Gazetare: Klevisa GJIKA
Vështirësitë e menaxhimit të situatës së krijuar nga COVID-19 janë të shumta për bluzat e bardha dhe nuk mungojnë ato mjekë që shprehen hapur për pakënaqësitë e tyre.
Në një intervistë për gazetën “Shëndeti”, mjeku i familjes Mhill Gecaj tregon se gjatë kësaj kohe roli i mjekut të familjes është anashkaluar, gjë që sipas tij është një gabim në menaxhimin e pandemisë.
“Gabimi fatal ka qenë anashkalimi i mjekut të familjes se ‘këtë rast e trajton 127-ta’. Në këtë rast ishte gabim, duhet të ishte mjeku i familjes ai që duhej të lidhje me mjekun e familjes, me institucionet e tjera, të bënte lidhjen me pacinetët kur ne konstatonim persona. Duhet të ishte mjeku i familjes për të vendosur nëse ky është për trajtim, mjekim, hospitalizim, tamponim apo për analiza të tjera laboratorike, pra anashkalimi i mjekut të familjes për mua ka qenë një gabim në menaxhimin e situatës së pandemisë sepse është vetë mjeku i familjes që ka kartelën e të sëmurit, di çfarë sëmundjesh ka ai, problematikat dhe sëmundje të tjera shoqëruese. Është mjeku i familjes ai që e shikon më mirë sesa një me telefon apo shërbim autoambulance, që pjesa dërrmuese e tyre nuk janë as mjekë, por transportues. Kjo ka bërë që situata të çedojë në këtë drejtim”, tregon mjeku Gecaj.
Për mjekun e familjes nuk është normale dhënia e një konsulte apo recete përmes telefonit, metodë kjo që është ndjekur shumë gjatë karantinimit, por edhe në periudhën post – izolim.
“Flas për veten time, nuk e imagjinoj dot që një recetë apo konsultë me telefon, por që t’i japësh të sëmurit medikamente, antibiotikë apo hollues pa disa ekzaminime bazë apo pa një vizitë klinike normalisht që kjo nuk shkon.”

