Mark Brunga
Grykëderdhja e lumit Ishëm është një zonë që dikur cilësohej si mjaft piktoreske. Një udhëtim i sotëm në këtë deltë lumi tashmë të masakruar nga plehërishtet e një sërë vendbanimesh që kanë dalë në bregdet duke udhëtuar dhe ndotur ujrat e lumit, do të bëhej shkak që të trishtoheshe. Lopët dhe dhitë që kullosin mes mbetjeve deri spitalore dhe shisheve me ilaçe të kujtojnë një lëngatë të gjatë që ka kapluar këtë vend. Ndërsa anash bregut të lumit, afër grykëderdhjes, ku dikur gjallëronte një “qytezë” peshkatarësh, tashmë megjithëse janë orët e paradites, ku zakonisht barkat kthehen nga peshkimi, nuk gjejmë “këmbë robi”, po të përdorim shprehjen figurative të vendasve.
Banorët tregojnë se peshku nga ujërat e ndotura përgjatë lumit dhe plehrat në grykëderdhje, e ka braktisur këtë zonë peshkimi, dikur nga më të pasurat në rajon. Dielli ka tharë rrjetat që kanë dalë bosh nga gjuetia, ndërsa barrakat janë të mbushura me mbeturina. Për të treguar se këtu ekologjia është zmbrapsur para “sulmit” të mbeturinave plastike dhe ia ka lënë vendin kësaj mbretërie hedhurinash të ndryshme me origjinë pesticidesh, edhe barakat e peshkimit janë mbështjellë mbi dërrasat me një shtresë plastmasi. Kjo për një nevojë thjesht praktike, për të pritur shiun dhe erën e fuqishme që fryn herë pas here.
Para syve sikur të shfaqet një qytezë e vdekur peshkatarësh. Po dhe në bisedat e mëvonshme duket se nga ndotja e ujërave të lumit, edhe peshkatarëve u kanë vdekur gradualisht shpresat…
Sapo del në grykëderdhjen e lumit të Ishmit, kushdo ndihet keq. Era e rëndë që vjen nga lumi i ndotur nga ujërat e shumta të zeza që derdhen në të kur dita është e ngrohtë, të krijon një shijë të keqe dhe ndjesinë për të ikur sa më parë nga një ferr ekologjik që të shfaqet mjaft brutal para syve. Një plazh i pushtuar nga plehrat urbane dhe një qytezë e varfër peshkatarësh, por pa peshkatarë. Ujërat e ndotura kanë bërë që rezervat e peshkut në grykëderdhje të pakësohen me shpejtësi. Dhe bregu ku duhej të ishin peshkatarët duke ulur e ngritur pezaulet në grykëderdhje, realisht të shfaqet para syve tërësisht i shkretë. Gjejmë vetëm një peshkatar rastësisht.
Pak vite më parë plazhi i rrënuar dallohej si një nga plazhet më piktoreske të zonës, pasi brezi i rërës së bardhë kishte mjaft gjerësi dhe shoqërohej me një varg kodrinash të ulëta dhe plot hije e freski të gjitha të gjelbëruara. Grykëderdhja me plazhin krijonin një ansambël piktoresk pamjesh mjaft të rralla, me një ekosistem të pasur që kishte gjetur hapësirë studimore. Por tani pamjet janë befasuese.
I gjithë bregdeti është pushtuar nga llumrat dhe mbetjet e qyteteve të Tiranës, Fushë-Krujës dhe të zonave urbane përreth. Mbetjet spitalore dhe gjithfarë mbeturinash tregojnë se në këtë zonë nga më tërheqëset tashmë kemi të bëjmë me një vend që nuk është më plazh pas një katastrofe ekologjike që ka ndodhur.
Dhe nuk janë pak plazhet e dëmtuara. Në to kullosin tufa dhish dhe lopësh. Po qumështi i tyre është i kontaminuar duke u nisur nga ilaçet e shumta dhe substancat kimike që gjenden me shumicë në brezin e gjelbër të bregut të ndotur tërësisht, ku ata kullosin. Ndotja nëpërmjet qumështit të tyre ngjitet deri në tryezat e banorëve. Duke qenë një ushqim me probleme dhe vargu i sëmundjeve është i madh. Sidomos i sëmundjeve respiratore.
Në këtë sektor jetik të komunës së Ishmit, duke iu referuar të dhënave të kreut të komunës Sulejman Brahimi janë të kontaminuara rreth 100 ha territore. Ai ka deklaruar se gjendja është katastrofale dhe nuk është zgjidhur për arsye politike, pasi ka 2 vite përpjekje me qeverinë e kaluar, sikurse thotë ai, dhe asnjë kërkese e kësaj komune nuk është marrë në konsideratë. Ai thotë se në këtë lum derdhen mbeturinat spitalore dhe ujërat e përdorura dhe të zeza të Tiranës dhe të Fushë-Krujës dhe më gjerë dhe se për ta zgjidhur problemin e rëndë ekologjik duhen mjaft investime. Sipas Ibrahimit, pasojat janë të mëdha në plazhet e Ishmit, por edhe në plazhet fqinje pasi po shpërndahen edhe në plazhet e tjera, si në Gjirin e Lalëzit dhe deri në shtetet fqinje, si në Mal të Zi dhe Kroaci.
“Për të përballuar këtë situatë, – thekson Ibrahimi, – ne kemi shumë projekte dhe do të bëjmë mjaft përpjekje, por situata është tepër e rëndë dhe për ta përballuar atë kërkohen investime të mëdha shtetërore që në burimin e derdhjeve dhe deri në venddepozitimin e bregdetit. Ndotja masive e Ishmit e ka nxjerrë jashtë funksionit lumin, – thekson ai, – edhe për vaditjen në sezonin veror për shkak të nivelit të lartë të ndotjes së ujit”.
Ndërkohë në qytezën e barrakave thuajse të stilit afrikan të barrakave të peshkimit ka rënë heshtja. Duket sikur ka rënë ndonjë epidemi braktisjeje. Nuk duket këmbë peshkatari gjëkundi. Kudo rrjeta të braktisura lëmsh para ndërtesave të varfra, ndërsa varkat të lidhura duket se kanë kohë pushim. Peshkatari Maliq Janku thotë se me këtë aktivitet prej vitesh kanë jetuar rreth 30 familje, por tashmë peshku nuk gjendet më për shkak të ndotjes së lumit. Për këtë i vjen keq. Ai ka peshkuar prej 10 vitesh në zonën e grykëderdhjes dhe ka investuar rreth 5 milion lekë. Dikur ka peshkuar me gjithë të atin duke krijuar një traditë familjare, e cila po shkon tashmë drejt shuarjes për shkak të pakësimit të gjallesave në këtë lumë tërësisht të ndotur.
Dy vite më parë mbetjet lumore sollën 2 viktima. Një 18-vjeçar dhe një 21-vjeçar humbën jetën. Ish-mjeku i spitalit të Ishmit, Mehmet Miha, shpjegon se si rezultat i ndotjeve në sipërfaqen lumore dhe sipërfaqeve të tëra të plazheve, ndotjet kanë ndikim në jetën e rreth 1400 banorëve të zonës, që është shoqëruar me sëmundshmëri akute dhe kronike, si: kancer në mushkëri, aparate tretëse dhe gjak. Sipas mjekut, edhe rastet e sëmundjeve respiratore ishin të shumta. “Kjo sëmundshmëri akute, – shpjegon ai, – vjen nga ajri i ndotur që kijohet nga pisllëqet e depozituar në lumë dhe shkakton sëmundshmëri në rreth 10 – 20% të popullsisë.
Lumi i Ishmit ka një gjatësi prej 74 km dhe përbëhet nga dega e lumit të Tiranës, Zezë, si dhe Tërkuzë. Në kohë shirash prurjet janë rreth 1980 m3 sek ndërsa prurjet inerte rreth 2 milion ton në vit, pa llogaritur plehrat për të cilat asnjë zyrtar në kryeqytet nuk e ka mprehur lapsin deri tani…
***
Këto informacione mbështeten nga programi SENiORA-a drejtuar nga REC, rrjeti ECIM, grupim i shoqatave mjedisore, duke vijuar denoncimin e masakrave mjedisore


