Kryefaqja Vip-Shendet Gjergj Kaçinari: Jam fans i zjarrtë i sporteve në terren

Gjergj Kaçinari: Jam fans i zjarrtë i sporteve në terren

0
Shpërndaje

Bisedoi: Elena Beta

Prezantimi i tij i parë me publikun u bë përmes konkursit “The Voice”. Përveç zërit potent, u vu re dhe pasioni i tij për një rrymë të veçantë muzikore siç është ajo ROCK. Që prej asaj kohe Gjergj Kacinarin e kemi parë në shumë koncerte, programe televizive, ture, ku të gjithë ata që e kanë pëlqyer kanë mundur të ndjekin hapat e tij drejt një karriere të suksesshme. Sa ka ndikuar fakti i të qenit i biri i një prej kompozitorëve më të dashur për shqiptarët në rrugën e tij drejt artit, si ja del Gjergji të jetë gjithmonë energjik dhe i palodhur, çfarë ka projektuar për të ardhmen etj., mund t’i lexoni në intervistën më poshtë.

Gjergji, të gjithë të njohin për talentin dhe dobësinë e veçantë për muzikën ROCK. Pse pikërisht kjo rrymë muzikore?  

Kam qënë rreth 4-5 vjeç kur u bëra fans i Bon Jovit, dhe rreth 9-10 vjeç kur m’u prezantuan në TV grupi Metallica. Aty kuptova çfarë doja të bëja në jetë. Që prej asaj kohe e deri tani vazhdoj të punoj për të dhënë më të mirën nga vetja në pasurimin e muzikës Rock.

Sa ka ndikuar babai, kompozitori i njohur Alfred Kaçinari në rrugën tënde drejt artit?

Përveç babait (që njihet shumë), mami është dirigjente, babai saj (gjyshi im) ka qënë këngëtar në opera, motra është pianiste, pra nuk kisha shumë ku të shkoja.

Ti realizon një muzikë të “rëndë”, që kërkon shumë energji. Është e vërtetë që kjo nuk mund të arrihet pa stimulantë, siç pretendojnë shumë njerëz?

Stimulanti më i madh e më i rëndësishëm për mua e për shumë këngëtarë apo grupe të njohura në të gjithë botën, deri tek Bon Jovi që i njoh personalisht, është regjimi i mirë, ushqimi, gjumi dhe aktivitetet sportive. Stimulantët e tjerë janë afatshkurtër.

Po punon për ndonjë projekt të ri aktualisht? Ku mund të të shohin të gjithë ata që pëlqejnë zërin tënd dhe rrymën që përfaqëson?

Për momentin jemi në tour, në Shqipëri dhe Kosovë e gjithashtu në YouTube ku me “Kachinari” mund të gjenden videoklipet nga unë, performanca live me grupin, etj.

Meqënëse e përmende pak më parë, sa ndikon ushqyerja e shëndetshme në performancën e një artisti?

Një përqindje të saktë s’mund të them, por shumë! Unë mundohem të ushqehem sa më mirë që të kem stabilitet dhe rezistencë në çdo koncert që marr pjesë.

 Po aktiviteti fizik?

Pa dyshim 100%! Duke e parë afatgjatë.

Di të gatuash? Nëse po cili është ushqimi jot i preferuar?

Di dhe e praktikoj kur më jepet rasti. Ushqimet e preferuara janë ushqimet meksikane.

Shkon në palestër?

Jo, por jam fansi më i zjarrtë i të gjithë sporteve në terren.

Vihet re një tendencë e meshkujve për të mbajtur veten, me trajtime të ndryshme që i bëjnë fytyrës apo trupit. Si mendon lidhur me këtë gjë?

Nuk kam gjë kundra por s’jam lodhur kurrë të mirëmbaj lëkurën apo fytyrën, më intereson të mirëmbaj atë ç’ka është poshtë lëkure, muskujt, organet, ushqimin e mirë. Për sa i përket pamjes së jashtme, mjafton të jetë pranueshëm, asgjë më shumë.

Çfarë mendim ke për vajzat që kryejnë operacione plastike? Më mirë të jetosh me një kompleks apo me një ndërhyrje?

Nuk kam asnjë mendim.

 “Duhani dëmton rëndë shëndetin”. Sa e beson dhe respekton këtë shprehje?

Jam personi që edhe pse ndonjëherë mund të ndez ndonjë cigare apo puro në muaj, e respektoj dhe besoj këtë shprehje. E urrej duhanin!

 Të është dashur të shkosh në spitalet tonë shtetërore qoftë në rolin e pacientit apo të shoqëruesit? Çfarë vlerësimi do të jepje për mjekët?

Kam shkuar shpesh herë në moshë të vogël por vitet e fundit kam shkuar në spitale apo klinika private. Shpesh ndodh që brenda të njëjtës ditë të japin dy a tre variante të ndryshme për të njëjtin shqetësim kështu që mbetet “kujt i bie dhjeta”.

 Më mirë një mik apo një mikeshë?

Mikeshë. Kam qënë përjetësisht shumë feminist dhe për njëmijë arsye nuk jam ngjitur asnjëherë më shumë me shokë se sa me shoqe.

Ku e shikon veten pas 5 vitesh?

Për sa i përket ‘karrierës’, e shikoj me më shumë këngë, koncerte, vende të ndryshme, audiencë më të madhe, etj., por modelin e flokëve s’di si do e kem. Ajo që për mua ka më shumë rëndësi është që e shikoj veten healthy (shëndetshëm) e të lumtur me atë që jam.

Një mesazh për lexuesit e gazetës “Shëndet +”

“Shneti i pari”

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here