A mund të ndihmojnë suplementet e vitaminës D në parandalimin e demencës?
- Hulumtuesit gjetën se suplementet e vitaminës D ishin të lidhura me një incidencë më të ulët të demencës.
- Hulumtime të tjera janë të nevojshme për të konfirmuar rezultatet.
Mbi 55 milionë njerëz jetojnë me demencë në të gjithë botën, dhe pritet që ky numër të arrijë në 139 milionë deri në vitin 2050. Aktualisht nuk ka medikamente që mund të ndalojnë ose të kthejnë pas këtë gjendje. Po studiohen ndërhyrje që mund të ndikojnë në faktorët e rrezikut të demencës për të ngadalësuar përparimin e sëmundjes. Një prej këtyre faktorëve të rrezikut është mangësia e vitaminës D.
Disa studime kanë treguar se vitamina D mund të ndihmojë në pastrimin e agregateve të amiloid beta—një nga shenjat dalluese të sëmundjes së Alzheimerit (AD). Megjithatë, studime të tjera kanë dhënë rezultate kontradiktore nëse vitamina D përmirëson funksionin njohës. Studime të tjera tregojnë se nivelet e ulëta të vitaminës D janë të lidhura me një rrezik më të madh të demencës dhe AD.
Hulumtime të mëtejshme të lidhjes midis suplementimit me vitaminë D dhe rënies në aftësitë njohëse mund të ndihmojë në zhvillimin e strategjive parandaluese për demencën.
Testimi i 3 llojeve të vitaminës D
Për studimin, hulumtuesit analizuan të dhënat e 12,388 njerëzve nga Qendra Kombëtare e Koordinimit të Alzheimerit, të cilët nuk kishin demencë në fillim të studimit. Mosha e mesatare ishte 71 vjeç.
Nga të gjithë, 37% e grupit morën të paktën një nga tre suplementet e vitaminës D: kalcium-vitamina D, kolekalciferol dhe ergokalciferol.
Në analizat e tyre, hulumtuesit morën parasysh variablat demografikë, klinikë dhe gjenetikë, si depresioni dhe statusi i APOE ε4—një variant gjenetik i lidhur me një rrezik më të lartë të demencës.
Pas pesë vjetësh, hulumtuesit gjetën se 83.6% e atyre që morën suplementet e vitaminës D ishin ende gjallë dhe pa demencë. Po të njëjtën gjendje kishte 68.4% e atyre që nuk morën vitamina D.
Pas 10 viteve, ata gjetën se 22% e pjesëmarrësve zhvilluan demencë, nga të cilët 74.8% nuk morën suplementet e vitaminës D.
Ndërsa 14.6% e atyre që morën vitamina D zhvilluan demencë, po e njëjta gjendje ishte për 26% të atyre që nuk morën vitamina D.
Pas hulumtimit për faktorë të ndryshëm, përfshirë diagnozën njohëse, depresionin dhe statusin e APOE ε4, ata gjetën se ekspozimi ndaj vitaminës D ishte i lidhur me një incidencë 40% më të ulët të demencës krahasuar me ata që nuk morën vitamina D.
Gratë shohin më shumë përfitim
Efektet ishin më të forta tek gratë: gratë që morën vitaminë D kishin 49% më pak mundësi të zhvillonin demencë krahasuar me ato që nuk morën. Burrat që morën vitaminë D kishin 26% më pak mundësi të zhvillonin demencë krahasuar me ata që nuk morën.
Hulumtuesit gjithashtu gjetën se depresioni ishte i lidhur me një rrezik 35% më të lartë të demencës.
Si mund të ndihmojë vitamina D në demencë
Dr. Delma Montoya Monge, profesore asistente e mjekësisë geriatrike dhe palliative në McGovern Medical School në UTHealth Houston, e cila nuk ishte pjesë e studimit, i tha Medical News Today se rezultatet sugjerojnë se suplementimi me vitaminë D ul rrezikun e demencës tek disa pacientë. Ajo shtoi se rezultatet gjithashtu “na kujtojnë se të moshuarit me mangësi të vitaminës D mund të jenë në rrezik më të madh për pasur gjendje të këqija shëndetësore.”
Dr. Dario Zagar, profesori asociat në Shkollën e Mjekësisë të Yale, i cili nuk ishte i përfshirë në studim, e shpjegoi këtë lidhje me vitaminën D duke thënë: “Studimet e mëparshme kanë treguar se nivelet e ulëta të vitaminës D janë një faktor rreziku për zhvillimin e demencës, si AD. Vitamina D ka shumë funksione në trup përveç shëndetit të kockave.”
Simptomat e mungesës së vitaminës
Mungesa e vitaminës mund të shkaktojë një sërë simptomash, duke përfshirë lodhjen, lëkurën dhe flokët e thatë, depresionin, shërimin e ngadaltw të plagëve dhe më shumë.
Mungesa e vitaminës D nuk është aq e dukshme tek të rriturit. Shenjat dhe simptomat mund të përfshijnë:
- Lodhje
- Dhimbje kockash
- Dobësi muskulore, dhimbje muskulore ose ngërçe muskulore
- Ndryshimet e humorit, si depresioni.
Zakonisht, efektet e dukshme nuk fillojnë të zhvillohen derisa të keni nivele të ulëta për disa muaj./medicalnewstoday.com-shendeti.com.al