardhura mesatare dhe të larta, dhe, kur të merren si një grup, vendet me të ardhura të ulëta kanë nivelin më të ulët të prevalencës.

Edhe në Europë obeziteti ka arritur përmasa epidemike. Prevalenca e mbipeshës është trefishuar në 30 vitet e fundit. Përsa u përket fëmijëve të moshës shkollore 6-9.9 vjeç, Iniciativa e Organizatës Botërore të Shëndetësisë për vlerësimin e obez itetit në moshën fëminore, së fundi ka filluar të ndjekë nivelet e obezitetit tek fëmijët në rreth 15 vende, duke përdorur standardet e rritjes së fëmijëve të OBSH-së.

Analiza e parë, bazuar në të dhënat e viteve 2007-2008 të 13 shteteve, nxori në pah se 24 për qind e fëmijëve të moshës 6-9 vjeç janë mbipeshë, duke u hasur në një interval nga 19% në 49% mes djemve dhe nga 18% në 43% mes vajzave, dhe një interval obeziteti nga 6% to 26.6% mes djemve dhe nga 5% në 17% mes vajzave. Prevalenca më e lartë e mbipeshës u vu re në Itali, Portugali dhe Slloveni (bazuar në referencat e rritjes së fëmijëve të OBSH-së, 2007).

Një fazë e dytë e mbledhjes së të dhënave është kryer në vitin 2010 me përfshirjen e 17 shteteve. Në vazhdim, katër shtete të tjera, mes tyre edhe Shqipëria, u është bashkuar shteteve pjesëmarrëse në fazën e tretë të mbledhjes së të dhënave për vitin shkollor 2012- 2013 dhe në fazën e katërt që është në zbatim në periudhën 2015-2016.

Situata e mbipeshës dhe e obezitetit fëminor në Shqipëri

Në Shqipëri, mbipesha dhe obeziteti janë një faktor risku i rëndësishëm për shëndetin, veçanërisht për sëmundjet jo të transmetueshme. Ky faktor risku vepron që në moshën e fëmijërisë. Situata e tanishme tregon se në Shqipëri ekzistojnë njëkohësisht të dy format e kequshqyerjes: nënushqyerja dhe mbiushqyerja.

Të dhënat e ADHS-së, 2008-2009, nxorën në pah se rreth 22 për qind e fëmijëve të moshës nën pesë vjeç janë mbipeshë ose obezë, ndërkohë që mes të rriturve mbi 15 vjeç, 53% e meshkujve 15-49 vjeç ishin mbipeshë (prej të cilëve 9% obezë) dhe 39% e grave të së njëjtës grup-moshë rezultuan mbipeshë (prej të cilave 10% obezë).

Të dhënat e studimit të ISHP-së të kryer në vitin 2013 (bazuar në shpërndarjen e masës trupore të fëmijëve (BMI) sipas vlerave kufi të OBSH-së tregojnë se 22.4% e fëmijëve të moshës 8-8.9 vjec në nivel kombëtar ishin mbipeshë (përfshirë edhe obezitetin), prej të cilëve 7.9 % obezë. Vetëm 1.5% e fëmijëve ishin të dobët. Referuar vlerësimit sipas IOTF-së, po në këtë studim të dhënat treguan se 14.4% e fëmijëve në nivel kombëtar ishin mbipeshë (përfshirë edhe obezitetin), prej të cilëve 3.3% obezë. Vetëm 1.6% e fëmijëve ishin të dobët. Lidhur me adoleshentët (grup-mosha 15-19 vjeç) sipas ADHS 2008-2009, prevalenca e mbipeshës ishte më e lartë midis djemve (20.5%) se sa midis vajzave (7.9%). Përqindja e djemve dhe e vajzave 15-19 vjeç obezë ishte respektivisht 1.3% dhe 1.4%.

Efektet shëndetësore të obezitetit në fëmijëri

Prevalenca e lartë e mbipeshës dhe obezitetit ka dhe pasoja të rënda shëndetësore. Rritja e indeksit të masës trupore (BMI) është një faktor i madh risku për sëmundje të tilla si sëmundjet kardiovaskulare, diabeti i tipit 2 dhe shumë kancere (përfshirë, për shembull, kancerin kolorektal, kancerin në veshka dhe kancerin esophageal). Këto sëmundje shkaktojnë jo vetëm vdekjen e parakohshme, por edhe sëmundshmëri afatgjatë.

Përveç kësaj, mbipesha dhe obeziteti tek fëmijët janë të lidhur me ulje të konsiderueshme të cilësisë së jetës dhe një risk më të madh të ngacmimit, fyerjeve dhe izolimit social.

Për shkak të rritjes së shpejtë të prevalencës obezitetit dhe pasojave të rënda në shëndet publik, obeziteti konsiderohet zakonisht si një nga sfidat më serioze të shëndetit publik në fillim të shekullit të 21-të. Mbipesha dhe obeziteti, si dhe sëmundjet e lidhura me to janë kryesisht të parandalueshme.

Mjediset mbështetëse dhe komunitetet janë themelore në formësimin e zgjedhje të njerëzve, duke i bërë zgjedhjen e shëndetshme të ushqimeve dhe aktivitetin e rregullt fizik si zgjedhjet më e lehta (të arritshme, të disponueshme dhe të përballueshme), në parandalimin e obezitetit.

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here