Kryefaqja Femrat Gjakderdhja anale, shenjë alarmi për sëmundjet kancerogjene?

Gjakderdhja anale, shenjë alarmi për sëmundjet kancerogjene?

0
Shpërndaje

Bisedoi: Elona Tereziu

Hemorragjia me origjinë nga pjesa e poshtme e traktit tretës (kolon, rektum, anus) manifestohet në trajtën e rrjedhjes së gjakut të pastër të quajtur rektoragji ose gjak i përzier me materialet fekale i quajtur hematokezia. Mund të jetë prezente në çdo moshë, ndërkohë që shkaqet më të shpeshta janë hemorridet, infeksionet e zorrës, koliti ishemik, ulcerat, traumat etj.

Përveç hemorragjisë, simptoma të tjera janë edhe çregullimet e jashtëqitjes, dhimbjet abdominale, temperatura, vështirësia në frymëmarrje dhe rënja në peshë.

Nevila Lengu, mjeke gastrohepatologe pranë Qendrës Shëndetësore të Specialiteteve Nr.1, tregon se edhe pse në pjesën më të madhe të rasteve patologjitë shkaktare janë beninje, hemorragjia e poshtme digjestive duhet të shërbejë si shenjë alarmi dhe nuk duhet neglizhuar pasi, pas saj, mund të fshihen edhe patologji serioze jetëkërcënuese si tumoret malinje të cilat paraqiten me shpeshtësi më të  madhe pas moshës 50 vjeç.

Doktoreshë, çfarë e shkakton gjakderdhjen anale?
Hemorragjia me origjinë nga pjesa e poshtme e traktit tretës (kolon, rektum, anus) manifestohet në trajtën e rrjedhjes së gjakut të pastër të quajtur rektoragji ose gjak i përzier me materialet fekale i quajtur hematokezia. Shumë rrallë në rastet kur lëvizshmëria e zorrës është shumë e ngadaltë, feçet mund të paraqiten me ngjyrë të zezë dhe të imitojnë një hemorragji me origjinë nga pjesa e sipërme e traktit tretës (melena).

Cilët janë sëmundjet që ndikojnë?

Hemorragjia nga pjesa e poshtme e traktit tretës mund të jetë e pranishme në çdo moshë, ndërkohë që shkaqet më të shpeshta janë:

Hemorroidet- të cilat janë vena varikoze të pjesës fundore të zorrës së trashë dhe manifestohen me gjak të pastër në fund të defekimit.

Divertikujt e zorrës- zgjerime në trajtë xhepash të zorrës, përgjithësisht pas të dyzetave dhe që favorizohen nga mosha dhe kapsllëku kronik.

Infeksionet e zorrës- shkaktuar nga shigela, salmonela, E.Choli, campilobacter pylori etj.

Polipet e zorrës- ind shtesë që rritet në pjesën e fundit të traktit tretës.

Sëmundja inflamatore e zorrës – (Morbus Crohn, koliti ulceroz)

Tumoret – malinje dhe beninje të zorrës

Koliti ishemik – nga mosfurnizimi i mirë i zorrës me gjak

Angiodisplazia– keqformin i enëve të gjakut të zorrës etj.

Traumat e zorrës

Fisurat anale 

Koliti nga rrezatimi pas radioterapisë antitumorale

Ulcerat solitare të zorrës së trashë etj.

Në patologjitë e mësipërme, përveç hemorragjisë, mund të hasen edhe simptoma të tjera (në varësi të patologjisë) si çrregulllime të jashtëqitjes (diarre ose kapsllëk), dhimbje abdominale, temperaturë, ankesa të lidhura me instalimin e anemisë (vështirësi në frymëmarrje, dobësi trupore), rënie në peshë etj.

Si bëhet diagnostikimi i këtyre pacientëve?

Në të gjitha rastet pacienti nuk duhet t’i neglizhojë ankesat, por duhet të paraqitet sa më shpejt tek mjeku dhe t’i nënshtrohet procesit të diagnostikimit.

Vizita fillohet me pyetësorin e të sëmurit lidhur me ankesat, zgjatjen në kohë të ankesave dhe për raste të ngjashme në familje më pas vijon me këqyrjen e pacientit. Nëse mjeku e sheh të domosdoshme, inspekton zonën perianale dhe kryen tushe rektale. Më pas kalohet në ekzaminime dhe teste më invazive si analiza gjaku, analiza mikrobiologjike (patologjitë infeksioze) anoskopi, sigmoidoskopi apo kolonoskopi dhe ekzaminime të tjera ndihmëse si eko abdominale apo Ct abdomeni.

Në fund konkludohet në një diagnozë të caktuar dhe në bazë të diagnozës bëhet edhe trajtimi.

Cili është trajtimi që bëhet?

Në rastin e hemorroideve, trajtimi në stadet e para është medikamentoz (laksative dhe pomada apo suposte antihemorroidale). Në stadet e avancuara trajtimi është më invaziv, si ligaturë me banda elastike, sklerotizim apo intervent kirurgjikal.

Divertikuloza e zorrës trajtohet me lehtësues të jashtëqitjes dhe antibiotikë në rast mbivendosjeje infeksioni. Hemorragjia me natyrë mikrobiale është e vetëkufizuar dhe reagon shumë mirë ndaj trajtimit me antimikrobiale.

Trajtimi bazë i tumoreve mbetet trajtimi kirurgjikal. Sëmundja inflamatore e zorrës është një sëmundje kronike dhe si e tillë trajtohet me medikamente dhe ndiqet në dinamikë me ekzaminime pasi ekziston rreziku i malinjizimit (koliti ulceroz).

Ajo që do t’u rekomandoja të gjithë pacientëve përpara se të bëhen të tillë, është së pari një dietë e shëndetshme e pasur me fibra, shmangia e ushqimeve pikante, të konservuara, alkoolit, duhanit  dhe e jetës inaktive.

Edhe pse në pjesën më të madhe të rasteve patologjitë shkaktare janë beninje, hemorragjia e poshtme digjestive duhet të shërbejë si shenjë alarmi dhe nuk duhet neglizhuar pasi, pas saj, mund të fshihen edhe patologji serioze jetëkërcënuese si tumoret malinje të cilat paraqiten me shpeshtësi më të  madhe pas moshës 50 vjeç./ Shendeti.com.al

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here