Nga prof. Elmas Eltari
Epididimiti është një infeksion i testit, që karakterizohet nga dhimbjet e epididimit (një strukturë që i vishet testit), në të cilën maturohet dhe ruhet sperma).
Epididimi mund të pësojë një infeksion akut ose kronik. Në rastet akute fillimi i dhimbjes së testit shpesh shoqërohet me: skuqjen, nxehjen dhe enjtjen e skrotumit (qeses ku ndodhen testet, në fund të barkut).
Në rastet kronike dhimbja mund të jetë e vetmja shenjë. Në çdo formë dhimbja e testeve mund të variojë: nga format e lehta deri në dhimbje të fortë dhe forcimin e organit. Shpesh dhimbja është ciklike dhe mund të zgjasë nga pak minuta ose një orë deri në disa ditë.
Infektimi i epididimit është shkaku më i zakonshëm i dhimbjeve akute tek të rriturit, në kontrast me rastet kur burrat kanë përdredhje të organit. Nëse diagnoza nuk është e qartë (nga historia e sëmundjes dhe ekzaminimi klinik i mjekut), atëherë bëhet EKO-ja (ultrasound Doppler), që konfirmon diagnozën. Epididimiti është i dhimbshëm dhe shfaqet shpesh, në dallim nga hernia, që zakonisht është episodike dhe, si rregull, e padhimbshme.
-Epididimiti mund të klasifikohet në akute, subakute dhe kronik, në vartësi me zgjatjen e shenjave.
-Epididimiti kronik.
-Epididimiti kronik zgjat më shumë se tre muaj. Ky proces karakterizohet nga inflamacioni i epididimit prej mikrobeve. Kur inflamacioni nuk është i dukshëm për të dalluar një proces kronik nga sëmundjet e tjera, janë të nevojshme disa analiza. Ndër shkaqet e tjera që japin dhimbje mund të jenë: kanceri testikular (megjithëse ky shpesh është i padhimbshëm); zgjerimi i venave skrotale (varikoçela) dhe një kist i mundshëm brenda epididimitit.
-Disa studime kanë gjetur se rreth 80% e vizitave, për dhimbje skrotale (në fund të barkut tek meshkujt), shkaktohen nga epididimitet kronike.
Shenjat
Mosha mesatare e pacientëve që paraqesin epididimit, është rreth 40-vjeçare. Forma akute zakonisht zhvillohet përgjatë disa ditëve, me dhimbje dhe enjtje zakonisht të një ane. Shpesh dhimbja shoqërohet me djegie dhe vështirësi gjatë shkarkimit të urinës (disuri). Në këto raste edhe ethja mund të jetë e pranishme. Në format kronike i sëmuri mund të ketë ose jo, dhimbje të parregullta në një pikë të caktuar të epididimitit, që preket me dorë, ku gjendet epididimiti i forcuar.
Në shumicën e pacientëve me epididimit kronik, ultrasoundi mund të mos i zbulojë ndryshimet. Shumica e pacientëve me një epididimit kronik paraqesin shenjat që zgjasin për më shumë se pesë vjet.
Shkaqet
Infeksioni mikrobik është shkaku më i zakonshëm i epididimitit akut. Aty bakteriet rikthehen nëpërmjet kanaleve në sistemin e riprodhimit dhe arrijnë në epididimitin.
Klamidia është shkaku kryesor i infeksionit në meshkujt me aktivitet seksual. Por edhe në infeksionet e tjera, sidomos nga gonorrhea, E.coli ose bakteriet e tjera urinare janë shkaktarë të tyre. Veçanërisht, midis meshkujve mbi 35 vjeç (kur shkaku është sidomos E.coli) epididimiti shkaktohet zakonisht nga bllokimi i rrugëve urinare.
Më rrallë përfshihen si shkaktarë mikrobet, si: Ureoplasma, Mykobakteri dhe Cryptococusi në pacientët me infeksionin HIV. E.coli është më i zakonshëm në djemtë, përpara pubertetit, si dhe ndër të moshuarit dhe zakonisht preket vetëm njëra anë.
Shkaqet të tjera gjithashtu janë të mundshme, si rezulttat i refluksit të urinës pa bakterie, nëpërmjet kanalit të spermës, me bllokim, sidomos tek fëmijët me infeksione nga viruset etj.

