Kryefaqja Lajm kryesor Evis Cerga: Jeta ime mes artistësh dhe librave

Evis Cerga: Jeta ime mes artistësh dhe librave

0
Shpërndaje

 

Bisedoi: Denisa Canameti

Në librarinë e qytetit tuaj, është shtuar një libër i ri: “Rruga Miqësia”. Një libër me histori të shkurtra dhe ese. Evis Cerga, është autorja e librit. Ajo ka mbaruar studimet e larta në Universitetin e Kairos, në Fakultetin e Arteve të Bukura, dega Letërsi Angleze. Ka punuar për trembëdhjetë vjet si përkthyese në Përfaqësinë e Përhershme të Zyrës së Bankës Botërore në Tiranë. Që nga viti 2007 është Përkthyese në profesion të lirë. Në një intervistë për lexuesin e gazetës Shëndet plus, Cerga rrëfen diçka për librin e saj, për letërsinë dhe lexuesin në tërësi, për personazhet, dhe për zakonet e saj. Rruga “Miqësia”, si duhet ta kuptojë lexuesi këtë titull? Apo i duhet lënë interpretimit individual të gjithsecilit, pasi është njohur me veprën në tërësi? “Rruga Miqësia” nuk është një libër nga titulli i të cilit mund të nxjerrësh një ide të vetme. Zakonisht kur përmendim një rrugë, ajo rrugë e ka një histori. Siç e ka fjala vjen “Rruga Budi 723” e shkrimtarit të njohur shqiptar, Ruzhdi Pulaha. Libri im ka histori të shkurtra dhe ese që nuk lidhen me titullin, por që janë frymëzuar nga kjo rrugë, sot rruga “Abdyl Frashëri”. Rruga në vetvete e mori emrin nga miqësia shqiptaro-kineze, por për mua është rruga ku kam kaluar fëmijërinë dhe adoleshencën. Kaq është historia e rrugës Miqësia, pastaj, ajo e “Rrugës Miqësia” patjetër i takon lexuesit.

“Skica dhe tregime”, sa qasje Migjeniane ka ky libër? Cilat janë problematikat që trajtohen aty?

Asgjë Migjeniane! Libri është i mbushur me aq shumë gëzim, humor dhe dashuri, saqë Migjeni do të kish dashur të më njihte (qesh). Libri është një si rruga. Ecën dhe shikon! Takon! Lë mbrapa! Por në rrugë secili sheh atë që do, pallatin që do, dyqanin që do. Edhe në libër kështu ndodh. Historitë e librit “i këndojnë“ Tiranës, qytetit që e dashuroj më shumë se çdo qytet në botë. Këtij qyteti ku kam lindur dhe jam rritur. Mendoj që në këtë libër do të gjeni të gjithë personazhet e imagjinatës, nga kapteri në një burg, tek mësuesi i një shkolle të largët, tek vjehrrat, tek inxhinierët, kamarierët, bufetierët. Sigurisht në libër nuk i referohem vetëm Tiranës, por edhe qyteteve të tjera pa emër, të Shqipërisë. Ka histori përpara 90-ës, por edhe pas 90-ës, në lupën time.

Sa të përgatitur e gjeni lexuesin shqiptar për të mirëpritur libra dhe autor të rinj?

Për lexuesin shqiptar nuk mund të flas shumë. Do t’u takonte shtëpive botuese të flisnin. Sot mungon një kritikë e mirëfilltë letrare dhe nuk flitet aq shumë për librin, në mënyrën e duhur, apo në formate të sakta për librin. Ky është mendimi im. Për librin tim konkretisht mund të them që është pritur më me dashuri nga ç’e prisja.

Çfarë duhet të dimë për autoren Evis Cerga? Ku keni lindur? Ku dhe çfarë keni studiuar?

Për autoren duhet të lexoni librin (Qesh). Unë kam lindur në qytetin e Tiranës, siç e përmenda edhe më sipër. Shkollën fillore e kam kryer tek “11 janari” (sot Edit Durhami). Atë të mesme tek “Asim Vokshi”, shkolla e gjuhëve të huaja. Studimet e larta i kam kryer në Kajro, Egjipt. Kam studiuar në degën “Letërsi angleze”. Që nga viti 1994 kam punuar si përkthyese dhe interprete. Prej këtyre viteve, 12 kam punuar pranë zyrës së Përfaqësisë së Përhershme të Bankës Botërore në Tiranë dhe më pas jam në profesion të lirë.

 Çfarë ju lidh me letërsinë?

Me letërsinë, më lidh familja. Xhaxhai im ka qenë një shkrimtar interesant, me emrin Agim Cerga. Nuk e kam menduar që kjo do të lidhte me të, veçanërisht. Kam jetuar në mjedis artistësh, të cilët nuk po i përmend, sepse mbase nuk është e nevojshme. Kam lexuar libra gjithë jetën dhe personazhet e tyre më kanë ndihmuar të jetoj shumë bukur edhe në imagjinatë. Më kanë ndihmuar të shprehem. T’ju shprehem edhe juve sot, që më lexoni.

A përpiqeni të jeni origjinale ose t’u jepni lexuesve çfarë duan?

Jam tërësisht “bio” (Qesh). Origjinalitetin e kam specialitet. Jam tërësisht vetvetja. Shkruaj siç më kap frymëzimi. Do të isha e lumtur që edhe lexuesit të kënaqeshin po aq sa shkruaj.

Cilat autorë nuk ju kanë pëlqyer në fillim, por që më vonë ndryshuat mendim?

Nuk kam autorë të tillë. Kam autorë që më kanë pëlqyer gjithmonë e më shumë. Lexoj letërsi të autorëve shqiptarë edhe sot me shumë endje. Duhet ta korrigjoj. Ri-lexoj. Kadare, Dritëro Agolli, Fatos Kongoli, Gaqo Bushaka (sa shumë e kam lexuar “Çufon dhe Bubin Kacurel), Jakov Xoxa, Kol Jakova, Nasi Lera. Habitem edhe sot sa bukur duken rrugët që ata përshkruajnë, personazhet e kohëve të pajetuara, por edhe ndryshe. Letërsia është një “spektakël” që mund ta “shohësh” sa herë të duash.

Sa orë shkruani në ditë?

Nuk shkruaj përditë. Nuk shkruaj më shumë se një orë. Shkrimet e mia janë tepër impulsive. Janë si diçka e brendshme që më frymëzon dhe duhet patjetër ta them, me “frikën” se mos më zhduket. Kur e lexon librin, këtë e kupton.

Si i zgjidhni emrat e personazheve tuaj?

Kjo është një pyetje shumë e bukur! Të gjithë personazhet kanë emra rastësorë, por që lidhen me një person të njohur, ose të panjohur që nuk e përfaqëson aspak në tregim. Kryesisht janë emra tepër të përdorur, njësoj sikur bën “apelin” në shkollë. Moza, Tani, Titi, Sokoli, Altini, Artani… Është mënyra ime për të kujtuar.

A mendoni se historia e letërsisë do mbajë mend shumë, për vitet 2000-2019? Kush janë autorët që sipas jush, aktualisht duhen lexuar patjetër?

Më duket se jo edhe aq. Teknologjia nuk e lejon. Autorët janë të shumtë, mjafton të shkosh në librari. Atje gjen edhe Dritëroin me “Shokun Zylo”, gjen Kadarenë me “Dimrin e Madh” edhe kur është verë, gjen “Çufon dhe Bubin Kaçurrel” për fëmijët në plazh. Gjen autorë për çdo “gusto”. Unë për vete, më duhet të bëj “tifozllëk” për “Rrugën Miqësia”. Në plazh të argëton.

Si është një ditë normale e juaja?

Një ditë normale është: Ngrihem të përcjell djalin në shkollë. Punë të vogla shtëpie, kur nuk jam duke punuar. Përkthim në konferenca. Gatim. Kafene. Shëtitje nga liqeni. Pavarësisht nga moti. Shkruaj.

Çfarë ju frymëzon?

Më frymëzojnë njerëzit. Qyteti. Lëvizja. Udhëtimet. Parku i liqenit. Bulevardi Dëshmorët e Kombit. Deti. Uji. Lulet. Pemët. Arkitektura. Rrugët.

Çfarë ju trishton?

Më trishton televizori, sapo e hap dhe dëgjoj lajmet. Më trishton urrejtja, mllefi. Njerëzit që nuk dinë të shkruajnë. Që nuk dinë të shprehen. Njerëzit e vrazhdë. Pisllëku. Mashtrimi.

Cili është qyteti më i bukur i Shqipërisë, sipas jush?

Tirana!

Një ditë me diell, apo një natë me yje?

Të dyja. Edhe me diell, edhe me yje.

“O malet e Shqipërisë”…apo …”Buzë liqerit”?

“Buzë liqerit”.

 

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here