Foto-dëshmitë: Trupi i një foshnje hidhet si leckë mbi stolat e morgut. Reagimi: Eshtë thjesht një çarçaf

 TIRANË- Nuk jemi në vende lufte si Siria ku ndesh rëndom trupa të pajetë, por në Qendrën Spitalore Universitare të Tiranës, aty ku ndodhet dhe morgu i kryeqytetit. Keshtu shprehet nje qytetar i indinjuar që sjell këto foto në redaksinë e BalkanWeb. Sipas tij, trupi i pajetë i një fëmije i mbështjellë me çarçafë është transportuar nga shoferi i ambulancës dhe është lënë në karriget jashtë morgut për 15 minuta, ndërsa vetë personi në fjalë ka hyrë brenda duke folur me infermieret.

Më pas shoferi është kthyer, ka marrë trupin dhe si një leckë ua ka dhënë infermiereve të morgut.

Denoncimi vjen nga një qytetar i cili ka rrëfyer gjithë ngjarjen. Ai ka treguar se është gjendur në morg pasi i kishte vdekur një i afërm dhe ka parë gjithë skenën makabre, të cilën edhe e ka fotografuar.

 

foshnja “Më ndodhi një vdekje, i një njeriut tim dhe po prisnja tek dera e morgut për ta marrë, kur më panë sytë llahtar kur shoferi i një autoambulance solli një fëmijë të vdekur të mbështjellë vetëm me çarçafë dhe e la tek karriget jashtë morgut sikur të ishte një qen dhe vetë hyri bënte muhabet me infermieret brenda. Ai fëmijë i shkretë ndenji 15 min në stol i pa shoqëruar as nga mjek apo infermierë. Ishte një skenë e tmerrshme kur shoferi doli dhe e kapi si leckë dhe ua dha infermiereve të morgut..tmerr..tmerr. Këto ndodhin vetëm në QSUT….TURP..TURP..TURP..”, shkruan qytetari, i cili ka dërguar edhe fotot në adresën e BalkanWeb.

 

Pas publikimit të këtij skandali, kanë qenë të shumta reagimet e qytetarëve që kërkojnë dënimin e përgjegjësve. Morgu ndodhet ne zemër të QSUT, por në varësi të ministrisë së Drejtësisë.

Edhe mjekja Anika Dokle shkruan se “Kemi prekur fundin. Keqardhje!!”. Dhe me këtë trajtim që u bëhet kufomave, Shqipëria rreshtohet ‘me krenari’ krah vendeve të botës së tretë apo vendeve në luftë, si Siria e Afganistani.

Ndërkohë që sipas informacioneve trupi i përket një foshnje 1­ muajshe, e cila është gjendur e pajetë në zonën e Astirit në Tiranë. Foshnja është parë pa shenja jete nga e ëma, ndërkohë që trupi u dërgua në morg për ekspertizë dhe nga kontrollet e para, nuk rezultoi të kishte shenja dhune.

Nëna është identifikuar si Entela Sh. dhe sipas policisë, kishte dal për pak kohë jashtë shtëpisë duke e lënë foshnjën të vetme në banesë. Kur ajo është kthyer, e ka gjetur fëmijën e saj të pajetë.

 

MSH reagon

Për rastin në fjalë ka reaguar Thanas Goga, këshilltari i Ministrit të Shëndetësisë, i cili thotë se rasti i raportuar është mediko-ligjor, dhe nuk ka asnjë lidhje me QSUT.

 

Reagimi i plotë i Thanas Goga:

“Më lejoni t’iu sqaroj se rasti i raportuar në portalin tuaj është mediko-ligjor dhe nuk ka asnjë lidhje me QSUT.

Shërbimi i mjekësisë ligjore nuk është fushë e përgjegjësisë së Ministrisë së Shëndetësisë. Fotot nuk kanë kurrfarë lidhje me çështjen në fjalë, ndërkohë që, gjithçka është kryer sipas procedurave që parashikon ligji nga organet e drejtësisë dhe policia e shtetit shqiptar, përfundon Goga.”

Instituti i Mjekësise Ligjore: Ne foto nuk ka trup te pajete, eshte thjesht nje carcaf

Instituti i Mjekësise Ligjore (institucion në varësi të Ministrisë së Drejtësisë) ka reaguar mbi mbi imazhet e përcjella në media një ditë më parë.

Sipas këtij drejtorit të këtij institucionit, Bledar Xhemali, trupi i bebes nuk është vendosur aspak në stol, dhe ajo cfarë shihet në foto, është thjesht një rrobë. Bebja e pajetë është futur në institucion ku iu krye autopsia.

 

Ja deklarata

Ditën e djeshme, datë 19.11.2015 nga salla operative e policisë jemi njoftuar se në ambientet e një apartamenti në zonën e Astirit është gjetur e vdekur një bebe dhe ngjarja përbënte një rast mjeko-ligjor,

Në orën 18:20 ka mbërritur foshnja pranë morgut qendror në Institutin e Mjekësisë Ligjore dhe në momentin që ambulanca ka mbërritur, të pranishëm ishin Eksperti Mjeko-Ligjor dhe Prozektori i turnit.

Rasti është pritur konform të gjitha rregullave të parashikuara dhe foshnjës i është kryer autopsia në prezencë të ekspertit kriminalist, oficerit të policisë gjyqësore dhe ekspertit mjeko-ligjor

Në lidhje me imazhet të cilat janë publikuar në media gjejmë rastin t’ju informojmë se nuk janë imazhe të bebes por thjesht një material tekstili, i cili ishte lënë aty nga një rast i mëparshëm i transportuar nga QSUT.

Shprehim keqardhjen për këtë keqkuptim dhe kërkojmë bashkëpunimin tuaj për paraqitjen me vërtetësi të kësaj ngjarje, e cila mund të verifikohet me prova dhe fakte.

(d.b/m.k/BalkanWeb)

Postime të ngjashme

5 shenja që tregojnë se sistemi juaj nervor është i mbingarkuar
Raporti i HIV 2025: Shqipëria përballë një vale të re infeksionesh, rekord që nga 2016-a
Shkencëtarët zbulojnë dy pijet me kafeinë që mund të ulin rrezikun e goditjes në tru dhe sulmit në zemër, ja sa duhet të konsumoni për përfitime shëndetësore
AKU bllokon çokokremin "Nudossi" me përmbajtje salmonele
Gjendet helm minjsh në ushqimin për bebe, tërhiqen nga tregu kavanozët me pure
Turqia, destinacion global për shërbime mjekësore: Anadolu Medical Center, lider në këtë rrugëtim
Gjashtë këshilla të provuara shkencërisht për një tru të shëndetshëm
Trajtimi psikosocial dhe shëndetësor i dhunuesve: hallka e munguar për thyerjen e ciklit të dhunës