Garantimi i të drejtës për informim nxit përgjegjësinë e autoriteteve publike dhe ul korrupsionin

E drejta për informim është e drejta e çdo qytetari për t’u njohur me informacionin publik, garantuar nga Kushtetuta dhe Ligji ‘Për të Drejtën e Informimit’. Garantimi  i të drejtës së publikut për informim nxit transparencën dhe përgjegjshmërinë e autoriteteve publike dhe luan një rol të rëndësishëm në parandalimin e korrupsionit në hierarkinë shtetërore.

Institucioni i cili garanton njohjen e publikut me informacionin publik është Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale (KDIMDP). I njëjti institucion është garant i mbrojtjes së të drejtës për përpunimin e ligjshëm të të dhënave personale të çdo individi në Republikën e Shqipërisë, në respekt të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.

Lidhur me të drejtën e informimit, kompetencat e Zyrës së Komisionerit përmbledhin administrimin e çdo ankese në të cilën, një individ, grup individësh, subjekt i legjitimuar, pretendon se i janë shkelur të drejtat e parashikuara nga ligji. Bazuar tek ankesat, Komisioneri verifikon faktet dhe bazën ligjore të ankesës dhe u kërkon si ankuesit, ashtu edhe autoritetit publik ndaj të cilit është bërë ankesa, të paraqesin parashtrime me shkrim rreth çështjes në shqyrtim.

Njoftimi dhe konsultimi publik është pjesë e rëndësishme e veprimtarinë së punës së Komisionerit, pas miratimit të ligjit nr.146/2014 “Për njoftimin dhe konsultimin publik”.  Sipas nenit 21 të këtij ligji, është parashikuar ankimi pranë Zyrës së Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale në rastet kur palët e interesuara vlerësojnë se organi publik ka cënuar të drejtën e tyre për njoftim dhe konsultim publik, sipas parashikimeve të pikës 1, të nenit 6, si dhe kur nuk janë respektuar afatet e parashikuara në nenet 15 dhe 17 të këtij ligji. Komisioneri kur arrin në përfundimin që ka shkelje të dispozitave të këtij ligji, i propozon organit publik përgjegjës marrjen e masave administrative ndaj personit/personave përgjegjës, sipas legjislacionit për shërbimin civil në fuqi.

Por sa dhe si është garantuar e drejta e publikut për informim gjatë periudhës 2016-2018. Shoqata ‘Together for Life’ ka analizuar punën e Institucioneve Kombëtare të të Drejtavetë Njeriut, ndër të cilat edhe të Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, në kuadër të projektit “Evropa Respekton të Drejtat e Njeriut”, mbështetur nga EU.

Bazuar në raportet vjetore të Komisionerit, aksesi i qytetarëve në informacion me kërkesë, si dhe respektimi i afateve ligjore rezulton të jetë ende problem për autoritetet publike. Ankesat e mbërritura tek Komisioneri gjatë kësaj periudhe kanë qenë kryesisht për institucionet e pushtetit vendor, të cilat nuk respektojnë të drejtën për informim të subjekteve. Vendin e dytë e zenë ankesat ndaj  institucioneve të pushtetit qendror.

Në vitet 2017-2018 pjesa më e madhe e ankesave janë bërë nga qytetarët, ndryshe nga vitet e mëparshme, ku dominonin ankesat nga shoqëria civile. Sipas Zyrës së Komisionerit, ky është tregues i rritjes së ndërgjegjësimi të qytetarëve për rolin e Zyrës së Komisionerit, si garantues i kësaj të drejte dhe besimit në rritje për këtë institucion.

Grafiku 1: Ankesat e menaxhuara nga KDIMDP gjatë viteve 2016, 2017, 2018. Burimi: Të dhëna nga raportet vjetore të KDIMDP.

Në vitin 2018 numri i ankesave të paraqitura në Zyrën e Komisionerit rezulton 20% më i lartë se në vitin 2016, ndërkohë që numri i ankesave të zgjidhura me ndërmjetësim mes ankuesit dhe institucionit publik është rritur me 8.

Në tagrin e tij si garantues i të drejtës për informim, Komisioneri monitoron zbatimin e ligjit nga të gjitha institucionet publike.

Grafiku 2: Kërkesa për informim drejtuar bashkive nga KDIMDP gjatë viteve 2017, 2018.  Burimi: Të dhëna nga raportet vjetore të KDIMDP.[1]

[1]Për vitin 2016 nuk ka të dhëna.

Kërkesat drejtuar njësive vendore nga KDIMDP për zbatimin e parashikimeve në ligjin “Për të Drejtën e Informimit’, janë ulur me 22% gjatë vitit 2018, krahasuar me vitin 2017. Nga ana tjetër, kërkesat e refuzuara nga bashkitë gjatë 2018 janë rritur me 33% krahasuar me 2017. Ende ka një ngërç të pazgjidhur përsa i përket rritjes së nivelit të zbatueshmërisë së vendimeve të institucioneve të pavarura, ku bëjnë pjesë edhe IKDNJ, nga ana e njësive vendore, pasi ende nuk është krijuar një strukturë monitoruese dhe raportortuese, e ngjashme për nga funksioni me Mekanizmin Parlamentar të Monitorimit (MPM) të ngritur nga Kuvendi, i cili monitoron nivelin e zbatimit të vendimeve të institucioneve të pavaruara nga institucionet qendrore.

Grafiku 3: Kërkesa për informim drejtuar Ministrive nga KDIMDP gjatë viteve 2017, 2018.Burimi: Të dhëna nga raportet vjetore të KDIMDP.

Në vitin 2018 kërkesat për informim ndaj institucioneve qendrore (ministrive) janë rritur me 143% në krahasim me vitin 2017, ndërsa numri i kërkesave të refuzuara në të dy vitet është njëshifror, pra shumë i ulët, tregues i ndikimit pozitiv që ka patur ngritja MPM .

Numri i ankesave të regjistruara dhe trajtuara nga KDIMDP ndaj njësive të qeverisjes vendore është disa herë më i lartë se numri i ankesave ndaj institucioneve qendrore (23 herë më i lartë gjatë vitit 2017 dhe rreth 10 herë më i lartë në vitin 2018). Gjatë vitit 2018 njësitë vendore kanë refuzuar 5% të kërkesave të Komisionerit për informacion, ndërsa në 2017 janë refuzuar vetëm 2.6%. Ndërkohë, institucionet qendrore, ministritë, kanë refuzuar gjatë 2017 vetëm 0.7% të kërkesave, dhe 1.2% gjatë vitit 2018.

Nëse çështjet e trajtuara nga Komisioneri nuk gjejnë zgjidhje me ndërmjetësim, Komisioneri shprehet me vendime, të cilat mund të jenë në formën e rekomandimit apo sanksionit. Këto instrumente të përdorura nga institucioni i Komisionerit i njohin atij kompetencën këshilluese dhe/ apo penalizuese ndaj shkelësve të ligjit.

Grafiku 4: Vendimet e KDIMDP ndaj institucionece gjatë viteve 2016, 2017, 2018.Burimi: Të dhëna nga raportet vjetore të KDIMDP.

Gjatë vitit 2017 numri i Vendimeve të Komisionerit, në zbatim të Ligjit “Për të drejtën e informimit”, ndaj institucioneve publike është rritur me 44% krahasuar me vitin 2016 dhe me vitin 2018. Në vitin 2017 bie në  sy një vendim ndaj institucionit të Presidentit të Republikës, i vetmi në tre vite për këtë institucion, ku Komisioneri urdhëron vënien në dispozicion të ankuesit të dokumentacionit të kërkuar, pasi e ka vlerësuar se ankesa është e drejtë dhe e bazuar në ligj.

Çdo subjekt ka të drejtë t’i ankimojë vendimet e Komisionerit në gjykatë. Vendimi i rrëzimit të padisë nga ana e gjykatës, nënkupton lënien në fuqi të vendimeve të Komisionerit.
Numri i vendimeve të Komisionerit, ankimuar nga subjektet ka ardhur në rritje nga viti në vit. Kështu, për vitin 2018 janë ankimuar në gjykatë 49% e vendimeve të KDIMDP, në vitin 2017 janë ankimuar 33% e vendimeve, dhe për vitin 2016 vetëm 14%. Numri i lartë i vendimeve të ankimuara për vitin 2018, mund të shpjegohet me rritjen e presionit nga ana e Kuvendit të Shqipërisë ndaj institucioneve qendrore që të marrin masa për zbatimin e vendimeve të institucioneve të  pavarura. Institucionet qendrore nuk mund të ‘shprehen me heshtje’ ndaj vendimeve të IKDNJ që nuk i zbatojnë pasi janë të detyruara që ose të marrin masa për zbatimin e tyre, ose t’i ankimojnë ato në gjykatë. Dhe, vihet re që, për të justifikuar moszbatimin e vendimeve, ose për të shtyrë zbatimin e tyre, institucionet ndjekin rrugën e ankimimit.

Përsa i përket përballjes në gjykatë, vërehet se pothuaj 50% e vendimeve të Komisionerit konsiderohen të drejta dhe lihen në fuqi nga gjykata. Sipas Komisionerit përqindja e vendimeve të pranuara nga gjykata është edhe më e lartë, pasi në shumicën e rasteve kemi të pëjmë me pranimin e pjesshëm të padisë, që i referohet nivelit të sanksioneve të vendosura nga Zyra e Komisionerit dhe jo themelit të çështjes. Kjo vërehet edhe nga të dhënat e grafikut, ku për vitin 2018 nga 18 vendime të ankimuara, janë pranuar plotësisht ose pjesërisht vetëm 28% dhe pjesa tjetër ose është pushuar procesi, ose ka pasur revokim padie.

 

 

 

 

 

 

 

 

Grafiku 5: Ankimimet e subjekteve ndaj vendimarrjes e Komisionerit të pranuara / refuzuara nga gjykata. Burimi: Të dhëna nga raportet vjetore të KDIMDP.

Transparenca është një nga elementët thelbësorë për të pasur një qeverisje të mirë dhe demokratike. Ajo nënkupton ndarjen e informacionit si edhe ushtrimin e veprimtarisë së institucioneve në mënyrë të hapur me publikun, ndaj aksesi në informacionin publik duhet të garantohet për të gjithë qytetarët. Aksesi i lirë ndaj informacionit, po ashtu, luan rol kyç në parandalimin e korrupsionit, ndaj institucionet shtetërore duhet ta ofrojnë atë në kohë dhe në mënyrë të plotë për qytetarët. Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale është garantuesi i mbrojtjes së të të drejtës së individit për të pasur akses në infromacion. Forcimi i këtij institucioni dhe institucioneve të tjera të të drejtave të njeriut, si Avokatit të Popullit dhe Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskrminimi, është domosdoshmëri për instalimin e një qeverisjeje të drejtë dhe demokratike.

Ky Shkrim është prodhuar në kuadër të projektit “Evropa respekton të drejtat e njeriut”, zbatuar nga organizata “Together for Life” dhe “Act For Society”, me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian. Përmbajtja e këtij dokumenti është përgjegjësi e vetme e TFL dhe nuk pasqyron pikëpamjet e Bashkimit Evropian.

 

Postime të ngjashme

Pesë ankesa çojnë në KPP tenderat e lavanderive të spitaleve me fond mbi 6.1 milionë euro
Ministrja Sala prezanton shërbime të reja për të moshuarit, ndërsa Kujdesi Shëndetësor në Banesë vazhdon të mbetet pa financim të qëndrueshëm
Obeziteti - Le të flasim për të.... SË SHPEJTI
Dita e 40-të e protestës, qytetarja: Në spitale s’ka ilaçe, por japin 4 mln euro për një këngëtar
Sfidat në trajtimin e ngacmimit seksual në vendin e punës: nevojiten mekanizma më efektivë për mbrojtjen e viktimave
Ngacmimi seksual në vendin e punës: Sfidat e shoqërive tradicionale dhe moderne përballë një fenomeni global
Etika dhe respekti si themeli i një mjedisi pune të shëndetshëm
Pse krijimi i një kulture pune të bazuar në respekt dhe barazi duhet të kthehet në prioritet për çdo punëdhënës