Bisedoi për gazetën “Shëndet+”: Elena Beta
“Ajo është ajo” , “Si dukem unë pa ty”, “Diku të kam parë” dhe shumë tituj baladash të famshme dashurie të sjellin në mendje vetëm një emër: Erik Lloshi. Prej disa vitesh pjesë e skenës shqiptare, ai ka arritur të fitojë shumë zemra nga publiku shqiptar dhe jo vetëm, duke prekur pjesën më të dobët të gjithsecilit… dashurinë.
Në fokus të rubrikës “Vip Shëndet”, Eriku flet për lexuesin e gazetës “Shëndet+”, duke na njohur më shumë me përditshmërinë e tij, marrëdhënien me mjekun, dentistin, ushqimin e preferuar, kujdesin për veten, si dhe për detaje të tjera lidhur me prapaskenën e teksteve aq të dashura për të gjithë.
Erik, çfarë është shëndeti për ty?
Shëndeti është një pjesë e rëndësishme në jetën e çdo njeriu mendoj, jo vetëm për mua. Gjithsesi, mendoj që në përgjithësi neglizhojmë pak në kujdesin për veten tonë.
Cila është marrëdhënia me mjekun? A kryen vizita mjekësore ashtu kot?
Të them të drejtën bëj gjërat që janë më të nevojshme por vizita kot jo, nuk kam bërë ndonjëherë.
Po me dentistin ç’marrëdhënie ke?
Fakteqësisht unë jam një person që përgjithësisht kam pasur probleme me dhëmbët dhe me dentistin i kam marrëdhëniet shumë të ngushta.
Ke pirë ndonjëherë ilaçe pa sugjerimin e mjekut?
Po, kam pirë. Por si të gjithë ndonjë paracetamol ose ndonjë ilaç që merret pa rekomandimin e mjekut.
Mendon se populli ynë kanë edukatë shëndetësore?
Besoj se akoma nuk ka arritur edukata shëndetësore në vendin tonë dhe mund të jetë vetëm 20 % e shoqërisë që e kanë këtë edukatë. Pjesa më dërrmuese nuk e kanë dëshirën e mirë për të bërë vizitat dhe kontrollet e nevojshme, shkojnë tek mjeku në momentin kur ndiejnë dhimbje. Realisht kjo gjë është shumë e gabuar.
Formën e shkëlqyer trupore ia dedikon genit apo është përkujdesje intensive e vazhdueshme?
Unë jam marrë me sport dhe kujdesem për të pasur një formë të mirë trupore, normal duke u stërvitur intensivisht në palestër, por dhe geni ka atë pjesën e vet të rëndësishme
Di të gatuash?
Jam mjeshtër në gatim. Pjata ime e preferuar dhe që di të gatuaj më mirë është veza sy e shoqëruar me pak verë të bardhë (qesh). Bëj shaka. Përveç vezës, nuk di të bëj asgjë tjetër(qesh)
Ndjek ndonjë rregull ushqyerje apo ha ç’të duash?
Të them të drejtën nuk ndjek asnjë rregull dhe ky është një gabim përsëri për shëndetin, sepse mund të konsumoj shumë ushqime që nuk janë të përshtatshme me grupin tim të gjakut, gjë e cila të bën që mos të jesh në gjendje të mirë. Realisht unë ha atë që më pëlqen dhe ushqimi im i preferuar janë prodhimet e detit.
Të qenët person publik të ka bërë të përdorësh produkte kozmetike?
Jo, nuk jam shumë i fiksuar, por gjërat më të domosdoshme i përdor. Ndonjë hidratues të fytyrës, pastaj dihet parfum dhe gjërat më të nevojshme për çdo njeri.
Ke thyer shumë zemra me baladat e dashurisë. A i dedikohen dikujt që të ka thyer zemrën ty apo janë thjesht tekste?
Asnjë nga tekstet që kam kënduar, nuk e kam shkruar vetë. Disa prej tyre dhe mund të jenë edhe realitet, por për këtë duhet të pyesim autorët e tyre. Mund të them këtë gjë, që kur i kam lexuar më janë përshtatur deri diku, por jo dedikim.
Çfarë është dashuria për ty?
Dashuria për mua është gjëja më e rëndësishme që të bën të tjetërsohesh si njeri, të përjetosh momente që ndonjëherë të duken mrekulli, sikur nuk je në realitet ,por në ëndërr.
Por siç ka të bukurat e saj, ka dhe anën e kundërt kur zhgënjehesh nga personi që ti do ose ke dashur më shumë në jetë. Shkurt mund të them se dashuria është një kopësht i bukur me lule përpara teje dhe një humnerë që ke mbrapa, por nuk e di se në momentin që të rrëshket këmba në humnerë duhet të jesh shum i zoti të ngrihesh sërish.
Sa e rëndësishme është gjendja shpirtërore para daljes në skenë, në mënyrë që zëri mos të të tradhtojë?
Ështe pjesë shumë e rëndësishme, pasi në momentin që nuk jam në formë të mirë në trup, nuk jam në formë të mirë as në zë. Por dhe me regjimin e tepërt nuk jam, sepse ndonjëherë është dhe i dëmshëm sepse trupi mësohet me regjim dhe në momentin që ti harron një ditë, duhet kohë që të rimarrësh veten. Unë jam me kujdesin në përgjithësi, por jo me kujdes të tepruar.
Një mesazh për lexuesit e gazetës “Shëndet +”
Mos neglizhoni kujdesin ndaj shëndetit dhe Zoti ju dhëntë forcë dhe paqe për të ecur përpara.




