Futbolli dhe shëndeti, çfarë nuk duhet të harrojmë

futboll

Për gazetën “Shëndet+” dhe Shëndeti Online: Asllan Kasa, ish-riaftësues fizik e masazhator i ekipeve kombëtare

Futbolli, ky sport i bukur dhe popullor nuk sjell vdekje. Atëherë çfarë? Duke marrë shkas nga vdekjet e ditëve të fundit të futbollistëve Bernardo Ribiero dhe Patrik Ekeng, përkatësisht njëri lojtar i skuadrës së Friburguense në Brazil, dhe tjetri lojtari i Dinamos së Bukureshtit në Rumani, të dy kanë humbur jëtën gjatë ndeshjeve si shkak i një ataku kardiak.

Vendosa të shkruaj diçka për të dhënë sadopak kontributin tim që kjo gjë të mos ndodhë më askund në botë, dhe aq më keq në Shqipëri.

Së pari, dua t’i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjeve dhe të afërmve të të ndjerëve për këtë humbje kaq të papritur.

Futbolli, ky sport aq i dashur e ndoshta më popullori në të gjithë globin, argëton, çlodh e dëfren miliona njerëz me bukurinë, emocionet që shkakton. Në vetvete është një sport dinamik që i ka cilësitë fizike të gjitha brenda, të gërshetuara e kombinuara njëra me tjetrën, dhe janë në të vërtetë këto veçori që i japin bukurinë.

Por kjo dinamikë e kompleksitet fsheh në vetvete edhe trauma të natyrave të ndryshme, të cilat jemi të detyruar t’i pranojmë ashtu siç janë dhe të mundohemi t’i rikuperojmë sa më shpejt nga njëra anë, ndërsa nga ana tjetër të minimizojmë dhe parandalojmë me mënyra nga më të ndryshmet disa të tjera, duke përfshirë dhe ato me pasoja fatale për jetën. Këto të fundit, është e vështirë të kapërdihen. Prandaj nga ana e stafeve mjekësore të ekipeve duhet të tregohet kujdesi maksimal. Pothuajse të gjitha klubet e futbollit në të gjithë botën kanë në gjirin e tyre mjekë, fizioterapistë, masazhatorë etj. Ata mund të punojnë me përkushtim për futbollin dhe janë shërbëtorët e parë dhe njerëzit më të afërt me futbollistët për çdo problem të tyre.

Por, a është e mjaftueshme vetëm kjo?

Sot, me zhvillimin e shkencave, elektronike, kompjuterike është bërë i mundur dixhitalizimi i kontrolleve dhe regjistrimi i tyre specifik për çdo futbollist. Gjithashtu regjistrohet çdo e dhënë fizike, antropometrike e shëndetësore. Pozitiviteti në këtë rast është i padiskutueshëm dhe përbën një avantazh të madh për mjekun në raport me futbollistin dhe njohjen e gjendjes së tij. Por krahas kësaj, lind një pyetje, se a është e instaluar kjo teknologji në çdo klub dhe për çdo moshë?

Pra, në ditët e sotme teknologjia e avancuar ka ndryshuar shumë pozitivisht dhe qasjen e mjekëve ndaj sportit në përgjithësi, kushte të cilat në të shkuarën i kishim me pikatore ose pothuajse fare (por kjo nuk na pengonte të linim kurrë pa bërë matjet e thjeshta që shërbenin si burim informacioni si për ne dhe për trajnerët, secili futbollist kishte kartelën e tij fiziko-shëndetësore).

Bënim matjet e frekuencës kardiake (pulsit) në mënyrë direkte pas gjumit, shpesh edhe në gjumë. Matje të shpeshta bënim edhe në faza të ndryshme të stërvitjes, për të vlerësuar rikthimin e pulsit në normalitet dhe duke i krahasuar këto të dhëna nga dita në ditë. Bënim gjithashtu matje të tensionit arterial minimumi 2-3 herë në muaj. Shfrytëzonim në maksimum testet e atëhershme fizike të kërkuara nga trajnerët në përgjithësi, por që na shërbenin më shumë ne të stafit mjekësor për të vlerësuar gjendjen dhe shëndetin e futbollistëve në veanti.

Kishte një sërë testesh fizike me emra të ndryshëm, të cilët na kanë ndihmuar shumë me informacionin që ne grumbullonim për secilin futbollist, dhe kështu kam vepruar që nga viti 1964 si pjesë e stafeve të ndryshme mjekësore sportive deri në vitin 2008 që jam shkëputur nga futbolli.

Kartelat e çdo futbollisti përpiloheshin me kujdes të veçantë për të dhënat dhe ndryshimet specifike të çdo muaji dhe viti, të cilat pasi plotësoheshin, raportoheshin edhe tek stafi i trajnerëve. Punë kjo e lodhshme, por e domosdoshme, të cilën e kam bërë jo vetëm me ekipet zinxhir të klubit, por edhe me përfaqësueset “Shpresa” dhe “Kombëtare”.

Në këto kartela shënoja pothuajse çdo gjë, që nga metodikat, ndryshimet e ritmeve etj dhe për këto raportoja stafeve trajnuese përpara çdo ndeshje për t’i paraprirë çdo situate apo dhe abuzimi nga ana e futbollistëve me medikamente të palejueshme ose doping.

Në kushtet e vendit tonë, mosmbajtja dhe analizimi i këtyre të dhënave e bën të pamundur evidentimin e rasteve abuzuese, pasi nuk ka mjete dhe kapacitete evidentuese për çdo skuadër. Dhe për mua kjo është një mangësi jo e vogël, që duhet meremetuar domosdoshmërisht në të gjitha sportet në përgjithësi, për të shmangur tragjeditë në të ardhmen.

Për këtë janë mjekët e ekipeve që duhet të këmbëngulin që qendrat e mjekësisë sportive të pajisen me mjetet dhe stafin e nevojshëm për analiza antidoping dhe simulantë jo të lejuar, për vetë rrezikshmërinë që ato paraqesin, sidomos kur merren në mënyrë të pakontrolluar nga stafet mjekësore të specializuara.

Përveç kësaj, duhet të tregohet kujdes për kontrollet periodike në mënyrë të saktë dhe rigoroze të të gjitha hallkave për çdo disiplinë sportive, për shmangien e plotë të këtyre fatkeqësive që në botë kanë filluar të rrisin frikshëm frekuencën e tyre. Të përpiqemi me të gjitha forcat dhe mënyrat që rininë dhe fizikun ta vëmë në shërbim sportit, dhe jo të fataliteve tragjike.

Duke parë që sot futbolli ynë dalëngadalë po ngjitet në majat e futbollit evropian, atëhere dhe mjekësia e vënë në dispozicion të tij duhet t’i përgjigjet ritmeve të tij, pra, të jetë dhe ajo pjesë e elitave evropiane në këtë fushë.

Postime të ngjashme

Turqia, destinacion global për shërbime mjekësore: Anadolu Medical Center, lider në këtë rrugëtim
Gjashtë këshilla të provuara shkencërisht për një tru të shëndetshëm
Trajtimi psikosocial dhe shëndetësor i dhunuesve: hallka e munguar për thyerjen e ciklit të dhunës
Përdorimi i bimëve mjekësore në trajtimin e çrregullimeve të sistemit tretës
 Nga bananet te çokllata e zezë, 6 ushqime që ulin nivelet e stresit
Cilat ushqime ndihmojnë shëndetin e syve?
Çfarë i bën kafja trupit dhe sa zgjat efekti i saj
Angjinarja: Perimi i pranverës që forcon kockat dhe zemrën