Fotografi i mirënjohur Felix Bilani i drejtohet ministrit: Ku i ke ilaçet?

Denisa Canameti

Fotografi i mirënjohur Felix Bilani, me probleme me zemrën, ka përfunduar në korridorin e urgjencës së kardiologjisë ku edhe i është kryer vizita nga mjekët e urgjencës. Duke parë kushtet skandaloze të vizitës dhe kurimit, Bilani nuk është rezervuar teksa ka denoncuar ministrin e Shëndetësisë se bën propagandë, ndërkohë që vizitat kryhen në korridore, ilaçet e të sëmurëve me zemër janë të paefektshme, ndërsa të tjera ilaçe nuk ekzistojnë fare. Në denoncimin e tij Bilani thotë se askujt në ministri nuk po i bëhet vonë për jetën e njeriut.

“S’ekziston asnjë copëz dëshmie se jeta është diçka serioze, thotë Brendan Gill.

Felix BilaniMos ndoshta kështu e sheh jetën e njerëzve edhe ministri ynë i shëndetësisë? Po marrim rastin që kështu e gjeti. Dakord! Po ama s’ke lënë ekrane televizori pa dalë duke paraqitur kushtet e papara të QSUT-së. Po mirë, more zotëri, ata mjekë që ke atje, ku me një punë të madhe shpëtojnë jetë njerëzish dhe rrinë nën presionin e çdo injoranti që shkon atje, a nuk mundesh dot t’u sigurosh të paktën kursimin e 100-lekëshit nga parkimi i famshëm që dikur thatë se do rregullohet? Po, s’po ndalem këtu.  Po ndalem tek TY përsëri. A mund të bëni transparente se si janë ilaçet? A e di o zotëri që trinitrinat që keni futur nuk japin efektin e duhur?

A mund të thuash pse nuk ka nitrolingual për kardiakët? E ke gjetur në këtë gjendje? Ju vetë çfarë bëtë? A nuk është më korrekte të thuhet më mirë pranoni ambjentet kështu, por të paktën do t’ju sigurojmë ilaçet e sakta.

Në urgjencë më bënë një përzierje të analginës me diazepan. Po ju e dini që analgina nuk përdoret më as në vendet e botës së 4-t, se në botën e 3-të jemi ne. A e di që analgina shkatërron veshkat dhe zemrën?

A mund të vendosësh ndonjë profesionist pa e parë nga biografia që vete merret me ilaçet e kardiakëve? Dhe të zgjerosh shërbimin e urgjencës ku tek urgjenca kardiake të mos hyjnë edhe të pirët apo të droguarit? Ehhhh, mirë do thoni ju, ka edhe klinika private. Po për një njeri të papunë, siç jam edhe unë edhe shumë të tjerë prej disa vitesh, me çfarë mund të paguajnë klinikën private? Ja pra që jeta nuk është serioze dhe këtu nuk i rruhet njeriu se kush vdes, kush jeton dhe kush bën sikur jeton”.

Nuk është hera e parë që fotografi Felix Bilani denoncon problemet e shëndetësisë shqiptare. Pak muaj më parë ai denoncoi faktin se ilaçet e futura në Shqipëri për të sëmurët me zemër, nuk kishin asnjë efekt, duke rrezikuar jetën e tyre.

Postime të ngjashme

Shkoi te Spitali i Traumës se e kishte më afër, nëna lind të shëndetshëm foshnjën në Tiranë
Çfarë është prediabeti?
Pas PPP-së, shteti tenderon dializën me kosto 43 % më të lartë se mesatarja e koncesionit  
Eklipsi diellor: Kujdes me sytë, ja si ta shikoni në mënyrë të sigurt
VIDEO/ Mjekja zbulon dy shtyllat kryesore për të rënë nga pesha
Raporti i KLSH nge alarmin: 43 barna të rimbursueshme janë hedhur në treg pa autorizim  
Pas pagesave të kripura për shërbime të pakryera, koncesioni i check up-it i kthehet shtetit
Ambasada e SHBA-së në Tiranë: Një vend që nuk prodhon dot ilaçe, nuk mund të mbrojë popullin e tij