Genti Lako: Familja, e para dhe më e rëndësishmja

Mbasi të jesh sfilitur nga shumë luftëra, vjen lufta më e madhe: me veten. Të jesh i dobishëm dhe të arrish të meritosh emrin NJERI.

Bisedoi: Elena Beta

Ai është një kompozitor i njohur në muzikën shqiptare. Genti Lako i cili vjen si pjesë e rubrikës “Vip shëndet”, rrëfen për lexuesin mbi jetën dhe punën e tij, teksa mundohet të mos i shpëtojnë informacionet që mund të përdoren nga “armiqtë”. Për të familja është e para dhe më e rëndësishmja, ndërsa mendon se njeriut në jetë i duhet të fitojë 5 beteja të rëndësishme për të qenë i dobishëm dhe për të merituar emrin njeri. Për më gjatë mund të lexoni në intervistën më poshtë në gazetën “Shëndet+

Genti, çfarë është shëndeti për ty? Si do ta përkufizoje atë?

Lufta e parë, e fundit dhe më e rëndësishmja që provon njeriu që kur lind, është lufta me mbarëvajtjen e shëndetit, më pas dhe me shëndetin e të afërmve e deri kur ndërron jetë.

Cili është mjeku që viziton më shpesh?

Peshkimi, deti, miqësia e mirë.

Ke pasur ndonjë përvojë, ndonjë histori që ia vlen për t’u treguar me spitalet?

Po, sigurisht që kam pasur. Madje tani afër, vjet, kam thyer shpatullën, por falë një doktori të mirë në Spitalin Ushtarak nuk iu nënshtrova kirurgjisë, por e kalova me mbajtëse dhe fizioterapi.

Me gjithë angazhimet e përditshme familjare dhe profesionale, sa të del koha të kujdesesh si duhet për ushqimin që konsumon apo për të bërë pak aktivitet fizik?

Si ish-familje gjuetarësh, i bie pak mbrapa, aq sa kam mundësi, ushimeve bio. Domethënë, kam miqësi nëpër katunde që e siguroj. Kjo nuk përjashton mundësinë që të më pëlqejë edhe ndonjë picë e mirë apo ndonjë qofte Korçe. Koha nuk ka të bëjë, sepse ekziston frigoriferi dhe furnizimi me ushqime bio nuk është e nevojshme të bëhet përditë.

Di të gatuash? Cila është pjata që “e qan”?

Po di të gatuaj. Omleta dropullite është specialiteti im. Me kubikë gici, manxuran, vezë, arrë moskati, stika, piper dhe diçka tjetër që nuk e tregoj (qesh).

Shumë nga këngët më të dashura për publikun shqiptar ndër vite mbajnë vulën Genti Lako. Cila është kënaqësia më e madhe e një kompozitori?

Aq pak sa kanë ngelur kënaqësitë për një kompozitor, një gjë është e sigurt për mua: vetëm klikimet në kanalin YouTube nuk janë kënaqësi, duke ditur sa false janë dhe të gjitha të tjerat mund t’i quaj kënaqësi.

Ç’ mendim ke për të ardhmen e artit në Shqipëri? Mendon se vlerësohet gjithmonë më i miri?

Nuk mendoj se ka të bejë me Shqipëri apo Amerikë. Gjithkund është njësoj përveçse ne jemi treg më i vogël dhe shtresë më e ulët në krahasim me vendet e zhvilluara.

Ju keni bërë të njohur shumë emra të muzikës shqiptare, si ndjehesh sot kur sheh suksesin e tyre?

Nuk kam bërë njeri të famshëm. Megjithëse ka qëlluar që ka punuar me mua për herë të parë. Ai që ka dashur t’i futej rrugës së artit, do t’i futej edhe po të mos kisha lindur unë.

Të kalojmë në një atmosferë tjetër pyetjesh. Mjafton një kërkim i shpejtë në profilin tënd të Facebook dhe bie direkt në sy lidhja e fortë që ke me familjen. Ka pasur raste kur për shkak të angazhimeve mund të kesh neglizhuar rolin tënd si baba apo bashkëshort?

Nuk bëhet fjalë dhe s’ka për të ndodhur kurrë. Familja është e para dhe më e rëndësishmja.

Çfarë të frymëzon në jetë ?

Shumë personale për ta ndarë me publikun frymëzimin tim.

Çfarë do të thotë për ty lumturi?

Kënaqësi, hidhërim, nerv… çdo gjë që përmban jeta.

Duket se muzika është një nga pikat më të forta të tuat. A e ka Genti një pikë të dobët dhe cila është ajo?

Pika e dobët është shumë personale për t’ia treguar armiqve.

Një mesazh për lexuesit e gazetës “Shëndet +

Mundohuni të fitoni 5 nga luftërat më të rëndësishme në jetë:

  1. Lufta për të patur një shëndet të mirë.
  2. Lufta për të gjetur punë
  3. Lufta për ta bërë punën mirë duke u ruajtur nga të paaftët ose dashakeqësit.
  4. Lufta për të marrë frytet e punës, si nga ana materiale, ashtu dhe nga ana morale dhe
  5. Mbasi të jesh sfilitur nga shumë luftëra, vjen lufta më e madhe: me veten. Të jesh i dobishëm dhe të arrish të meritosh emrin NJERI.

Postime të ngjashme

“Është makth”- Gazetarja Mira Kazhani tregon betejën me kancerin e gjirit
11 personazhe të famshëm që kanë folur hapur për çrregullimet e tyre të tiroides
Aktori Stanley Tucci flet për efektet e rënda anësore të trajtimit me rrezatim për kancerin
Papa Françesku ka një infeksion polimikrobik të rrugëve të frymëmarrjes. Çfarë është dhe sa serioze është?
Mirela Kuka, nga Shqipëria në San Raffaele: Drejtoj një ekip kërkimor mbi sistemin imunitar, në Itali realizova ëndrrën time
Kate Middleton përfundon seancat e kimioterapisë dhe publikon një video-mesazh emocionues
Mjeku shqiptar 25 vjet kardiokirurg në Itali: E vështirë të lësh vendin, por rezultati i karrierës sime më dha të drejtë
“Do të zvarritem…”/Celine Dion flet sëmundjen e rrallë neurologjike në dokumentarin e ri dhe jo vetëm!