Kryefaqja Lajm kryesor Erion Dasho: Problemet dhe zgjidhjet e një shëndetësie pa strategji zhvillimi

Erion Dasho: Problemet dhe zgjidhjet e një shëndetësie pa strategji zhvillimi

0
Shpërndaje

Bisedoi: Denisa Canameti

Në shkurt të 2019-s është publikuar raporti i vitit 2018 i Indeksit Evropian të Konsumatorit Shëndetësor, i cili vlerëson performancën e sistemeve shëndetësore në 35 vende të Këshillit të Europës. Për vitin 2018, Shqipëria është renditur në vendin e fundit (në vendin e 35-të), me 544 pikë. Sipas këtij Raporti, Shqipëria ka burime shumë të kufizuara të shërbimit shëndetësor.

Aktualisht sistemi shëndetësor ( me pak guxim) mund të cilësohet si një sistem në krizë, për shkak të problematikave të shumta që reflekton. Mjekë që punojnë në trysni, pa mundur t’u sigurohet një ambient i qetë pune, mungesa e specialistëve në spitalet rajonale, keqmenaxhimi i buxheteve, mungesa e barnave, veçanërisht për pacientët me sëmundje të rënda, akuzat për keqfunksionim të partneritetit publik- privat, ku sistemi privat në çdo raport rezulton që po favorizohet dukshëm dhe në mënyrë të padrejtë, sa për shkak të mangësive, aq edhe për shkak të korrupsionit etj.

Në një intervistë për lexuesin e gazetës “Shëndet plus”, doktor Erion Dasho jep disa përgjigje për disa prej këtyre çështjeve, duke vënë theksin tek autonomia e institucioneve shëndetësore, si e vetmja zgjidhje për problemet në sistemin tonë shëndetësor.

Dhuna ndaj mjekut: çështje e mjekëve, çështje e politikave shëndetësore apo çështje e shërbimit (menaxhimi i shërbimit) ?

Dhuna ndaj mjekut është pasojë e problemeve të akumuluara në vite. Kur filloi korrupsioni rëndshëm në sistemin tonë publik, dhe këtu nuk flas vetëm për shëndetësinë, të korruptuarit kishin nevojë për një tabelë qitjeje. Në vend që publiku të merret me një drejtor apo ministër që merr ryshfet një milion dollarë, pse të mos merret me një mjek që pranon një dhuratë 50 dollarë?! Kështu perceptimi i korrupsionin orientohet tek mjeku, tek mësuesi, tek polici, duke lënë të qetë politikanin.

Së dyti, vitet e fundit është bërë modë kriminalizimi i gabimit mjekësor. Një vdekje, para se të bëhet objekt i analizës mjekësore, bëhet objekt i punës së prokurorit, policit dhe gjykatësit. Mjeku arrestohet dhe burgoset. Në fund del i pafajshëm, por dëmi në imazh është krijuar tashmë. Kuptohet se në perceptimin e një individi primitiv, “krimineli” e ka hak të ofendohet apo të goditet.

Së fundi, sistemi shëndetësor ka kohë që është në kolaps dhe ofron një cilësi shërbimi dukshëm të keqe. Pacientët dhe familjarët e kuptojnë këtë dhe bëjnë fajtor kë? Kuptohet, “gogolin-mjek” që ka krijuar politika, sistemi i drejtësisë, gjyqi i opinionit publik, etj. Pra, dhuna është pasojë e shumë faktorëve, ku përfshihen ata që ju përmendet dhe të tjerë.

Korrupsioni në sektorin e shëndetësisë mund të nënkuptojë dallimin midis jetës dhe vdekjes (Përkufizim i Transparency Internacional): Në këtë këndvështrim, çfarë duhet të saktësojmë kur flasim për korrupsion në sistemin shëndetësor (çfarë vendi zënë mjekët në këtë hallkë të korrupsionit)?

Mjekët zënë hallkën e fundit dhe, në rastin e tyre, nuk flitet për korrupsion, por për pagesa nën dorë, ky është termi korrekt. Në pjesën dërrmuese është pacienti apo familjari që inicion sistemin e pagesës dhe të rralla janë rastet kur mjeku hyn në pazare. Arsyet se pse kjo ndodh janë nga më të shumtat dhe problemi është i ngjashëm me dilemën “pula apo veza”. Pra, nuk mund ta themi me siguri nëse ishin mjekët ata që nisën të kërkonin para nga pacientët, apo ishin pacientët ata që filluan t’i jepnin para mjekëve, nisur nga bindja se puna e doktorit nuk shpërblehet siç duhet apo nisur nga miti se mjekun po të mos ta paguash nuk të shërben. Kjo e dyta është plotësisht e gënjeshtërt. Unë nuk kam takuar asnjë koleg që të ndikohet nga fakti nëse pacienti e paguan ose jo kur jep shërbim.

Si përfundim, mjeku është nga hallkat e fundit në sistemin e korrupsionit në shoqërinë tonë. Ata që bëjnë tendera miliona dollarë dhe marrin ryshfete qindra milionë lekë, nuk janë mjekët, por politikanët. Unë nuk di ndonjë mjek me llogari off-shore, maksimumi mund të ketë ndonjë mjek që i mban akoma paret nën dyshek. Megjithatë, sistemi ka nevojë për shkundje. Unë mendoj se pagesat nën dorë janë të dënueshme si nga ana etike dhe ajo ligjore, dhe nuk duhet të ekzistojnë. Ky problem nuk është adresuar siç duhet asnjëherë dhe meriton vëmendje maksimale, sepse dëmton jashtëzakonisht procesin e ofrimit të kujdesit mjekësor. Zgjidhja nuk do të jetë një “deux ex machina”, por do të arrihet në kuadrin e reformave transformuese, për të cilat ka nevojë shëndetësia.

Një nga problemet e diskutuara është mbyllja e specializimeve, që solli edhe problematikën e mungesës së mjekëve. Në fakt, a duhet të ketë një kthim pas në analizimin dhe marrjen e masave ndëshkuese për fajtorët e kësaj situate? A mendoni se kultura e pandëshkueshmërisë sjell këto problematika, që fusin në krizë sistemin?

Mungesa e mjekëve nuk vjen nga mbyllja e specializimeve, por nga ikja e tyre. Mjekët shqiptarë po largohen nga Shqipëria dhe kjo ka marrë tashmë përmasa epidemike. Në rajonin evropian të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Shqipëria është në vendin e fundit për sa i takon mjekëve për 1,000 banorë. Menjëherë para nesh qëndrojnë disa vende që në fakt nuk janë as vende evropiane, si Taxhikistani dhe Kirgizstani. Ky është një problem për të cilin unë flas prej gati 15 vjetësh, por askush nuk dëgjon. Në fakt, unë nuk pretendoj se duhet të më dëgjojë mua gjithë mileti, por kur një specialist flet prej pesëmbëdhjetë vjetësh për një problem, dikush mund të thotë “Ore, hajde ta pyesim njëherë pse po i bie fyellit ky?!” Të prodhosh një mjek është proces i gjatë, shkon nga 15 deri në 20 vjet. Është shkolla, specializimi, nën specializimi, përvoja, rritja graduale në përgjegjësi, etj. Dhe ne e kemi humbur tashmë trenin. Sot largohen dhe dalin në pension më shumë mjekë se hyjnë në sistem, dhe shumë shpejt (më besoni) do të arrijmë në pikën kur nuk do të kemi më as kapacitete trajnuese. Ndërkohë popullata plaket dhe nevojat e saj për mjekë shtohen.

Rrugëzgjidhja që ofrohet deri tani është si gjithmonë simplistike dhe përkthehet në rritje rrogash. Nuk është kjo zgjidhja! Aspak! Mjeku nuk ikën vetëm për rrogë. Ikën sepse këtu nuk ka kushte pune. Mungon infrastrukturat e ofrimit të kujdesit, mungojnë medikamentet, mungojnë pajisjet, mungojnë protokollet, mungojnë politikat e zhvillimit strategjik, mungon respekti, mungon siguria në punë, mungon mbrojtja deri edhe fizike, mungon ai që në anglisht quhet “career path”, pra rruga që mjeku do të ndjekë për t’u bërë dikushi, e shumë faktorë të tjerë që unë i kam përmendur herë pas herë, por tani nuk më kujtohen të gjithë. Edhe këtu si më lart, zgjidhja është një strategji që përmirëson sistemin shëndetësor dhe jo masa të shkëputura.

Dypunësimi i mjekëve – është një nga nismat që u kundërshtua ose nuk u pranua nga mjekët, sepse vazhdojmë të kemi mjekë të dypunësuar-trepunësuar e ndoshta dhe më shumë, a është ky një problem?

Vende të ndryshme kanë përvoja të ndryshme. Dypunësimi për mendimin tim nuk është problem, për sa kohë ti e bën siç duhet punën kryesore, që në rastin tonë përkthehet puna në shërbimin publik. Por, që ta bësh atë punë siç duhet, ka nevojë për kushtet që folëm më lart. Unë jam okulist dhe e kuptoj një koleg që në spitalin shtetëror nuk ka një aparat për kryerjen e fushës vizive, nuk ka lazer, nuk ka mikroskop operator, nuk ka fako, etj. Çdo të bëjë ai në spital apo poliklinikë?! Të vizitojë si në shekullin e 19-të, duke i treguar gishtat pacientit? Natyrisht që do të kërkojë të harxhojë më tepër kohë në klinikën private, ku shërben me cilësi dhe siguri. Siç e shihni, për çdo problem përgjigja kthehet tek përmirësimi strategjik i sistemit shëndetësor.

Keni mbajtur një qëndrim PRO dyfishimit të çmimeve të stomatologëve dhe keni argumentuar se në sektorin publik shërbimet ofrohen falas, në atë privat duhet të ketë cilësi dhe cilësinë e garanton vetëm çmimi i përshtatshëm. Doktor, po në kushtet ku sistemi shtetëror nuk garanton cilësi shërbimi, a duhet të ketë një “frenim” të privatit?

Në parim, sistemi shëndetësor privat dhe ai i pagesave për shërbim kanë lindur nga synimi për t’i ofruar pacientit një shërbim më cilësor dhe më të sigurt. Stomatologu që ofron shërbim me çmime qesharake, natyrisht do të blejë materialet më pak cilësore, do të ofrojë shërbim me pajisje të vjetruara dhe në kabinete jo cilësore. Rritja e çmimit heq presionin për të ulur me çdo kusht koston dhe krijon mundësi që mjeku që ka dëshirë dhe “amor propio”, do ta shfrytëzojë këtë për të përmirësuar cilësinë e shërbimit. Unë nuk mendoj se privati duhet të frenohet, përkundrazi duhet nxitur dhe futur në sistem. Ka vende si Kanadaja dhe Gjermania që mjekun e familjes e kanë privat dhe e paguajnë me fonde publike. Australia paguan me fonde publike edhe mjekun privat specialist. Pra modele ka, por duhet të analizohen me kujdes për t’ju përshtatur kushteve dhe mundësive paguese që ka sistemi ynë shëndetësor.

Ka dy-tre muaj që nëpër lokale po pihet duhan si në Bagdad. Thua kaq e pati ligji?

Mendoj se zbatimi i këtij ligji është në përkeqësim, dhe kjo vjen sepse zbatimi i ligjeve në Shqipëri nuk lidhet me kuadrin ligjor, por me personat e veçantë. Në rastin e luftës kundër duhanit, kanë qenë dy mjekë të shkëlqyer që i vunë gjoksin zbatimit të këtij ligji. I pari është Dr. Roland Shuperka apo, siç njihet rëndom, “Doktor Landi i Duhanit”. Dr. Shuperka ka meritën absolute që hartoi një projektligj serioz, e mbrojti me vendosmëri ndaj presionit të lobingjeve të pista dhe punoi më përkushtim për ta zbatuar. Dr. Shuperka do të hyjë në historinë e shëndetit publik shqiptar si një prej njerëzve që kanë kontribuar më tepër për përmirësimin e shëndetit publik në Shqipëri, njëlloj si Dr. Ashta i malarjes apo Dr. Ndroqi i tuberkulozit. I dyti ishte Dr. Eltar Deda, kryeinspektori i Shëndetit, i cili ngriti një strukturë inspektimi model dhe e vendosi zbatimin e ligjit në korniza rregullatore. I pari ka dalë në pension dhe i dyti është larguar nga puna para ca muajsh. Mendoj se moszbatimi i ligjit lidhet me largimin e këtyre dy mjekëve nga sistemi.

Mjekë të korruptuar apo mjekë në vijën e parë të sulmit?

Mjekë që bëhen “koka turku” që të tjerët të vjedhin të pa shqetësuar, dhe mjekë që ikin.

Ka sëmundje të shtrenjta apo keqmenaxhim?

Nuk ka sëmundje të shtrenjta, por ka metoda shumë të shtrenjta për diagnozë dhe mjekim. Barnat e reja anti-tumorale kushtojnë deri në një milion dollarë në muaj për një pacient. Por ka edhe keqmenaxhim. Shqipëria hyn tek vendet me burime të pamjaftueshme për shëndetin, prandaj e ka të detyrueshëm prioritizimin në shpërndarjen e tyre. Ka të detyrueshëm hartimin dhe zbatimin e protokolleve dhe udhëzuesve. Jo protokolle dhe udhëzues që përkthehen shkel e shko, apo bëhen “dhuratë” nga kompanitë farmaceutike, por protokolle të përshtatur me nevojat shëndetësore të popullatës dhe mundësive që ka sistemi ynë shëndetësor. Ne mund ta zbatojmë shumë mirë protokollin amerikan për kataraktin, por nuk mund ta zbatojmë protokollin amerikan për tumoret e gjakut. Mjekët më kuptojnë shumë mirë në këtë shembull që mora. Po ashtu, ne nuk mund të shkojmë direkt tek alternativat “brand” dhe të anashkalojmë alternativat xhenerike, sepse nuk e kemi këtë luks. Nuk mund t’i çojmë një rezonancë magnetike një spitali rajonal, para se t’i çojmë një aparat eko të fjalës së fundit apo një aparat grafie dixhitale. Sistemi ynë duhet duhet të orientohet drejt kosto-efektivitetit dhe jo thjesht drejt suksesit terapeutik apo modernizimit sa për dukje. Dhe së fundi, po e përsëris për të disatën herë. Sistemi shëndetësor është shumë kompleks. Ai ka nevojë për një përafrim strategjik të mirëmenduar që të zhvillohet siç duhet. Në sistemin tonë asnjëherë nuk kemi pasur strategji apo plan zhvillimi strategjik. Kemi një zhvillim kaotik, sipas prioriteteve të momentit, premtimeve apo dëshirave të politikës dhe, së fundi gjithmonë e më shumë, sipas presionit të lobingjeve. Më keq se kaq nuk ka ku të shkojë.

Ka ligje të munguara, ligje të keqkuptuara apo ligje të pazbatuara?

Të gjitha bashkë. Por, në radhë të parë, duhet kuptuar se ne vazhdojmë me një kuadër ligjor anakronik që bazohet akoma në “urdhra” që vijnë “nga lart”. Sistemet shëndetësore bashkëkohore flasin për ligje bazë, strategji, plane zhvillimi strategjik të kostuar, manuale, politika, udhëzues të praktikës klinike, protokolle terapeutike, ndërsa tek ne vazhdon të pritet shigjeta e radhës e “Zeusit”. Nëse nuk ndryshojmë përafrimin ndaj kuadrin ligjor, është e kotë të vazhdojmë më tej.

Ka Partneritet Publik Privat apo favorizim të privatit në kurriz të publikut?

Disa nga skemat PPP të aplikuara së fundi në sistemin tonë shëndetësor kanë qenë efektive dhe disa jo. Check up-i për mua është konceptuar gabim, sepse përfitimet në shëndet janë të dyshimta. Mund të ishte konceptuar si një fushatë njëvjeçare për të përcaktuar ato që quhen baseline data dhe, më pas, të ndiqeshin në dinamikë vetëm rastet në risk. Nuk e kuptoj përse për një person 40-vjeçar, i cili ka rezultuar i shëndetshëm në check up-in e parë dhe vazhdon të jetë i shëndetshëm kur i mat presionin e gjakut, peshën, etj., shteti duhet të paguajë për të kryer disa analiza rutinë, pa ndonjë domethënie klinike, për 10 vjet rresht. Kjo është një praktikë që nuk e zbaton më pothuajse asnjë vend në botë dhe është provuar shkencërisht se nuk sjell ndonjë përfitim të matshëm në shëndet.

PPP-të e dializës dhe të laboratorëve janë masa për mendimin tim të dobishme. Nuk po hyj në detajet financiare të koncesioneve apo mënyrën se si janë organizuar, por fakti që këto shërbime jepen me koncesion, nuk është shpikje shqiptare, por praktikë e mirë ndërkombëtare. Edhe PPP-ja e sterilizimeve është praktikë e mirë ndërkombëtare, por për mendimin tim ishte e parakohshme për sistemin tonë publik. Është e shtrenjtë dhe mendoj se nuk e justifikon kosto-efektivitetin. Për shembull, sistemi shëndetësor në Emiratet e Bashkuara Arabe vetëm vjet e aplikoi për herë të parë PPP-në e sterilizimit dhe ai nuk është një sistem që vuan për burime financiare si sistemi ynë.

Megjithatë, ajo që mua më shqetëson më shumë tek PPP-të është vështirësia e strukturave tona publike për të monitoruar siç duhet shpenzimin e parave dhe përmbushjen e detyrimeve kontraktuale të partnerit privat. PPP-të janë thikë me dy presa. Ato ndihmojnë dhe janë mjete të mira për të përmirësuar cilësinë dhe qasjen ndaj shërbimeve shëndetësore, por rrezikojnë të kthehen në vrima të zeza të parave publike, kur nuk monitorohen. Kam frikë se me kuadrin monitorues të mangët që ka sistemi ynë shëndetësor, ato mbeten një ndërmarrje me risk të lartë.

Përmendet vazhdimisht përafrimin strategjik dhe e quajtët si zgjidhje për pothuajse çdo problem? Ky është shkopi magjik për zgjidhjen e problemeve në sistemin shëndetësor?

Nëse ka një shkop magjik për zgjidhjen e problemeve në sistemin tonë shëndetësor, ky shkop do të ishte autonomia e institucioneve shëndetësore. Kolegët dhe miqtë bëjnë shpesh shaka me mua, sepse ikjen e mjekëve dhe nevojën për t’i dhënë autonomi spitaleve dhe qendrave shëndetësore unë e përmend në çdo prononcim mediatik. Por autonomia e plotë vendimmarrëse e institucioneve shëndetësore ka potencialin të zgjidhë shumë nga problemet e sipërpërmendura. Më vjen keq që për autonominë flasin të gjithë, por askush nuk e zbaton. Në spitale, autonomia u dha Spitalin të Durrësit në një projekt pilot gati 20 vjet më parë dhe ngeli atje. Në Qendrat Shëndetësore, autonomia u dha në vitin 2005 apo 2006 dhe që nga ajo kohë vetëm ka ecur mbrapsht. Në sistemet me burimeve të pakta, dhënia e autonomisë zgjidh shumë probleme.

Në vazhdim, unë do të përmendja edhe një shkop gjysmë-magjik që është informacioni shëndetësor. Shëndetësia jonë është në gjendje skandaloze për sa i takon zhvillimit të sistemeve të informacionit shëndetësor. Unë kam vizituar për shkaqe pune disa vende shumë më të varfra dhe më të prapambetura se ne, që janë duke bërë punë të shkëlqyer me sistemet elektronike të informacionit. Në shekullin e 21-të nuk mund të ofrosh më shërbim shëndetësor dhe nuk mund të menaxhosh pa pasur informacionin e duhur, në kohën e duhur dhe në vendin e duhur. Të operosh akoma me kartela prej letre, i bën mjekët tanë më të ngjashëm me mjekët e Egjiptit të Lashtë, që shkruanin mbi papiruse, se sa me mjekët modernë në Evropë apo vende të tjera të zhvilluara.

A mendoni se shoqëria civile, apo institucionet e pavarura kanë ndonjë rol në përpjekjet për përmirësimin e frymës së përgjithshme për mjekët dhe në përpjekjet për ta mbajtur Trurin në Shqipëri?!

Të them të drejtën, nuk kam parë ndonjë angazhim të madh, jo vetëm nga shoqëria civile, por as edhe nga organizatat që duhet t’i trajtojnë këto probleme me seriozitet maksimal, siç janë sindikatat, shoqatat mjekësore, shoqatat e pacientëve, Urdhri i Mjekut, etj. Ajo që më ka bërë përshtypje shumë pozitive është angazhimi i një prej organizatave më aktive të shoqërisë civile “Together for Life”, me studimin e saj mbi shkaqet e ikjes se mjekëve. Mendoj se studimi i kësaj shoqate u bë kambanë alarmi për shoqërinë, dhe meriton përgëzimet më të mira për seriozitetin dhe profesionalizmin me të cilin e trajtoi çështjen. Por, siç thotë fjala popullore, “Kambanat bien për ata që kanë veshë”, dhe unë shpresoj që diku në strukturat tonë publike të riaktivizohen veshët që duhen për të dëgjuar këtë sinjal alarmi. Uroj që studimi i kësaj shoqate të vazhdojë të sensibilizojë opinionin, sepse siç thashë, po arrijmë në pikën e moskthimit dhe rrezikojmë të mbetemi një vend pa mjekë dhe infermierë.

 

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here