Për gazetën Shëndet + dhe Shëndeti Online: Alma Hoxhaj, infeksoniste pranë Poliklinikës së Specialiteteve nr.3, Tiranë
Me ardhjen e stinës së dimrit në qarkullim kemi dhe shumë viroza të cilat janë kryesisht të rrugëve të sipërme respiratore . Sëmundja më e rëndësishme për këtë sezon është gripi i cili e ka fillimin në fund të nentorit, pikun në janar- shkurt dhe është një nga sëmundjet që ka vdekshmëri të lartë në çdo vend të botës dhe ku të rrezikuar janë të gjithë, edhe të rinjtë.
Gripi stinor është një infeksion akut viral respirator i shkaktuar nga viruset e gripit
Ekzistojnë disa tipe virusesh që shkaktojnë gripin si tipi A, B e C. Tipet e viruseve A e B janë shkaktarët më të shpeshtë të gripit. Virusi i gripit ka vetinë e shndërrimit të strukturës së tij, prandaj dhe kemi çdo vit tipe të ndryshme të këtij virusi.
Si përhapet gripi?
Gripi stinor është një infeksion akut viral shumë ngjitës. Rruga e transmetimit është ajo orofaringeale. Gripi stinor transmetohet direkt nga një person i sëmurë tek tjetri nëpërmjet kollitjes, teshtimave ose indirekt nga dhënia e dorës një personi të infektuar apo prekja e objekteve të ndotura me virusin e gripit stinor dhe më pas ata prekin sytë,gojën apo hundën. Viruset përhapen në ajër dhe nëpërmjet grimcave të ajrit kalojnë në grykë e hundë, shtohen dhe mbas 1-4 ditë japin shenjat e gripit stinor (në shtëpi pulti i televizorit është nga më të ndoturit)
Për sa kohë një person i sëmurë e përhap gripin tek të tjerët?
Personi i infektuar me virusin e gripit mund të jetë infektues për të tjerët, 1 ditë para se të sëmuret dhe 5 ditë pas shënjave të gripit. Por veçanërisht te fëmijët, apo personat me imunnitet të ulur, periudha infektuese mund të jetë pak më e gjatë.
Kush rrezikon prekjen nga gripi stinor?
Çdo njeri mund të preket nga virusi i gripit stinor dhe ta përhapë atë tek të tjerët. Është sëmundje që kap më shumë moshat e reja, sidomos nxënësit e shkollave pasi në ambjentet e mbyllura mundësia e përhapjes është më e madhe, personeli mjekësor shitëset e dyqaneve, lokalet pasi mundësia e kontaktit me njerëz të sëmurë është më e madhe të gjithë jemi të rrezikuar nga gripi por një grup popullate është më në rrezik se të tjerët për arsye se e kalojnë më rëndë sëmundjen dhe janë më të prirur për të bërë ndërlikimet e gripit.
Në rrezik më të madh janë:
- Fëmijët e vegjël nën 5 vjeç ,sidomos deri në 2 vjeç
- Njerëzit 65 vjeç e sipër
- Gratë shtatzëna.
Njerëzit me sëmundje kronike, si: astma, diabeti, sëmundjet e zemrës, sëmundjet e mushkërive, sëmundjet e veshkave, sëmundjet e mëlçisë, sëmundjet e gjakut, sëmundjet me ulje të sistemit imunitar si HIV/AIDS, kancer etj., kushte neurologjike, si epilepsia, distrofia muskulare, vonesa të rënda të zhvillimit etj., njerëzit obezë, të rinjtë nën 19 vjeç që kanë përdorur gjatë aspirinën.
Klinika apo shenjat e zakonshme të gripit stinor janë:
Karakteristikë e klinikës së gripit është se fillimi i sëmundjes është i menjëhershëm aq sa i sëmuri mban mend dhe orën e fillimit.
Shenjat kryesore të gripit janë;
Temperaturë e lartë, kollë, dhimbje fyti, dhimbje muskulore, dhimbje të artikulacioneve, dhimbje mesi, dhimbje koke, dobësi e theksuar, skuqje sysh lotim , teshtima, mungesë oreksi,
Por mund të shoqërohet dhe me shenja të tjera klinike sidomos tek fëmijët; mund të kemi lodhje, të përzjera, diarre, të vjella, dhimbje barku, rrjedhje të hundëve, marrje mendsh, kollë e thatë ose me mucus, etj
Zakonisht gripi zgjat 3-5 deri 7 ditë, por lodhja dhe dhimbjet muskulare vazhdojnë më gjatë. Zakonisht gripi kalon dhe pa ndihmën e mjekut me regjim për dy ose tre ditë por duhet te drejtoheni tek mjeku në rastet kur tek fëmijët vëreni që :
Shenjat paralajmëruese për emergjencë
Fëmijët shfaqin:
- Temperaturë të lartë mbi 39 dhe që ulet më vështirësi
- Frymëmarrje e shpejtë, ose probleme me frymëmarrjen
- Ndryshim të ngjyrës së lëkurës
- Nuk konsumon lëngje të mjaftueshme
- Nuk ka gjallëri ose nuk bashkëvepron
- Bëhet nervoz aq sa fëmija nuk dëshiron të mbahet as në krahë
- Rrikthim të shenjave të gripit, por me ethe dhe kollë të keqe
- Ethe me një skuqje të lëkurës
- Fortësim i qafës
- Të vjella me presion
Të rriturit shfaqin:
- Vështirësi në frymëmarrje apo gulçim
- Dhimbje apo presion në gjoks apo bark
- Marramendje e papritur
- Konfuzion mendor
- Të vjella të menjëhershme ose të vazhdueshme temperaturë e lartë më shumë se 5 ditë
- Kollë të fortë
Ndërlikimet më të shpeshta të gripit janë sinozitet, tonsilitet purulente, bronshitet, bronkopneumonia, encefalitet dhe sindroma Reino, sidomos tek ata që përdorin aspirinën për temperaturë dhe fëmijët. Gripi mund të çojë deri në vdekje.
Çfarë mund të bëni për të mbrojtur veten nga virusi i gripit stinor?
Mënyra më e mirë e parandalimit të gripit është vaksinimi me vaksinën antigrip. Vaksinimi mbron vetë personin dhe ndihmon në mos përhapjen e gripit. Vaksinimi duhet të bëhet çdo vit pasi ka shumë lloje virusesh dhe çdo vit dalin vaksina të reja që mbrojnë nga nëntipe të reja të virusit. Vaksina përmban dy nëntipe të virusit A dhe virusit B të gripit.
Vaksinimi kundër gripit bëhet në muajt shtator–dhjetor. Efekti i vaksinës fillon 1 deri 2 javë kulmin e ka pas një muaji mbas marrjes dhe mbrojtja vazhdon rreth një vit.
Injeksioni i vaksinës kryhet në pjesën e sipërme muskulare të krahut. Për njerëzit që vaksinohen për herë të parë rekomandohen dy doza të vaksinimit të ndara me një muaj nga njëra tjetra
Vaksina kundër virusit të gripit i rekomandohet të tërë popullsisë por vëmendje të veçantë kanë;
- Fëmijët mbi 6 muaj
- Personat mbi 50 vjeç
- Personave të grupit që kanë rrezik më të madh për të marrë virusin e gripit
- Personelit shëndetësor
- Grave shtatzëna
- Personave që jetojnë në kolektiv apo të sëmurëve me sëmundje kronike
- Personat kujdestarë për të tjerë si edukatoret e çerdheve, kopshteve, kujdestarët e moshave të treta etj.
Vaksina kundër virusit të gripit NUK i rekomandohet :
- Personave që kanë alergji nga veza
- Gjendje akute me temperaturë
- Sindroma Guillain–Barre
- Personat që kanë patur reaksion të mëparshëm
- Fëmijët nën 6 muaj
Megjithatë dhe të sëmurët me alergji nga veza dhe ata me reaksione të mëparshme mund ta përsërisin vaksinimin, por vetëm nën mbikëqyrjen e mjekut dhe pranë qendrave shëndetësore
A jep vaksina efekte të padëshirueshme ?
Po, jep siç mund të japë çdo gjë e huaj që futet në organizëm, por efektet e saj janë të lehta dhe të miradministrueshme nga mjeku dhe më shumë ka efekte të padëshiruara lokale (në vendin e injeksionit skuqje apo dhimbje ) të cilat zhduken pas 1 ose dy ditësh
Masa parandaluese shumë të rëndësishme janë edhe:
- Mbuloni hundën dhe gojën kur kolliteni ose teshtini me shami.
- Lani duart shpesh me sapun dhe ujë ose përdorni solucione duarsh me alkool
- Shmangni prekjen e syve, hundës dhe gojës.
- Përpiquni të shmangni kontaktet e ngushta me njerëzit e sëmurë.
- Ushqehuni shëndetshëm
- Pini sasi te konsiderueshme të lëngjeve
- Bëni aktivitet fizik
- Bëni gjumë të mjaftueshëm.
- Pastroni dhe dezinfektoni mjediset ku banoni
- Mundohuni të eleminoni qëndrimin për një kohë të gjatë në ambjente të mbyllura
- Masë parandaluese është dhe marrja e vitaminës D
MJEKIMI
Konsultohuni me mjekun për mjekimin me ilaçe kundër gripit.
Zakonisht mjekimi i gripit është siptomatik domethënë në varësi të shenjave klinike që keni vetëm në rastet e rënda të gripit ata me ndërlikime apo të sëmurët kronike mund të mjekohen me Antiviralët
Ato përdoren vetëm nëse jeni të sëmurë me grip dhe duhen të merren brenda 48 orëve nga fillimi i sëmundjes.
Kujdes!!!
- Antiviralët jepen vetëm me rekomandimin e mjekut infeksionist
- NUK duhet përdorur aspirinë për temperaturë kur jeni të sëmurë me grip
- Antipiretikët (ilaçet për temperaturë) përdoren në temperaturë mbi 38 gradë
Nëse jeni të sëmurë me grip apo keni të sëmurë në shtëpi duhet të mbani parasysh:
- Qëndroni në shtëpi. Mundësisht regjim shtrati
- Qëndroni veç nga të tjerët
- Pushoni dhe përdorni lëngje me shumicë
- Mbuloni gojën dhe hundën me shami kur kolliteni apo teshtini
- Lani duart mirë me ujë e sapun mbas çdo kollitje apo teshtime
- Informoni familjarët dhe miqtë tuaj për sëmundjen tuaj
- Evitoni sa më shumë të mundeni kontaktet me njerëzit
- Pastroni dhe dezinfektoni mjediset e banesës
- Ajroseni sa më shpesh dhomën e të sëmurit