Gastroenteritet (diarre, të vjella) në stinën e verës dhe rreziku i tyre për fëmijët

Dr. Petrit Çaça, Mjek Pediatër në Urgjencën Pediatrike në QSUT

Stina e verës përveç plazhit dhe argëtimeve pafund për fëmijët, sjell edhe probleme shëndetësore, të cilat mund të shmangen nëse prindërit janë të vëmendshëm. Mjeku Pediatër i Urgjencës Pediatrike në QSUT, dr. Petrit Çaça, në këto ditë me temperatura të larta këshillon prindërit të kenë kujdes me ushqimet që përdorin për fëmijët, ekspozimin në diell në orët kritike të ditës, si dhe rastet kur fëmijët kanë nevojë për mjekim të specializuar.Gastroenteritet

Gastroenteriti (diarre, të vjella) shoqëruar ose jo me temperaturë, vihet re më shpesh gjatë stinës së verës tek fëmijët. Dr. Çaça thekson se “jo të gjitha rastet” duan trajtim spitalor, ndaj prindërit mund të kujdesen vetë në shtëpi duke shtuar në menun e fëmijës, më shumë supë, ujë, lëngje frutash, komposto të ndryshme, si dhe duke i mbajtur fëmijët në ambiente të freskëta. Nëse simptomat si, diarreja, të vjellat dhe temperatura vazhdojnë, atëherë duhet të drejtohemi tek mjeku pediatër që ndjek fëmijën.

Simptomat e gastroenteriteve

Gastroenteritet janë infeksione të traktit gastro-intenstinal, që shoqërohen me të vjella ose diarre, më së shumti tek fëmijët e vegjël, gjatë stinës së verës. Shkaku kryesor i tyre janë konsumimi i ushqimeve të kontaminuar. Simptomat më të shpeshta të gastroenteriteve janë diarreja (feçe të ujshme dhe të shpeshta), të vjellat, temperatura, ethet dhe dhimbjet abdominale.

Shqetësimi kryesor gjatë stinës së verës për të gjithë është dehidratimi dhe gastroenteriti është një ndër shkaktarët kryesorë të humbjes së lëngjeve (dehidratimit), kryesisht tek fëmijët. Shenjat e dehidratimit përfshijnë etje, tharje goje, pakësim të urinimit, sy të futur brenda, etj. Simptomat, si gjendje gjumi, humbje e vëmendjes, vështirësi në frymëmarrje, temperaturë dhe ftohje të anësive, janë tregues të një dehidratimi të rëndë.

Trajtimi

Fëmijët me gastroenterite të lehta mund të trajtohen edhe në kushte shtëpie. Trajtimi kryesor është që fëmija të vazhdojë të marrë lëngje (ujë, komposto, supë), për të zëvendësuar ato që humbet, si dhe të balancojë nevojat e trupit për lëngje. Fëmijët me gastroenterite të cilët nuk mund të ruajnë balancën hidroelektrolitike (ekuilibrin e kripërave) të trupit, pas trajtimit në shtëpi, duhet të drejtohen në spital për të marrë lëngjet e humbura nëpërmjet perfuzioneve intravenoze. Prindërit nuk duhet të fillojnë mjekimin medikamentoz të fëmijëve të tyre pa u konsultuar me mjekun e tyre pediatër.

Disa këshilla për të parandaluar gastroenteritet

  • Konsumimi i sa më shumë lëngjeve;
  • Përdorimi i ushqimeve të freskëta apo të sapo përgatitura;
  • Përdorimi i ujit higjienikisht të pastër;
  • Pastrimi i mirë i enëve të gatimit;
  • Mbrojtja e ushqimeve dhe enëve të kuzhinës nga insektet;
  • Përpunimi i mirë i ushqimit, gatimi i plotë i tij;
  • Përdorimi i veshjeve të lehta pambuku.
  • Ushqeni foshnjat sa më shumë me gji.

Mos i jepni fëmijës ilaçe kundër diarresë, pa këshillën e mjekut. Mos vendosni suposte kundër temperaturës: do të dilnin përmes diarresë përpara se të përthithen. Në ndonjë rast diarreja është kaq e shpeshtë dhe e shumtë, sa shkakton shumë shpejt një dehidratim, prania e të vjellave pengon rehidrimin me anë të gojës, atëherë bëhet e nevojshme të shtrohet fëmija në spital, për ta rihidruar.

Burimi: Qendra Spitalore Universitare Nënë Tereza / https://shendeti.com.al/

Postime të ngjashme

Ozempic, bari inovativ antidiabetik me mbrojtje nga risqet kardiovaskulare edhe në Shqipëri
Dërgonin pacientët e Onkologjikut në klinika private, Prokuroria mbyll hetimet dhe dërgon për gjykim zyrtarë dhe mjekë të QSUT (EMRAT)
Pse luleshtrydhet myken kaq shpejt? Gabimi që bëjmë të gjithë
Këto janë efektet anësore të ujit me limon
Mishrat e dhëmbëve: Çfarë tregon ngjyra e tyre për shëndetin tonë
Shifra shqetësuese: Vdekjet nga kanceri i rektumit po trefishohen te të rinjtë
5 superushqime që do t'ju ndihmojnë të flini më mirë dhe më gjatë
Erëzat që zvogëlojnë inflamacionin dhe forcojnë trupin