Bisedoi: Arlinda Shehu
Kaçurrelat e Erinës vallëzojnë teksa vrapon për në vendin ku kemi lënë takimin. Buzëqesh teksa të kap për krahu e të thotë që është shumë e lumtur që e prite, megjithëse u vonua. Vazhdon të flasë teksa të drejton për tek bari ku do të zhvillohet biseda e përbashkët. Së pari të pyet si je e më tej rrëfen gjërat e saj në një bisedë që kalon në qeshje e buzëqeshje pa fund, pavarësisht seriozitetit të çështjeve.
Erina Çoku është e njohur gjerësisht në rrethin e poezisë. Rrjetet sociale i përdorin hera-herës poezitë e saj ku gjuha shqipe shpreh gjithë gjerësinë, lartësinë dhe thellësinë e vet. Në tetor të këtij viti mori pjesë në festivalin ndërkombëtar të poezisë ku poetë nga e gjithë bota u shprehën se duhej krijuar edhe çmimi i Miqësisë (vetëm për Erinën).
Nënë e dedikuar e dy djemve që ndjekin liceun për violençel, Erina të rrëfen me plot pasion pyetjet pa fund të tyre dhe mënyrën se si “lulet marrin frymë” e shumë biseda të tjera të dy poezive të saj.
Sot, pjesë e rubrikës “Vip Shëndet”, Erina flet poezi nga poezia e saj.
Kur e njohu Erina poezinë?
Erina e ka njohur poezinë në kohën e zbulimit të madh: atë të abc-së. Në moshën 7-vjeçare, kur lexoi librin e parë me poezi, një libër për fëmijë nga Odhise Grillo.
Dashuroi Erina poezinë apo poezia Erinën?
A mund të jetë njëra pa tjetrën? Erina dhe poezia janë një matrioshkë që nuk mbaron, që formon një të tërë vetëm duke qenë bashkë brenda njëra-tjetrës.
Kur ndaheni nga njëra-tjetra?
Nuk ndahemi as kur heshtim.
Është Erina xheloze për poezinë?
Jo. Poezia më lejon të ndijoj, ta ndijoj dhe të më ndijojë fuqishëm vetëm në forma e përmasa të epërme. Xhelozia është ndjesi e ngushtë e ngushtësisë. Nuk e qasim.
A ka përkufizim poezia e Erinës?
Jo, nuk ka përkufizim. Merr frymë shumë thellë e sheh shumë larg dhe të gjithë rrathët e saj lëvizin e shpërndahen. Gjithnjë më shtyn të kërkoj, të kërkohem, të kërkojë. Është gjithmonë duke u gjetur dhe nuk më lejon ta kornizoj a kornizohem.
Kujt i dedikohet poezia e Erinës?
Dashurisë, prej dashurie, për dashurinë. Në të gjitha format e saj. Jo në kuptimin e ngushtë. Jo vetëm njeriut. Dashurisë për jetën, për frymën, për gurin, për një ngjyrë a një tingull. Kushedi… Gjithkujt, gjithçkaje, gjithsej që më zgjon dashurinë, jetën, poetikën e epërme. Jetës.
A i ka gjuha shqipe të gjitha fjalët që kërkon të shprehë Erina?
Gjuha shqipe është thesar, fuqi. Është aq dorëdhënë sa, edhe nëse nuk i ka, mund t’i lindë. Ndonjëherë unë shkoj përtej fjalëve, por jo prej mungesës së saj. Gjuha shqipe është shtëpia, asnjëherë nuk më lë zbuluar.
Flitet më mirë në paragrafe apo në vargje?
Gjuhës së shpirtit tim i shkon më shumë poezia. Megjithatë, në vargje a në paragrafë, në është thënë si duhet e sa duhet, misioni është kryer bukur njësoj. Dhe misioni është mbërritja e shpirtit nëpërmjet fjalës.
Cila është ora e natës kur poezia nuk pranon t’ju ndajë me të tjerë?
Ora e heshtjes së madhe. Ora e qetësisë së bekuar. Ora e vetmisë. Ora kur dritat e thyejnë terrin me këngë.
Pse poezi dhe jo proze?
Pse i kam ninëzat e syrit kafe e çelët dhe jo blu? Sepse kështu jam mbrujtur, kështu jam krijuar. Poezia është në thelbin tim dhe nuk ka si të ishte ndryshe.
Si mund t’jua përshkruajë veten Erina atyrë që nuk e njohin?
Si një receptor të ndjeshëm që shndërrohet në këngë ndijim më ndijim.
Po atyre që e njohin?
Si një receptor të ndjeshëm që shndërrohet në këngë ndijim më ndijim.
Nata është më e bukur me hënë apo pa hënë?
Hëna është e bukur me dhe pa natë. Nata është e bukur, me dhe pa hënë. Thellësia e natës është e frikshme. Largësia e hënës është e frikshme. Ne rrimë ndërmjet të dyjave dhe i zbukurojmë duke i soditur dhe duke i jetuar.
Keni dy djem: a mund të na thoni dy vargje poetike për secilin?
Dy vargje për poezinë vetë? Ata janë poezia, në formën e saj më të pastër, më të kulluar. Poezia e shenjuar me lëndë. Ata janë rrënja, dega, pema, uji, ajri, dielli. Dikur, në një poezi kam thënë: “Nëna ka djem, nëna është…”
Violençeli dhe djemtë: çfarë i bashkon?
Nëpër to kalon drita, hyjnia, dashuria, poezia duke krijuar muzikë për shpirtin.
Pikat e dobëta dhe të forta të Erinës, cilat janë? (ato që mund t’i thuhen në publik edhe atyre që na duan të keqen 🙂 )
Në një nga poezitë e mia të fundit kam thënë se zemra ime është grushti im më i fuqishëm. Në të shkruhen pikat e mia të dobëta, por mbi të gjitha pikat e mia më të forta.
A është shëndeti poezi?
Po, është. Dritaret e tij na lënë ta shohim, ta krijojmë e ta përcjellim atë te të tjerët…
Na thuaj çka kemi harruar pa thënë…
Gjithmonë mbetet diçka për t’u thënë. Kjo nuk shteron…
Një mesazh për lexuesit e gazetës “Shëndet+”?
Duajeni dhe përkujdeseni jetën, dashurinë e poezinë që ju vetë jeni./ Shendeti.com.al
[…] Njihuni më shumë me Erina Çokun duke klikuar këtu. […]