Fatmir Brahimaj: Mjekësia është mision, jo profesion

Në gjithë botën flitet jo vetëm për kënaqësi të pacientit, por edhe për kënaqësi të personelit. Këtu tek ne vështirë të thuhet që personeli ndjen kënaqësi. Kjo sepse për fat të keq personeli shëndetësor i ka kundra të gjithë

Denisa Canameti

Para disa muajsh u bënë zgjedhjet e reja për Presidentin e Urdhrit të Mjekut të Shqipërisë, ku u zgjodh doktor Fatmir Brahimaj. Emri i tij gjeti një mbështetje të madhe nga të gjithë duke u mirëpritur si një figurë pozitive, e thënë ndryshe si figura që i duhej këtij institucioni. Në një intervistë për lexuesin e gazetës “Shëndet+”, Fatmir Brahimaj sqaron një sërë çështjesh që lidhen me Urdhrin në veçanti e me shëndetësinë në përgjithësi. Ai sqaron qëndrim e tij lidhur me çështjen e testimit si dhe shumë çështje të tjera të diskutuara. Lidhur me sfidat e tij në krye të atij institucioni mjeku pranon se depolitizimi mbetet një sfidë të cilën uron ta fitojë me kohën. Fatmir Brahimi (5)

Doktor, sa e njihni institucionin e Urdhrit të Mjekut?

Për dy mandate rresht jam zgjedhur President i Këshillit Rajonal të Vlorës. Pra, e njoh mirë. Kam qenë pjesë e strukturës që prej krijimit të Urdhrit dhe e kam ndjekur ecurinë e tij. Si i tillë e kam të qartë edhe perspektivën se ku duhet të shkojë. Kjo ishte ajo që më bëri ta pranoja këtë post, pasi për mua ishte  e vështirë që të lija specialitetin tim. Unë e kam nisur shëndetësinë me dëshirë dhe kam punuar në një kolektiv të mirë. Gjithashtu, shërbimi ku kam punuar, është vlerësuar gjithmonë pozitivisht për rezultatet e arritura.

Jeni shkëputur totalisht nga puna në Vlorë?

Po, patjetër. Këtu jam me kohë të plotë.

Cilat janë objektivat që i keni vendosur vetes?

Objektivi im kryesor është që Urdhri i Mjekut të kthehet në shtëpinë e mjekëve. Ashtu si në shtëpi shkojmë kur kemi të mira, por edhe për shqetësime, edhe mjekët të vijnë të shprehin kënaqësitë dhe pakënaqësitë për të gjetur më pas zgjidhjen më të mirë.

Synimi është që të ruajmë ato arritje që janë bërë, si dhe për t’i çuar përpara. Është e rëndësishme që të marrim hapësirën e duhur brenda faktorëve dhe aktorëve të sistemit shëndetësor. Pra, të marrim kompentencat, angazhimet që ka për detyrë institucioni ynë.

Mendoni se i keni këto kompentenca aktualisht?

Thashë që ato që ka arritur në këtë periudhë Urdhri i Mjekut, do përpiqemi t’i çojmë përpara. Sigurisht, që nuk mund të pretendojmë që kemi arritur gjithçka, por edhe nëse do t’i kishim arritur, koha do të shtronte kërkesën për të realizuar të tjera synime. Sigurisht që edhe marrja e kompetencave të plota është synim që do realizohet me kohën. Ne do të përpiqemi të vendosim gurë të tjerë në këtë mur që ka filluar të ngrihet. Ka sigurisht vështirësi, jo vetëm për vendin tonë, por edhe për vendet të tjera që kanë një institucion më të konsoliduar dhe të ngritur shumë më herët.

Thatë që Urdhri u krijua vonë në raport me vendet e tjera. Çfarë do të thotë të jesh në krye të një institucioni që mundet të ketë më shumë vështirësi e peripeci se sa duhet?

Kjo është një përgjegjësi e madhe dhe që më bën të kem detyrime të mëdha. Por unë shpresoj që të kemi një bashkëpunim korrekt me strukturat me të cilat ligji na detyron të bashkëpunojmë. Është nevojë të bashkëpunojmë me to, është nevojë të riorganizojmë punët.

Unë kam dy muaj në këtë institucion. Gjëja e parë që kam bërë ka qenë bërja e statutit. Ligji i ri i dalë në vjeshtën e kaluar na ka detyruar që të bëjmë ndryshime në statut. Pastaj mbështetur në statut do të ndryshojnë të gjithë dokumentet e tjera. Në mbledhjen e parë të Këshillit Kombëtar do t’i miratojmë këto ndryshime.

Krahas kësaj kam bërë përpjekje për të riaktivizuar bashkëpunimin me strukturat shëndetësore. Ka pasur memorandume bashkëpunimi me Ministrinë e Shëndetësisë, me Fondin, me QKEV-në por unë kam bërë edhe nga një takim me drejtuesit e këtyre institucioneve për të mbetur dakord që juristët e të dyja palëve të bashkëpunojnë për t’i riparë këto ndryshime, si dhe për të bashkëpunuar fuqimisht dhe cilësisht. Me përjashtim të Ministrisë, ku nuk kam realizuar ende një takim. Kjo ndoshta dhe për shkak të fushatës elektorale, nuk është gjetur koha.

Po thoni që nuk keni pasur takim me ministrin e Shëndetësisë. A keni menduar që një ndër arsyet pse ky takim po shtyhet është për shkak të mosmarrëveshjeve që tani dihen midis Urdhrit dhe Ministrisë?

Personalisht kam kërkuar takim me ministrin.

Ka refuzuar apo nuk doni ta lexoni si refuzim?

Nuk më ka kthyer përgjigje.

Për t’iu rikthyer pyetjes, mos ka të bëjë ky qëndrim me konfliktin?

Nuk e di. Unë thashë që jam për ta respektuar partneritetin. Jam pro bashkëpunimit me të gjithë aktorët dhe faktorët e shëndetësisë, gjithnjë duke respektuar hapësirën e secilit. Dhe përpjekjet e mia do të jenë të vazhdueshme në mënyrë që mendimet profesionale të jenë unike. Duhet që të bashkëpunojmë në formën e konsultimeve të vazhdueshme, të institucionalizojmë një bashkëpunim më të qëndrueshëm.

Nëse politika do të përpiqet që të tejkalojë kompetencat dhe të ndërhyjë në aspekte që në fakt i takojnë Urdhrit, ju ç’qëndrim do të mbani?

Ne edhe me ligjin e mëparshëm, edhe me ligjin e ri, jemi jo politik. Do të përpiqemi të ruajmë statusin tonë si një organizëm thellësisht professional. Puna ime dhe përpjekjet e mia do të synojnë në këtë drejtim. Unë do të mbaj këtë linjë. Pastaj, jo gjithçka varet nga unë.

Lidhur me testimin e mjekëve, si e keni parë dhe si e shihni këtë çështje?

Mjekët e kanë shprehur qëndrimin që kanë pasur për çështjen në fjalë. Para dhe pas zgjedhjeve kam pasur takime me mjekët, sepse janë të shqetësuar. Gjithashtu kam pasur edhe një komunikim me përfaqësuesit e medias ku kam thënë që testimi është një vendim jo i menduar mirë. Një vendim që ka cenuar integritetin dhe figurën e mjekut, si dhe ka cenuar marrëdhënien e tij me pacientin.

Ju si mjek e keni ndjerë këtë lloj “cenimi”?

Patjetër. Jo rrallë na ka ndodhur që për një gjë që nuk i pëlqente pacientit, të na drejtohej: “ Hë se testimi do t’jua tregojë vendin ju”.  Qoftë për të respektuar një rregull që është detyrim për ta, siç është për shembull, respektimi i sistemit të referimit. Ne punojmë në institucion shtetëror dhe jemi të detyruar të zbatojmë rregullat. Është e pakuptimtë që te një mjek që ke besuar 30 apo 40 vjet, të dyshosh dhe t’i thuash prit se do të të testoj.

Por ka mjekë që kanë mbi 30-40 vite punë, por që nuk i përditësojnë njohuritë…

Për të testuar nivelin, nuk është formë vetëm marrja në testim, sepse mjekësia nuk është profesion, është mision. Unë kam vizituar edhe ditën që jam martuar, miq të mi kanë vizituar ditën e varrimit të një personi të shtrenjtë e shumë e shumë situata të ngjashme. Janë këto gjëra që nuk ka metër t’i masë. Ne kemi shembuj të mirë dhe normalisht, çdo bashkësi ka shembuj jo të mirë. Në asnjë sektor nuk janë perfekt të gjithë. Nuk ka sesi mjekët të shpëtojnë nga ky rregull i përgjithshëm, pavarësisht se kanë këtë profesion. Këtu ka forma të tjera. Sepse edhe QKEV-ja me sistemin e krediteve nuk është sistemi më i drejtë, nuk është modeli më perfekt. Ne e zgjodhëm, sepse shumë vende e aplikojnë. Ka disa pika të dobëta si sistem.

Ndoshta më shumë sesa disa pika të dobëta, ka pika të dështuara? Ka mjekë që blejnë kreditet, japin paratë por nuk përfitojnë nga konferencat.

Në të gjitha konferencat, në gjithë botën, paguhet taksa e regjistrimit.

Sigurisht, por nuk është kjo çështja. Marrja e krediteve konsiston në përfitimin e njohurive që merr nga konferenca, që tek ne nuk zbatohet, ndryshe nga çfarë ndodh në shumë vende të botës?

Të japësh lekët dhe të marrësh certifikatën, është blerje e krediteve, pra këtu duhet të dallojnë gjërat. Thashë që ky model nuk është më i miri dhe ka pika të dobëta. Gjithashtu  për shumicën, marrja pjesë në aktivitete është pasive, nuk ka një matës që të tregojë sesa është përfituar nga ajo konferencë. Një minikuic përshembull, në fund të saj. Megjithatë, është një tregues dhe është rezultati i punës. Fizika thotë: Puna matet me rendiment. Shiko rendimentin e punës, shiko treguesit e eficencës, shiko respektimin e standardeve profesionale dhe mund të krijosh një ide se sa ndikon ky edukim në vazhdim, këto kredite të marra. Vetëm për faktin që ky ishte 5-vjeçari i parë dhe përfundoi me gati 1/5 e mjekëve që nuk e respektuan, rezultati përfundimtar kërkon një analzië. Dhe kjo analizë do të zbulonte nëse kjo situatë është përgjegjësi vetëm e mjekut apo ka detyrime dhe për faktorë të tjerë, siç janë institucionet shëndetësore.

Cilat janë detyrimet e Urdhrit?

Urdhri i Mjekut tek ne nuk them se i ka kryer detyrimet e veta më së miri. Edhe ne mund ta rishikojmë punën tonë. Puna e Urdhrit të Mjekut konsiston në nxitjen e mjekëve për ta respektuar. Sepse ne kemi qenë ndër promotorët e këtij modeli. Është rregull e profesionit tonë. Mjeku është nga ata që po nuk lexoi, mbaroi.

(Intervista e plotë u botua në gazetën “Shëndet+” në numrin e 22 qershorit 2015. “Shëndet+” është gazetë që del një herë në dy javë, të hënave)

Postime të ngjashme

Dërgonin pacientët e Onkologjikut në klinika private, Prokuroria mbyll hetimet dhe dërgon për gjykim zyrtarë dhe mjekë të QSUT (EMRAT)
Pse luleshtrydhet myken kaq shpejt? Gabimi që bëjmë të gjithë
Shifra shqetësuese: Vdekjet nga kanceri i rektumit po trefishohen te të rinjtë
Rriten importet e ilaçeve, KLSH: 80% janë kopje e origjinalit, pa cilësi dhe më shtrenjtë
Ndahet nga jeta akademiku Rexhep Qosja
Pas një viti sfidash, vaksinat mRNA japin shpresë të re në luftën kundër kancerit
Raporti i HIV 2025: Shqipëria përballë një vale të re infeksionesh, rekord që nga 2016-a
AKU bllokon çokokremin "Nudossi" me përmbajtje salmonele