Kryefaqja Të rinjtë Ervis Trupja, shqiptari i parë në ekipin e LinkedIn

Ervis Trupja, shqiptari i parë në ekipin e LinkedIn

0
Shpërndaje

Bisedoi: Blertina Koka

Ervis Trupja është i pari shqiptar që punon për rrjetin më të madh profesional në botë, LinkedIn. Njerëz nga e gjithë bota marrin leksione mbi teknologjinë nga një inxhinier vetëm 26 vjeç, që gjithë shkollimin e ka përfunduar në Shqipëri.

Me zellin autodidakt, zgjuarsinë dhe vullnetin e hekurt, i riu nga Dibra ka arritur të sigurojë një kontratë pune si instruktor në dy nga platformat më të mëdha në botë, LinkedIn dhe Pluralsight, duke punuar kështu përkrahë emrave më të njohur në fushën e teknologjisë, që kanë studiuar në universitetet më të mira në botë (Harward, MIT etj).

Ai e nisi karrierën e tij si mësimdhënës në një nga shkollat e mesme në Tiranë, duke mësuar kështu fuqinë e mësimdhënies dhe kultivuar atë tashmë në një dimension tjetër, si dhënës dijesh për komunitetin e gjerë të internetit, në çdo cep të botës.

Dëshirën për të marrë dhe dhënë sa më shumë njohuri mbi teknologjitë e reja dhe pasionin e tij për mësimdhënien ai i gërshetuar në krijimin e kurseve online për platformat LinkedIn, YouTube, Pluralsight, Udemy.

Pasioni i tij për gjuhët e huaja e ka shtyrë të mësojë dhe të komunikojë në pesë gjuhë: shqip, anglisht, turqisht, italisht dhe gjermanisht.

Një programues i zoti, i cili di të balancojë punën me jetën sociale, dhe nuk është aspak ai prototipi i inxhinierit të shfaqur nëpër filmat Hollywood-ianë, në dhoma me ndriçim të ulët, të tensionuar dhe duke shtypur taste pa fund.

Në një intervistë për gazetën Shëndet Plus, Ervisi na tregon për rrugëtimin e tij nga Universiteti i Tiranës në zyrat e LinkedIn, si është të punosh në rrjetin më të madh profesional në botë dhe si është jeta e një inxhinieri.

Vetëm 26 vjeç, ndër të parët shqiptarë që punon për LinkedIn. Si është e mundur?

Nuk e kisha menduar kurrë që një ditë do isha pjesë e kësaj platforme, dhe jo si student, por si instruktor. Por ja që është e mundur!

LinkedIn bleu në vitin 2015 platformën Lynda.com dhe që prej asaj kohe ka punuar jashtëzakonisht shumë që të krijojë LinkedIn Learning, me fokusin për të ndihmuar profesionistët në avancimin e aftësive të tyre. Platformën Lynda.com unë e kam përdorur jashtëzakonisht shumë gjatë kohës si student. Nga aty mësoja tema të ndryshme mbi programimin. Pasi kisha përfunduar studimet dhe tashmë punoja me kohë të plote si programues, vendosa që një pjesë të vogël të kohës ta përdorja për të krijuar kurse online, meqenëse kam edhe background në mësimdhënie. Kështu që krijova disa kurse falas për YouTube. I publikova në kanalin tim në YouTube (www.youtube.com/c/dotnethow) dhe vura re që interesi i shikuesve ishte i lartë. Meqenëse po harxhoja shume kohë për krijimin e tyre, por nuk po gjeneroja aspak të ardhura, vendosa të krijoja kurse kundrejt një pagese, kështu që aplikova në disa kompani dhe një ndër to ishte LinkedIn (Lynda.com ishte blerë tashmë nga LinkedIn). E gjitha kjo ndodhi brenda një periudhe 5-6 mujore.

 

Nga Universiteti i Tiranës për në zyrat e LinkedIn. Më trego pak për këtë rrugëtimin tënd.

Kam përfunduar studimet Bachelor dhe Master në degën e Inxhinierisë së Matematikës dhe Informatikës, pranë Fakultetit të Shkencave të Natyrës. Gjatë studimeve kam punuar 1 vit si mësues matematike në një shkollë të mesme në Tiranë, por pas një viti mësimdhënieje, vendosa të fokusohem vetëm në fushën e programimit. Menjëherë sapo përfundova studimet, mora një ofertë pune nga një kompani në Gjermani, ku edhe punova për 2 vite. Gjatë kohës që isha i punësuar full-time si programues, aplikova si instruktor në dy nga platformat më të mëdha në botë, LinkedIn dhe Pluralsight. Të dyja këto kompani më refuzuan, sepse nuk kisha mjaftueshëm portofolio. Vendosa te krijoj kurse falas per Youtube (www.youtube.com/c/dotnethow) dhe këto kurse më pas t’i përdorja edhe si portofolio për të riaplikuar. Pasi arrita 500 ndjekës në YouTube, riaplikova tek të dyja këto kompani dhe u pranova. Kështu nisi gjithçka!

Si konsiston puna apo kontrata me LinkedIn, çfarë bën saktësisht?

Për kompaninë LinkedIn krijoj kurse programimi online. Pra, marr një temë të caktuar programimi, krijoj një plan, regjistroj kursin dhe e publikoj në platformën LinkedIn Learning.  Regjistrimi i kursit bëhet gjithmonë pranë studiove të LinkedIn, në Carpinteria të Kalifornisë.

Deri më tani kam publikuar 2 kurse, nga të cilat njëra është online dhe e disponueshme për shikuesit (ASP.NET MVC 5 Identity: Authentication and Authorization) ndërsa kursi i dytë (Building Angular and ASP.NET Web API Apps) është në fazën përfundimtare të procesit dhe do të lançohet brenda këtij viti. Aktualisht po përgatis dy kurse të tjera mbi sigurinë e aplikacioneve web. Të gjitha kurset e mia për LinkedIn mund të gjenden në: https://www.linkedin.com/learning/instructors/ervis-trupja

Si është të punosh për LinkedIn?

Është privilegj dhe kënaqësi e jashtëzakonshme, sepse punon me ekspertë të fushës në nivel botëror. Menaxheret me të cilët punoj ose që më udhëzojnë në krijimin e kurseve kane studiuar në universitetet më të mira në botë (Harward, MIT etj.), si dhe kanë punuar në kompani tepër prestigjioze. Ka shumë për të mësuar dhe kjo bëhet akoma më e lehtë kur mund të pyesësh ekspertët elitë të fushës.

LinkedIn, maja e suksesit?

LinkedIn nuk është maja e suksesit. Nuk e shoh si të tillë dhe nuk dua që të jetë e tillë. Jeta është e gjatë dhe kurrë nuk i dihet çfarë ka rezervuar e ardhmja. LinkedIn është një motivim i jashtëzakonshëm për të vazhduar dhe synuar më tej.

Inxhinieria konsiderohet si një nga fushat më të vështira. Cila ka qenë pjesa më sfiduese gjatë viteve të universitetit?

Nuk mendoj se degët inxhinierike në vetvete janë të vështira. Mendoj se janë metodat e mësimdhënies, kurrikulat e pa përditësuara që e bëjnë më të vështirë inxhinierinë ose studimet në përgjithësi. Për mua pjesa më sfiduese ka qenë të qëndruarit i motivuar për të studiuar dhe për të dhënë maksimumin duke mos pasur një vizion të qartë për të ardhmen.

Zgjodhe ti inxhinierinë apo të zgjodhi ajo ty?

Inxhinieria nuk ka qenë preferenca ime e parë, megjithëse kam pasur gjithmonë pasion për lëndët shkencore. Preferenca e parë ka qenë mjekësia, por jam shumë i kënaqur me zgjedhjen që kam bërë dhe po të isha sërish përballë këtyre dy mundësive, do zgjidhja gjithmonë inxhinierinë.

Si është një ditë pune normale e jotja?

Ditën e filloj rreth orës 9:00, ku kontrolloj fillimisht emailet. Më pas shoh planin ditor të përgatitur një ditë në avancë. Punoj rreth 3-4 orë paradite. Më pas pushoj për 2-3 orë, ku veç drekës, kaloj edhe pak kohë duke lexuar ndonjë libër jashtë fushës. Kryesisht më pëlqejnë biografitë dhe librat që ndërthurin teknologjinë me historinë. Më pas punoj për 4-5 orë të tjera ose edhe më shumë, në varësi të ngarkesës.  Përgjithësisht kaloj 40% të kohës duke programuar dhe 60% duke krijuar kurse për platforma të ndryshme (LinkedIn, Pluralsight, Udemy, YouTube). Nuk kam një orar fiks kur e filloj dhe mbaroj punën, por punoj afërsisht 10-12 orë çdo ditë.

A ka ndryshuar perceptimi yt për teknologjinë që pasi ndoqe këtë fushë?

Po, ka ndryshuar shumë. Duke qenë në brendësi të fushës, kam mundësi që të ndjek zhvillimet e fundit, trendet etj. Kjo më ndihmon të formuloj një perceptim më të plotë mbi teknologjinë. Më parë teknologjinë e shihja si diçka që mund ta përdor për të lehtësuar jetën time. Tani e shoh si diçka që mund ta përdor për të prodhuar dhe lehtësuar jetën e të gjithëve. Pra, kam kaluar nga perceptimi si konsumator në prodhues/krijues.

Cila është gjëja më fantastike në profesionin tënd?

Gjëja më fantastike në profesionin tim është mundësia për të punuar nga distanca për kompani të ndryshme në botë, pa qenë nevoja të jesh fizikisht aty. Ka mbi një vit që e ndjek këtë praktikë dhe e shoh si gjënë më fantastike. Gjithashtu, IT është fusha më e kërkuar e momentit, që do të thotë se ka më shumë kërkesë sesa oferta, gjë e cila na ndihmon të seleksionojmë punëdhënësit dhe të kërkojmë kushte më të mira pune.

Po më pak e dëshirueshme?

Është fantastike të punosh për kompani të ndryshme, por shpeshherë kompanitë ndodhen në intervale kohore të ndryshme. Na duhet të përshtatemi me oraret e tyre, që do të thotë se shpeshherë na duhet të punojmë në orë të vona të natës ose herët në mëngjes. Gjithashtu, teknologjia evoluon me hapa galopante, kështu që duhet të studiojmë çdo ditë për të qenë sa më të informuar për zhvillimet më të fundit.

Sa u përket studentëve të inxhinierisë në Shqipëri, sa të interesuar i shikoni për të investuar në formimin dhe rritjen profesionale?

Unë shoh që interesi vjen në rritje dita ditës. Gjithashtu, kërkesat e tregut vendas dhe të huaj janë të larta, çka sjell që edhe interesi për të investuar në formimin dhe zhvillimin profesional të jetë në rritje.

Për studentët që ndihen si të “zënë ngushtë” në këtë profesion, çfarë këshille do t’iu jepje? 

Të bëjnë diçka që ata ndihen mirë. Nëse ndihen të zëne ngushtë për shkak se nuk po trajtohen mirë nga punëdhënësi, le të ndryshojnë punën. Nëse ndihen të zënë ngushtë për shkak se nuk ndihen të sfiduar me problemet që zgjidhin gjatë ditës, le të kërkojnë për probleme më të vështira. Dhe nëse ndihen të zënë ngushtë nga vetë profesioni, le të ndryshojnë profesion. Unë kam qene një vit mësues dhe ndihesha i zënë ngushtë në punën qe kisha. Lash punën dhe u fokusova në fushën e inxhinierisë. Puna zë një pjesë të madhe të ditës tonë dhe rrjedhimisht të jetës tonë. Jeta është shume e shkurtër për ta harxhuar atë si i “zënë ngushtë”.

Shumë njerëz i mendojnë inxhinierët të ulur në zyrë duke bërë kodime gjatë gjithë ditës. Vlen kjo edhe për ty?

(Qesh) Jo vetëm që nuk vlen për mua, por nuk vlen as për pjesën më të madhe të kolegëve të mi. Një programues programon maksimalisht 20-30% të kohës së tij. Pjesën tjetër të kohës e kalon në mbledhje, diskutime etj.

Profesioni ynë është i njëjtë me të tjerët, thjesht natyra e problemeve ndryshon.

Çfarë idesh të tjera të gabuara kemi ne për ju inxhinierët?

Mendoj se shumica e programuesve perceptohen si jo socialë. Kjo nuk është e vërtetë për një pjesë të mirë tonën. Mendoj se për krijimin e këtij prototipi ndikimin më të madh e ka pasur Hollywood-i. Në shumicën e filmave Hollywood-iane programuesit shfaqen në dhoma me ndriçim të ulët, të tensionuar dhe duke shtypur taste pa fund.

Je ti ai inxhinieri që ha pizza dhe pi cola gjatë gjithë ditës, apo kujdesesh për mënyrën si ushqehesh?

Mundohem maksimalisht që të kujdesem për mënyrën si ushqehem. Nuk ha pizza dhe pi cola gjithë ditën, por ka shumë hapësirë për përmirësim për sa i përket ushqyerjes.

Gjen kohë një inxhinier për të kryer aktivitet fizik?

Unë personalisht nuk gjej gjithmonë kohe për të kryer aktivitet fizik. Por, kjo ka të bëjë me mua si individ dhe jo me profesionin në përgjithësi. Mendoj se koha për të bërë aktivitet fizik lidhet më shumë me personin se sa me fushën. Nëse ka dëshirë, ka gjithmonë kohë për të bërë aktivitet fizik apo çfarëdo lloj gjëje tjetër.

Po me gjumin, bën kompromise, për hir të punës?

Fatkeqësisht bëj shpesh kompromise me gjumin për hir të punës. Më duhet të punoj me klientë me të cilët kam diferencë të madhe në kohë, ndaj mundohem që të përshtatem me oraret e tyre të punës. Jo gjithmonë, por ndodh shpesh.

Google-on për çdo problem shëndetësor, apo shkon menjëherë te mjeku?

Nuk e përdor Google për të kërkuar për një problem shëndetësor. Nëse kam ndonjë problem shëndetësor, shkoj menjëherë tek mjeku. Përgjithësisht nga interneti marr informacion mbi zhvillimet më të fundit në mjekësi, dobitë e produkteve te ndryshme ushqimore etj. Pra, google-oj për informacion të përgjithshëm dhe jo për probleme specifike shëndetësore.

A duhet t’i besojmë gjithmonë një inxhinieri?

Ne duhet t’i besojmë gjithmonë një inxhinieri të mirë, por jo çdo inxhinieri. Ashtu siç duhet t’i besojmë një doktori, arkitekti, avokati të mirë, por jo çdo doktori, arkitekti apo avokati./ Shendeti.com.al

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here